Ndjehesha shumë e lodhur nga punët e shumta të vitit dhe si shumica e shqiptarëve që planet për pushimet e tyre i bëjnë pikërisht kur ato fillojnë, po mendoja se ku dhe kur do t'i kaloja pushimet. Kisha kaq shumë nevojë të shkoja diku e të meditoja, diku ku mund të harrohesha dhe të harroja.
Dolores Dhima
Ishte mesi i korrikut dhe unë vendosa vetëtimthi se do të filloja pushimet aty nga njëzet korriku. Kur punon privatisht, ke edhe privilegjin për të zgjedhur brenda disa ditëve se ku mund të pushosh. E shijova ndjesinë e këtij privilegji dhe i dhashë vetes një privilegj tjetër. Të mos e vrisja mendjen shumë se ku do të shkoja por të vendosja menjëherë edhe për vendin e pushimeve. E teksa po reflektoja kësisoj, me vjen ndër mend Ovidi, poeti i famshëm romak me thënien e tij: "Hidhe grepin në lumin ku ke më pak shpresa se do të gjesh diçka, atje patjetër do të ketë një peshk."
Vendosa të mos e zgjedh vendin e pushimeve natën, sepse do të kisha shumë kohë për të debatuar me veten, por do të mendohesha gjatë dushit të mëngjesit. Ajo që do të bëja në mbrëmje ishte thjesht përgatitja e një çante sa më të vogël e sa më të lehte për udhëtim. Hapa dollapin ku pashë gjithë ato rraqe-rroba, disa prej të cilave të blera tek i famshmi "GABI" MALL. U gëzova që arrita ta mund veten duke i rezistuar tundimit për të marrë sa më shumë rroba me vete, dhe mora vetëm një fustan pa mëngë që e kisha blerë tek dyqani i rrobave për fëmijë, ku kisha kërkuar masën më të madhe për fëmijën më të bollshëm. Më pëlqeu shumë ai fustan se kishte ngjyra të kombinuara bukur e unë ndjehesha tërë jetë kur e vishja. Mora edhe një triko te verdhë, si edhe një palë pantallona xhins dhe dy tre bluza që të kombinoja xhinset, e sigurisht unaza, byzylykë e varse të cilat do t"i mbaja në duar e në qafe, pra nuk do të më rendonin aspak në cantë. Teksa po u hidhja një sy parfumeve, dora papritmas më vajti tek parfumi anais-anais, një parfum që e përdorja kur i kisha fëmijët e mi shumë të vegjël, para thuajse njëzet vjetësh dhe e ribleva vjet për të kujtuar aromën e fëmijëve të mi të dashur. Do të përpiqesha që gjumin ta bëja pa mendime në kokë dhe do të vendosja se ku do ta hidhja grepin e Ovidit sikurse thashë pak më lart, gjatë dushit të mëngjesit dhe ashtu bëra. Era e jargavanit të sapunit të mëngjesit dhe parfumi anais anais, krijuan një kombinim aromash të luleve të malit, çka befas më kujtoi Korçën time të dashur. Atje do të shkoja! Oh ja edhe një mendim tjetër i papritur. Do ta sfidoja këtë qytet të ëndrrave të mia fëminore, që aq sa e doja, po aq më mbushte me trishtim pasi në këtë qytet nëna ime vdiq kur unë isha vetëm katër vjeç, por tashmë shumë vite kishin kaluar gjatë të cilave unë isha mësuar ta shoh jetën pozitivisht, shumë të bukur, dhe të gjeja forcë të largoja çdo tis të trishtë. A do të arrija vallë ta shihja Korçën si vendlindjen e ëndrrave të mia të bukura fëminore, pa atë trishtim që më kaplonte gjithmonë, sa herë ndihesha e lumtur në këtë qytet. Këtë herë unë Korçën do ta shihja ndryshe, do ta shihja me ambrozinë që më dhanë katër vjet me nënë dhe jo pesë dekada të tjera pa të..
E kështu u nisa drejt qytetit tim, duke lënë shtëpinë time në Tiranë, në atë pjesë të Tiranës ku nuk e kupton se ora është njëmbëdhjetë e natës apo tre pas mesnate. Ãshtë ajo lagje që mua më duket se sfidon lagjet më të bukura të Romës dhe Athinës, për nga gjallëria dhe popullata aq e re që zë vend përgjatë karrige-kolltukëve të rehatshëm të klubeve aq pranë njëri tjetrit dhe të njerëzve që pinë kafe apo çaj apo limonadë apo çfarë të duan ashtu të lirshëm dhe me biseda të larmishme. Mu duk sikur po i kërkoja falje shtëpisë sime dhe lagjes sime plot gjallëri të Tiranës që do të mungoja disa ditë sepse do të shkoja aty ku mendoja se do të ndjehesha mirë për disa ditë, vetëm për disa ditë sa të thithja ajrin dhe të pija ujin e atij qyteti.
Gjeta një fugon të pastër, me pasagjerë të kulturuar me përjashtim të një të moshuari i cili po i bërtiste një ushtari i cili sipas të moshuarit i kishte zënë vendin. Plaku po i bërtiste ushtarit sa i hante zëri, madje edhe po e ofendonte por për habinë e të gjithëve, djaloshi nuk i ktheu fjalë aspak. I la vendin plakut duke i kërkuar falje (mua mu duk se i kërkoi falje më kot, sa për ta zbutur plakun që dukej se ishte nga ata tipa pleqsh zevzekë që "i thoshin sherrit lepe"). Më bëri mjaft përshtypje ky djalë kaq i kulturuar dhe kur të gjeja çastin e duhur mund ta pyesja se ku po e bënte ushtrinë, prej nga ishte etj.
Po vazhdonim udhëtimin dhe mua nuk e di pse më erdhi ndërmend një këngë e fëmirisë sime diçka e tillë si " Që nga ......në Tiranë, rrugë e gjatë gjarpëron
Si arusha nëpër male, skoda ime fluturon
Ec të keqen, ec ta marsha, sepse kromi po na pret
Faqebardhë ty te pafsha, në tabele e në gazet" "
Nuk më kujtohet tamam vargu i parë i këngës, ndaj edhe e kam lënë pika pika qytetin para Tiranës, por fjalët e tjera jam e sigurt se ishin kështu. Më erdhi çudi me këto fjalë të këngës, por megjithatë në i këndonim kur ishim fëmijë. Mua më bënte përshtypje që në dhe këngëtari e shqiptonte fjalën "gazet" dhe jo "gazetë", sikurse na kishin mësuar në shkollë. Ndërsa po mendoja për fjalët e kësaj kënge të vjetër të "emulacionit socialist", mezi prisja të arrija të shihja liqenin e Pogradecit nga larg. Ja po i afroheshim Qafës së Thanës. Gjyshja ime e cila dimrit jetonte në Tiranë dhe beharit në Korçë, më thoshte se sapo mbërrinte nga Tirana në Qafën e Thanës edhe me sy mbyllur po të ishte, do ta kuptonte se ndodhej aty, nga ajri i një lloji tjetër. Gjyshja ime që në të ritë e saj ishte mësuar të jetonte në shtëpi të bollshme private, nuk e duronte dot jetesën në apartamentin e të birit në Tiranë. Shpesh do të ankohej e do të thoshte se nuk e duronte dot jetesën në pallat pasi vinte erë gjellësh të gatuara nga komshinjtë, ndaj sapo afrohej në Qafë Thanë ndjente ajrin e pastër dhe thoshte se vetëm këtu fillonte t"i ikte era e gjellës dhe që këtu fillonte ajri i pastër që ajo do të vazhdonte ta thithte gjithë verës në shtëpizën e saj të fshatit, ku era e jonxhës në selishtë e mundte erën e gatimit, megjithëse mua më pëlqente era e gatimit te gjyshes sime, lezetuar me najazme e borzilok.

Thitha fort ajrin e Qafë Thanës dhe më pas u kënaqa duke soditur Liqenin e Pogradecit. Sa i bukur vargu "Atje tej në kallamishte, rri i strukur një lejlek". Më iku kokëdhimbja e punëve dhe halleve të shumta, mu davarit gjithçka e lodhshme për t"i hapur udhë qetësisë ngazëlluese. Fugoni la liqenin e Pogradecit, shoferi po i lëvizte stacionet e radios sipas qejfit dhe në të hyrë të Maliqit, mendova se ishte çasti i duhur për ta pyetur atë ushtar të edukuar se ku po e bënte ushtrinë. E pyeta me droje dhe ai më thotë se sapo ishte kthyer nga Afganistani. Oh sa doja ta pyesja për atë vend që është përshkruar me aq mjeshtëri nga autori i "Kite Runners- Gjuajtësit e Balonave". Nuk e di se si e përpiva atë libër vjet dhe ja tani mund ta pyesja djaloshin për gjithë ato gjëra për Afganistanin. Por nuk qe e thënë. Ushtari i tha shoferit ta ndalte fugonin pasi aty ishte hyrja e fshatit të tij ku kishte dalë ta priste nena e tij. Doja të merrja pjesë në gëzimin e nënës që priste djalin nga Afganistani. Djaloshi përqafoi nënën e cila filloi të qajë me ngashërim dhe unë dëgjova zërin tim të uronte me gjithë shpirt " Shyqyr që t"u kthye djali shëndoshë". Ajo grua e panjohur më falënderoi dhe u largua e përqafuar nga i biri.
Ja mbërrita edhe në qytetin tim të lindjes. Do ta mbaja premtimin që i kisha bërë vetes. Korçën do ta shihja jo si qytetin ku jetova vetëm katër vjet më nënë por si vendlindjen time ku vitet do t"i llogarisja në ditë dhe katër vjet ishin aq shumë ditë, e qindra diej, me mijra yje në këtë qytet me nënën time. Çfarë nuk mund të bëjë njeriu në gjithë këto ditë. Mund të shpikë një ilaç për të shpëtuar njerëzit dhe në këta katër vjet kushedi se sa njerëz mund të shpëtojnë, mund të njohë një njeri të mrekullueshëm dhe të krijojë një lidhje përrallore lumturie, mund të mbarojë një universitet, mund të lindë dy fëmijë e sa e sa shumë gjëra te tjera të bukura. Nuk do të më trembte më trishtimi dhe vraga që më kish lënë Korça, do ta rishihja qytetin tim në një dritë të re, vetëm vezullues sikurse e shihja në mëngjeset e verës kur dilja me shoqet e mia të vogla për të mbledhur "maraqka" sikurse i thoshim kamomilit, apo sikurse e dëgjoja këtë qytet netëve kur djemtë bënin serenatë dhe në dritaret e shtëpive tona vinte jehona e melodive instrumentale të luajtura aq bukur nga orkestra e hotel turizmit asokohe. Ishin kohërat kur lufta e klasave ende nuk ishte egërsuar dhe mësueset tona dilnin shëtitje në shëtitoren e Korçës me fustane me zhypon të viteve 50-60 dhe këngët e meloditë ende nuk qenë censuruar. Kështu do të përpiqesha ta shihja Korçën, nën këtë dritë dhe natë të bukur melodish, ku trishtimi që më kapte në vogëli e më kujtonte se prej këtij qyteti nëna ime iku "në qiell", kur unë isha vetëm katër vjeç, nuk do të më frigonte më.. Pra do të përpiqesha ta shihja shishen gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh. Sa dëshirë kisha që në këtë përpjekje të më ndihmonte qyteti im, të mos zhgënjehesha. Qyteti duhej ta dinte se në këto ditë të nxehta, këmbët nuk më shtynë drejt plazhit por drejt Korçës. Mendova se mos ndoshta këto do të ishin ditët e mia të prapme (të fundit) pasi njerëzit kur e parandjejnë se po ju afrohet fundi, fluturojnë drejt qytetlindjes; por prapë, edhe sikur të ishte kështu, nuk do të pendohesha sepse do të kisha patur mundësinë që në ditët e mia të fundit të shihja qytetin tim të dashur.....

Ndjehesha e fortë për atë që do të bëja. Do të rijetoja jo ato pak katër vjet por ato shumë ditë gjatë të cilave jetova me nënën time, pse afërsisht katër vjet dhe jo 1400 e ca ditë. Sa më kishte marrë malli për shtëpinë ku kisha jetuar "gjithë ato ditë" me nenën time. Unë do të zija hotel, pikërisht poshtë asaj shtëpie. Do të ndjehesha e frikësuar apo e lumturuar. Lë ta provoja njëherë, pasi po qe se do të ndjehesha mirë, do të mundja atë frikë që më kishte munduar gjithë ata vjet dhe gjithë atë dilemë për qytetin tim të lindjes: qytet i lumturisë sime apo i trishtimit tim.
Zura dhomë në katin e dytë të hotelit. Po këqyrja vendin rreth e rreth nga dritarja dhe kuptova se pranë kësaj dhome kishte qenë tarraca ku unë kisha luajtur me nënën time. Nuk ndjeva trishtim por gëzim. Po jetoja çastet e bukura kur flokët e saj të gjatë binin mbi fytyrën time teksa vraponte drejt meje për të më puthur duke kënduar e duke qeshur. Ndjeva se po qeshja, ndjeva se po vrapoja në dëlirësinë time fëminore. Dola nga dhoma e hotelit e gëzuar për të parë shtëpinë ku kisha jetuar me nënën time nga jashtë. Doja t"ja jepja vetes sime lumturinë gradualisht, ndaj vendosa të rri në atë hotel vetëm disa ditë dhe çdo ditë të sodisja shtëpinë vetëm për pak çaste. Sot do të shihja vetëm ballkonin për të kujtuar se si ujisnim lulet me nënën, në fakt ajo ujiste sepse unë pllaquritesha në ujë e kënaqesha. E kujtova këtë çast e dola nëpër Korçë. I pari njëri që takova ishte bibliotekistja e mirënjohur e qytetit tim, Zonja Klara. Ju afrova me shumë dashuri sepse mu kujtuan ditët e ftohta të Korçës kur ne shkonim për të lexuar në bibliotekën e Korçës dhe ajo na i ngrohtë duart e ftohta tek "pori" i bibliotekës e ne lexonim me endje Foqion Postolin e Mihal Gramenon. Sa shumë ziheshim për të lexuar Edmond De Amicis. Ishin pak kopje por Zonja Klara gjente mënyrën për të na kënaqur të gjithëve. Sa shumë dritë na dukej se na jepte ajo grua dhe sa zili e kishim sepse ajo kishte fatin tonë në dorë. Po sikur të na thoshte se libri që kërkonim mund të lirohej pas një muaji sikurse ndodhte me librin "Princi dhe i Varfëri". (vijon...)
*********************
U ngrys teksa po ecja bashkë me vëllanë tim pranë Vilës Themistokli. Tek bulevardi vinte zëri i një djaloshi që këndonte me një timbër të mrekullueshëm dhe me një anglishte shumë të bukur. Futemi tek vila Themistokli. Ishte plot me të rinj aspak të zhurmshëm, që dëgjonin me ëndje djaloshin tek këndonte aq bukur a thua se ishte Elvis Priestley. Megjithëse vëllai dhe unë ishim më të moshuarit, nuk po i ndjeja aspak vitet mbi supe. Djaloshi që këndonte mori flautën dhe i ra asaj me aq virtuozitet sa që unë po lehtësohesha nga barra e viteve dhe po bëhesha thuajse pa peshë e pa formë, thjesht po ndjehesha bukur, lehtë, lirë, dlirë.
U larguam për t"u kthyer në hotel ku personeli na priti aq mirë. Dhoma kishte gjithçka, edhe internet. Teksa hapa internetin dhe lexova disa lajme e më pas u shkrova disa mesazhe miqve, mendova për tarracën e fëminisë sime aty pranë dhomës sime të hotelit, ku nëna ime lexonte letrat që i sillte postieri nga larg. Sa ditë duheshin për të ardhur ato letra dhe unë tani mund të shkruaja dhe të merrja përgjigje në çast, pa pritur ardhjen e postierit, dhe pa fërgëllimën që ndjen kur hap letrën e mezi pret se çfarë mund të ketë brenda.

Të nesërmen do të dilja serish nëpër rrugët e Korçës. Këtë herë kisha vendosur të rrija para ballkonit të shtëpisë sime të fëminisë dhe të mendoja për pak çaste për dhomën e miqve ku mamaja priste miqtë. Ajo ishte e mobiluar aq bukur me perdet me kadife të mëndafshtë bojë qielli e me qilimat që gjyshja i kishte punuar aq bukur. Sa do të doja të futesha nëpër ato dhoma por nuk e dija se si do të më prisnin banoret e rinj të asaj shtëpie e pastaj ç"të drejtë kisha unë t"u transmetoja atyre njerëzve trishtim kur unë vetë po përpiqesha ta largoja atë. U mjaftova duke parë dhomën nga ballkoni dhe duke rikujtuar se si nëna më mësonte të qerasja miqtë me tabaka të cilën unë e mbaja më duart e mia të vogla e me shumë frikë. Duhej të thoshim "Mirë faleminderit" kur na pyesnin dhe ne pastaj duhej të thoshim "Po Zotëria juaj si jeni". Unë e kisha të lehtë të thosha "Mirë faleminderit" por kur vinte radha "Po Zotëria juaj si jeni" kisha frikë ta thosha por duhej ta kryeja më së miri atë detyrë pasi do të shpërblehesha nga ngazëllimi në sytë e nënës dhe nga fjalët përgëzuese të mysafirëve, sidomos të mysafirëve gra.
Pasi rijetova edhe jetën time në dhomën e miqve, u nisa për të ngrenë një drekë në Boboshticë në një restorant âshtëpi, me një pemë me mana të kuqe. I provova manat që në fëmini më dukeshin të tharta, por sot kishin një shije tjetër. Ato ishin aq të shijshme, aq të ëmbla. Sot do të na servireshin si sallatë çka kurrë nuk e kishim provuar kur ishim fëmijë. Manat e kuqe sallatë. Pastaj do të vinte mishi i freskët dhe i shijshëm i qengjit, lakrori i famshëm i Korçës etj. E ndërsa hanim në oborrin e restorantit të vogël, nën hijen e manit, radio Korça transmetonte melodi nga Tristani dhe Izolta. U ndjeva sërish në paqe me veten dhe me të tjerët. U ktheva në hotel me një përtëritje në shpirt dhe hapa sërish internetin tek rubrika "citatet e ditës". Më pëlqen kjo rubrikë, sepse më kujton serish fëmininë kur lexonim libra dhe shkruanim pjesët që na pëlqenin më shumë në fletore që zhubraviteshin nga vitet por citatet qëndronin atje dhe lexoheshin ë rilexoheshin. Citati i asaj dite ishte: " Ãshtë mirë që zemra të jetë naive por mendja të mos jetë e tillë",nga Anatol France. Këtë po provoja me Korçën këto ditë, një naivitet të zemrës dhe të shpirtit me një pjekuri të mendjes.
Kishin kaluar disa ditë në Korçë gjatë të cilave kisha kundruar me sytë e mendjes tarracën e shtëpisë ku kisha jetuar me nënën time dhe nga ballkoni kisha kundruar dhomën e pritjes. Provë e kaluar me sukses pasi ato që kishin mbisunduar ishin ndjenjat e gëzimit dhe hija e trishtimit qe venitur. Po të nesërmen si do ta përballoja provën, të nesërmen do të sodisja derën e shtëpisë. Do të ishte përballimi më i fortë sepse nga ajo derë përcollëm nënën për në banesën e saj të fundit. E nesërmja gdhin e bukur dhe e freskët. Hap sërish internetin tek "Citati i ditës" dhe gjej diçka nga Ajnshtajni:
"Çmenduri do te thotë të bësh gjithmonë të njëjtën gjë dhe të presësh rezultate të ndryshme" Jo, unë nuk po bëja të njëjtën gjë në vite. Këtë herë unë kisha ardhur të rijetoja pranë asaj shtëpie së cilës unë i largohesha. Këtë herë unë ju afrova shumë afër dhe ndjeva dëlirësi. Dola nga hoteli dhe u përballa me derën e shtëpisë sime të fëminisë. Ja atje shoh në vegim tek pragu i derës, nënën të më buzëqeshë dhe unë të kënaqem "të kënaqem tue qeshë".

Dola sërish drejt rrugëve të Korçës. Mu duk sikur fluturoja jo sikur ecja. Ardhja këtu më kishte bërë mirë. I thashë faleminderit qytetit për lumturinë dhe qetësinë që më dha. Rrugët e qytetit tashmë ishin bërë shumë të vjetra e plehrat nga ndërtimet kishin sjellë mjaft miza por unë nuk duhej të merrja inat qytetin. Duhej t"i falja atij qyteti mirënjohje duke i dhuruar diçka. Kështu mendova, sa mirë do të ishte që qytetlindjeve tona t"u dhuronim diçka nga puna jonë dhe jeta jonë, sikurse veproi një bashkëqytetari im që i dhuroi Korçës një muzeum. Vetëm kështu duke ju falur diçka qyteteve, për t"i rimëkëmbur vetë ne, qyteti nuk do të jetë fajtor për rrugët e vjetra dhe trishtimin që na sjellin ato por do të na bëjë që vitet t"i numërojmë me ditë dhe ditët të na shfaqen ngazëlluese.
U riktheva në shtëpinë time në Tiranë dhe duart i ndjeva aq të lehta teksa hapa kompjuterin. Mendimet që hidhja në kompjuter fluturonin sepse unë ndjehesha aq mirë me vetveten pa qenë aspak qaramane por mirënjohëse për gjithçka që kisha dhe shijoja. Ah, ja tek pashë tani në internet një citat për arritjen e rezultateve më të larta në jetë nga Aristoteli " Ne jemi ajo çka ne bëjmë vazhdimisht. Superiorja që arrijmë nuk është atëherë një akt por një zakon."