Pjesëmarrja e 56 delegacioneve me rreth 1500 atletë, mbi 420 trajnerë e mësues, 206 drejtues si dhe e mijëra organizatorëve, gjyqtarëve, vullnetarëve, prindërve të atletëve pjesëmarrës, gazetarëve e përfaqësuesve të shtypit, mijëra dashamirësve dhe spektatorëve, janë dëshmi e qartë e bukurisë së këtij aktiviteti.
Gjergji Mima
- Lojërat Verore Olimpike Speciale për zonën evropiane dhe euroaziatike, që u zhvilluan këtë javë në kryeqytetin e Polonisë,Varshavë, ishin veprimtaria më e rëndësishme, më e madhe dhe më e bukur në lëvizjen sportive të personave me aftësi të kufizuar.
Pjesëmarrja e 56 delegacioneve me rreth 1500 atletë, mbi 420 trajnerë e mësues, 206 drejtues si dhe e mijëra organizatorëve, gjyqtarëve, vullnetarëve, prindërve të atletëve pjesëmarrës, gazetarëve e përfaqësuesve të shtypit, mijëra dashamirësve dhe spektatorëve, janë dëshmi e qartë e bukurisë së këtij aktiviteti.
Edhe prania e Presidentit të Republikës së Polonisë, Bronislav Komorovski, dhe e zyrtarëve e autoriteteve të larta vendase si dhe e personaliteteve të shquara të vendeve të ndryshme, midis të cilëve dhe Zonjës së Parë të Shqipërisë, Teuta Topi, në ceremoninë madhështore të çeljes dhe mbylljes së këtij aktiviteti, dëshmojnë vlerësimin dhe rëndësinë e këtyre lojërave.
Në Lojërat Euro-EuroAziatike të Varshavës, Shqipëria u përfaqësua me një delegacion modest, që kishte 12 atletë (6 vajza e 6 djem) dhe 4 drejtues, trajnerë e mësues, që konkurruan në 3 lloje sporti: atletikë, bouling dhe pingpong, me nga dy vajza e dy djem në secilin nga këto sporte.
Përfaqësimi shqiptar u mirëprit dhe ngjalli mjaft interes, duke u konkretizuar me një paraqitje dinjitoze e të suksesshme, e për rrjedhojë ishte plotësisht e justifikuar. Djemtë dhe vajzat e Olimpikut Special Shqiptar arritën disa rezultate të kënaqshme, duke fituar 7 medalje, 4 vende të katërta dhe 2 të pesta. Në këto gara duhet veçuar Andi Gusmari, i cili arriti suksesin më të madh në sportin e boulingut. Ai ishte mjaft i suksesshëm, sepse i mposhti të gjithë rivalët e tij, duke grumbulluar një rekord pikësh, plot 395, që i dhanë vendin e parë dhe medaljen e artë. Pas Gusmarit, rezultat të lartë arriti edhe Xhesika Shabani, e cila zuri vendin e dytë dhe meritoi medaljen e argjendtë në pingpong, duke demonstruar shkathtësi dhe shpirt gare.
Ndërsa Valbona Selimi nga Shkodra në vrapimin e 100 metrave, Ervis Ramazani nga Elbasani e Florida Tafa nga Durrësi në buoling, Artan Kodheli nga Tirana në vrapimin e 200 metrave dhe Shkëlqim Halili nga Elbasani në pingpong morën medalje bronzi. Mjaft mirë konkurruan edhe Enea Avdiu nga Elbasani në vrapimet 100 dhe 200 metra si dhe Klajdi Lika nga Tirana në pingpong.