Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, nuk do ti shpëtojnë përgjegjësisë ligjore asnjë nga personat që kanë qenë të angazhuar që nga vendimmarrja për Gërdecin, hartimi i projekt-kontratave mes MEICO dhe SAC-Albademil, nënshkrimi i këtyre kontratave e deri tek anëtarët e thjeshtë të komisioneve të vlerësimit të municioneve apo përzgjedhjes së armatimit.
Trazhgim Sokolaj
Hetimet për tragjedinë e Gërdecit marrin përmasat e një maksiprocesi pa precedentë në drejtësinë shqiptare. Pas një periudhe hetimesh dhe analizash të zhvilluara në sekret të plotë mbi provat e grumbulluara, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur nën akuzë plot 40 persona që pritet të gjykohen për tragjedinë e Gërdecit.
Lajmi është konfirmuar dje zyrtarisht nga burime të mirinformuara të hetimit, sipas të cilave lista e gjatë e të pandehurve filloi dje me 12 fajtorët e nivelit të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm, porse njoftimi i akuzave vijon sot dhe nesër. Numri i të pandehurve mësohet se do të shkojë deri në 40 persona të vendosur nën akuzë, duke vazhduar në nivelin e mesëm dhe të ulët të zyrtarëve e punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm.
Sipas burimeve të Prokurorisë së Përgjithshme, nuk do ti shpëtojnë përgjegjësisë ligjore asnjë nga personat që kanë qenë të angazhuar që nga vendimmarrja për Gërdecin, hartimi i projekt-kontratave mes MEICO dhe SAC-Albademil, nënshkrimi i këtyre kontratave e deri tek anëtarët e thjeshtë të komisioneve të vlerësimit të municioneve apo përzgjedhjes së armatimit.
Me provat e mbledhura nga hetimet në vendin e ngjarjes, dëshmitë e administruara dhe dokumentet e sekuestruara, Prokuroria ka gjetur elementë të mosveprimit të dhjetëra zyrtarëve e punonjësve shtetërorë si dhe vendime të gabuara të marra në kundërshtim me ligjin, të cilat direkt ose indirekt kanë sjellë ngjarjen e rëndë me 26 të vdekur dhe 300 të plagosur.
Të gjithë përgjegjës
Prokuroria e Përgjithshme i konsideron përgjegjës ish-zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, pasi tre urdhrat e këtij dikasteri që kishin të bënin me Gërdecin, kanë pasur mangësi dhe probleme serioze. Po kështu edhe projektvendimet e dërguara në Qeveri nga ministria, për miratimin e kontratave dhe procesit të demontimit fillimisht për fishekët dhe më pas për predhat, pa specifikuar kalibrin e municioneve, konsiderohen nga akuza si problematike. Më pas hierarkia e implikimit zbret drejt Shtabit të Përgjithshëm, ku dyshohet se është abuzuar me sasinë e municioneve të dërguara në njësi ditore në Gërdec, është abuzuar me cilësinë e municioneve të përzgjedhura për demontim e deri te heshtja për shkeljen e dukshme të rregullave të sigurisë në fabrikën ku bëhet demontimi i fishekëve dhe më pas i predhave të kalibrit të rëndë. Në të gjithë këtë proces zinxhir, që fillonte nga instancat më të larta të Ministrisë së Mbrojtjes, vazhdonte më pas me ndërmarrjen MEICO dhe vijonte me Shtabin e Përgjithshëm e deri te komandat e thjeshta të ushtrisë, Prokuroria ka gjetur veprime dhe mosveprime nga zyrtarët dhe ushtarakët, të cilët janë bërë shkak se me ose pa dashjen dhe dijeninë e tyre, tragjedia e 15 marsit 2008 të ndodhë duke shkaktuar humbjen e jetëve njerëzore, por edhe dëmet kolosale materiale dhe financiare.
Favorizimi i biznesit të Delijorgjit
Dy kanë qenë mënyrat e favorizimit të bizneseve të Mihal Delijorgjit me anë të përzgjedhjes së armatimit. Mënyra e parë ka qenë ajo, sipas të cilës, anëtarët e komisioneve dhe ushtarakët zgjidhnin nga depot fishekët dhe predhat me magnet, duke marrë vetëm municionin me material tunxhi. Pra, sipas hetimeve të Prokurorisë ka pasur një favorizim të Delijorgjit në cilësinë e metalit që përmbanin municionet që çoheshin për demontim. Nga ana tjetër mësohet se ka pasur edhe një mënyrë tjetër favorizimi, e cila ka të bëjë me sasinë ditore të furnizimit me municion. Për interesa të përfitimit më të shpejtë, në njësi kohore të dhënë prej 24 orësh, ushtria është urdhëruar të dërgonte në Gërdec sasi më të larta municioni sesa ishte parashikuar dhe ishte në kapacitetin e punishtes së çmontimit, duke u bërë kështu shkak për grumbullimin e barutit që shpërtheu ditën e ngjarjes.
Dosja e tragjedisë në Gjykatën e Lartë për shkak të Fatmir Mediut
Dosja penale e tragjedisë së Gërdecit pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë me 40 të pandehurit e saj. Për shkak të pranisë së ish-ministrit Mediu në cilësinë e të pandehurit në këtë çështje, kompetenca lëndore e gjykimit përthithet nga Gjykata e Lartë, e cila pritet që me një Kolegj Penal 5-anëtarësh të shqyrtojë çështjen në themel. Burimet nga Prokuroria e Përgjithshme konfirmuan dje se dosja penale do të mbahet në hetim deri në përfundim të akteve të njoftimit të akuzës për 40 të pandehurit dhe, më pas fashikulli që bën fjalë për ngjarjen e ndodhur në Gërdec, dërgohet për shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Prokuroria tha se dosja mund të mbahet deri në fund të këtij muaji në rast se ndonjë nga të pandehurit dëshiron të japë deklarime, të cilat duhet të verifikohen më pas. Në rast të kundërt, sipas organit qendror të akuzës, dosja Gërdeci do të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën e Lartë brenda pak ditëve sapo të përfundojë procedura e njoftimit të akuzave për personat që dyshohet se janë implikuar. Në dosjen penale të tragjedisë së Gërdecit, Prokuroria ka administruar më shumë se 200 deklarime personash me dijeni për ngjarjen, ndërsa mbi 250 raporte nga spitale të ndryshme janë sekuestruar për të treguar pasojat e rënda të ngjarjes, ashtu sikurse edhe dokumentet përkatëse për 26 viktimat e pafajshme të ngjarjes.
Të pandehurit e Gërdecit, të gjithë të shkarkuar nga detyra
Përgjegjësia administrative duket se përputhet me përgjegjësinë penale, në rastin e tragjedisë së Gërdecit. Nga të gjithë personat që u morën të pandehur, qofshin ata ish-zyrtarë të administratës civile të Ministrisë së Mbrojtjes apo edhe ushtarakë të Shtabit të Përgjithshëm, të gjithë janë shkarkuar nga detyra pas ngjarjes së ndodhur në Gërdec, më 15 mars 2008. Ish-ministri Mediu dha dorëheqjen pak ditë pas ngjarjes dhe më vonë, një pjesë e mirë e administratës drejtuese të Ministrisë së Mbrojtjes u larguan. Dy ish-sekretarët e përgjithshëm, ish-drejtori Shkëlzen Madani apo ish-drejtori i Ndërmarrjes MEICO, u shkarkuan dhe më pas u ndëshkuan secili me masa administrative e më vonë edhe me ndëshkime penale. E njëjta që ndodhi edhe me Shtabin e Përgjithshëm, ku ndëshkimet administrative me lirime nga detyra filluan që nga zyrtarët më të lartë, duke prekur edhe Shefin e Shtabit e më pas te komandantët e njësive më të rëndësishme të bërthamës qendrore të ushtrisë shqiptare. Gjithçka duket se ka ardhur si pasojë e abuzimeve dhe shkeljeve të rregullave të sigurisë, në një ambient ku një biznesmen privat si Mihal Delijorgji kishte ngritur një aktivitet fitimprurës me municionet e ushtrisë dhe mbi një ish-repart ushtarak.
Mediu debaton ashpër me prokurorët për Gërdecin
Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu debatoi dje ashpër me proku-rorët e dosjes "Gërdeci", të cilët i komunikuan akuzën "shpërdorim detyre" në bashkëpunim, duke lejuar tragjedinë e 15 marsit 2008 me veprimet dhe mosveprimet e tij. Ish-kreu i dikasterit të Mbrojtjes, u paraqit në Prokurorinë e Përgjithshme rreth orës 13:12, i shoqëruar nga avokati i tij Ardian Visha ndërsa doli nga zyrat e organit qendror të akuzës në ora 14:05. Burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, thanë se ish-ministrit iu komunikua akuza "shpërdorim detyre" në bashkëpunim, duke nënvizuar se Mediu e ka kryer veprën penale bashkë me disa ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. "I pandehur, akuzohesh për veprën penale shpërdorim detyre, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Keni deklarime për këtë fakt?" Këto kanë qenë fjalët e artikuluara nga prokurori Sokol Stojani, njëkohësisht kryesues i grupit hetimor të dosjes "Gërdeci". Ish-ministri i Mbrojtjes Mediu ka reaguar menjëherë, duke hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë dhe duke konsideruar të parregullt akuzën e ngritur ndaj tij. Prokurorët kanë ruajtur gjakftohtësinë, ndërsa në debat ka ndërhyrë edhe avokati i Mediut. Nga burimet e hetimit mësohet se ish-ministri dhe avokati i tij kanë pretenduar se prokuroria e mbajti kaq kohë të hapur dosjen, ndërkohë që në akuzën e formuluar nuk ka asgjë të re nga prilli i vitit 2008, kur organi i akuzës kërkoi autorizim nga Parlamenti për të hetuar deputetin Mediu. Debati ka vazhduar për rreth një orë dhe më pas fjala e fundit e prokurorëve ka qenë se të gjitha pretendimet e palëve do të vlerësohen së shpejti në gjykatë pas dorëzimit të dosjes "Gërdeci", në pjesën që bën fjalë për tragjedinë e 15 marsit 2008. Të gjithë ish-zyrtarët që u thirren dje në Prokurorinë e Përgjithshme, ashtu sikurse ushtarakët, kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave të ngritura. Megjithatë në deklarimet e dhëna nga ish-krerët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe nga ushtarakët, është vënë re një ndarje dhe një tentativë për t'ia hedhur përgjegjësinë palës tjetër.
10 të tjerë nën akuzë
Edhe dhjetë ish-zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm u paraqitën dje në Prokurorinë e Përgjithshme në cilësinë e të pandehurve. Grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit, i përbërë nga pesë prokurorë dhe 20 oficerë gjyqësorë, u ka njoftuar akuzën të pandehurve ku përfshihen ish-zyrtarë të lartë të Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Që në orët e mëngjesit, në prokurori është paraqitur ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, ndërsa më pas kanë vijuar të pandehurit e tjerë. Nga burimet pranë hetimit të çështjes mësohet se ish-shefi i Shtabit të përgjithshëm Gjeneral-lejtnant Luan Hoxha ka kërkuar të japë deklarime, pasi i është njoftuar akuza "shpërdorim detyre". Burimet e hetimit nuk bënë me dije detaje konkrete por thanë se edhe njëherë, ish-shefi i Shtabit ka mohuar përgjegjësinë e strukturave të ushtrisë në ngjarjen e Gërdecit, duke pohuar se Forcat e Armatosura dhe çdo strukturë në varësi të saj, kishte zbatuar ligjin dhe urdhrat e dhëna nga eprorët. Më pas kanë vijuar me paraqitjen në Prokurori, ish-komandanti i Forcës së Bashkuar, gjeneral Shpëtim Spahiu, ish-komandanti i Forcës Mbështetëse, Zija Bahja, dhe me vonë ish-sekretarët e Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Adriatik Mema dhe Ardian Mullai. Sipas burimeve të hetimit, mësohet se të gjithë ish-zyrtarët dhe ushtarakët janë marrë të pandehur për akuzën shpërdorim detyre". Në vend të Shkëlzen Madanit, ish-drejtor i Menaxhimit të Burimeve dhe Instalimit në Ministrinë e Mbrojtjes, është paraqitur avokati i tij Hysni Beti, të cilit i është njoftuar akuza në emër të klientit. Po kështu edhe ish-drejtori i Drejtorisë Logjistike në Shtabin e Përgjithshëm, Dashnor Çaushi, ka dërguar në Prokurori avokatin e tij përfaqësues që është njohur me akuzën.
Zyrtarët e pandehur të "Gërdeci"
1. Luan Hoxha, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm
2. Agim Lala, ish-zv.shef i Shtabit të përgjithshëm
3. Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes
4. Ardian Mullai, ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë
5. Shkëlzen Madani, ish-drejtor Ekonomik i dhe Menaxhimit në Ministrinë e Mbrojtjes
6. Gjeneral Shpëtim Spahiu, komandant i Forcës së Bashkuar
7. Gjeneral Zija Bahja, ish-komandat i Forcës Mbështetëse
8. Dashnor Çaushi, ish-drejtor i Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm
9. Adriatik Mema, ish-sekretar i Përgjithshëm
10. Armand Tartari, ish-drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Buxhetit
11. Ndue Marku, ish-drejtor i Drejtorisë Juridike
Panorama