E enjte, 24.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Tërheqje magnetike në Budapest. Kryeqyteti i bazilikave dhe katedraleve, i kështjellave dhe muzeve të krijon ndjesinë më brilante të ndërthurrjes së Mesjetës dhe industrializmit, të modernes dhe posmodernes.
Budapesti,






Isidor Koti

Pak para se të mbërrish në tokën e ish-Mbretërisë së famshme të Habsburgëve dhe bukurisë tipike të një kryeqyteti europian, nga dritarja e avionit Budapesti ngjan me një kub të formuar me aq kujdes, aq sa simetria arkitekturore të jep idenë e një perfeksioni natyral. Për bukurinë e të ashtuquajturit "Parisi i vogël" i Europës Qëndrore krijon përfytyrime imagjinare, me ndjesinë e frikës se të paktën një zhgënjim të vogël do ta kalosh, sikur qoftë të jesh edhe në një pallat ëndrrash. Por befasia i mposht kapriçot e dyshimeve me impresione realo – romanteske që i ofron një kryeqendër e kulturës europiane. Një qytet i mrekullueshëm, fin e histori të jashtëzakonshme dhe kulturë po aq të veçantë. Kryeqyteti i bazilikave dhe katedraleve, i kështjellave dhe muzeve të krijon ndjesinë më brilante të ndërthurrjes së Mesjetës dhe industrializmit, të modernes dhe posmodernes. Hollësi të pazakonta dhe tërheqëse i mëson qoftë edhe në vështrime impozante që mbartin një lloj romantizmi, të frymëzuara nga Danubi i qetë që përshkon dejet e qytetit në hapësirën gjigande, i lidhur pazgjidhshmërisht me urat mashështore dhe rrugët gjarpëruese. Ky është thelbi i tërheqjes magnetike qëBudapest rrezaton. I qetë dhe plot gjallëri, një metropol i madh e megjithatë miqësor, ku historia mbart përbrenda modernen të shtrirë në kodrat që harmonizohen me lumin më të bukur të Europës që kalon përmes qytetit i shtrirë në 28 kilometra.

Holokausti, një ngjarje më vete

Këto ditë vere, Budapesti po kalon një kohë të veçantë përkujtimore që lidhet me historinë e 50 viteve të kaluara. Holokausti i tmerrshëm nazist përkujtohet çdo vit me një seri të gjatë aktivitetesh. Hungaria ka qenë një nga qendrat e deportimit të qindra mijëra çifutëve që kalonin përmes Budapestit në kampet e famshme të vdekjes.

 Budapesti
Ministria e Kulturës së Hungarisë me mbështetjen e Këshillit të Europës organizuan në këtë kuadër një takim internacional me profesorë të universiteteve dhe shkollave europiane, për të përcjellë historinë e kësaj ngjarjeje tragjike në mbarë popujt, duke dhënë mesazhin e mirëkuptimit dhe tolerancës. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe pjesëmarrës të ftuar nga Shqipëria, të cilët patën kontakte të shumta me personalitete të kulturës dhe artit, madje edhe politikës vendase. Krahas shumë aktiviteteve informuese dhe edukuese, një ditë e veçantë i ishte dedikuar vizitës në muzeun dedikuar Holokaustit. Pamja e thjeshtë në dukje, por gjigande në përmbajtje të krijon idenë e prekjes së historisë në katakombe. Me qindra emra, viktima të holokaustit janë mbishkruar në një mur madhështor, ndërsa në brendësi ekranet dhe reliket e frikshme njerëzore, të kredhin në pezmatim. Një grua e re në rolin e cicerones nuk lodhet së shpjeguari për historinë e konfiguruar në muret e muzeut. Nga jashtë dëgjohen këngë tipike ciganësh. Edhe ata e quajnë këtë kohë "holokaust", sepse fati i tyre i shprehur me një dhimbje të brendshme në shpirtin muzikor, ende nuk ka gjetur një banesë.

Arti hungarez, muzikë, kërcim dhe veshje

Ndonëse në ditët e përkujtimit të Holokaustit nazist, Budapesti ngjan me një qytet të përfshirë në festë. Tek e fundit jeta vazhdon dhe është normale që të dëgjosh muzikë, të kërcesh dhe pse jo të vishesh bukur. Këtë bëjnë hungarezët, duke u lezetuar para të huajve, të cilët i kanë zili për folkun që duket se ka lindur nga një traditë e gjallë e krijmtarisë së gjetur në disa forma në të gjithë vendin. Dëshira për të shkëlqyer dhe zbavitur ka kaluar nga një gjeneratë në tjetrën, në muzikë, kërcim, punime dhe veshje. Budapesti jeton ende një traditë dhe duket se kjo është zemra e kulturës hungareze.

Kuzhina, sa e shijshme!

Mbase mund t"ju ketë folur dikush për shijen e kuzhinës hungareze. Ushqimet tradicionale janë shumë pikante dhe me përmbajtje aromash. Kuzhina klasike hungareze nuk është gjë tjetër veçse një përzierje me kuzhinën franceze ardhur në Hungari, me elemente të asaj austriake bashkuar me gatimin tradicional të zonave fshtare dhe pasuruar me erëzat tipike aziatike. Përbërësit e gatimeve hungareze janë trashëguar nga kohët e vjetra, të shijshëm, këto përbërës prodhohen nga agrikultura lokale. Në të shumtën e rasteve ushqimi është i pasur me krem, vezë, gjalp, qepë dhe verë. Lokalet e shtrenja dhe me shumë emër sidomos në Budapest gatuajnë shkëlqyeshëm mishin dhe peshkun Në Budapest gjithashtu ekzistojnë dhe restorante për vegjetarianët ku ofrohen kërpudha të pjekura, krem djathi dhe bukë të mbushura me djath apo gatime me vezë. Gjithashtu pastiçeritë e Budapestit të habisin me shumëllojshmërinë e ëmbëlsirave. Madje ato janë vendi ku mund të marrësh më shumë kalori. Më të pëlqyerat janë tortat, pastat dhe akulloret. Përmenden si më të konsumuarat tortat tradicionale.

Budapesti
Para mbylljes, pak histori

Mos u çuditni, por Hungaria ka një të përbashkët të rëndësishme me Shqipërinë. Vetëm në vitin 1990 qeveria demokratike erdhi në pushtet. Megjithatë le të udhëtojmë në kujtesë. Në shekullin e I territori u pushtua nga nga romakët. Në shekullin e e IX dhe të X holandezët konsideronin si territor të tyre të gjithë bregun e Danubit. Në Shekullin XIII pushtimi Tatar provon se mbrojtja është e vështirë strategjikisht në rrafshinë. Mbreti Bela IV urdhëroi ndërtimin e një muri të madh përqark dhe bëri pallatin e tij mbretëror në majë të kodrës së Buda-s. Në Mesjetë në këtë vend ekzistonin dy qytete të ndara që zhvilloheshin ngjitur me njëra-tjetrën: e famshmja Buda dhe Pesti në anën tjetër të lumit. Në shekullin XVI zhvillimi i qyteteve ishte i ulët. Ngadalë civilizimi perëndimor u shndërrua në lindor dhe simbolet e kristiane u zëvendësuan me të tjera. Okupimi turk zgjati më shumë se 140 vjet. Sot e kësaj dite ekzistojnë akoma ndërtesa të periudhës së pushtimit otoman. Në shekullin XIX Buda dhe Pesti u afruan më tepër me njëri-tjetrin. Në vitin 1867 kujtohet lindja e Monarkisë Austro-Hungareze. Aktualisht Hungaria ka 10 milionë banorë, dominojnë katolikët, monedha vendase është Forinti (HUF) dhe përdoren gjerësisht krahas gjuhës hungareze edhe gjermanishtja me anglishten.

Publikuar: 29.09.2010 | 09:18
Lexuar: 965 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime