E enjte, 24.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Dy subjekte rrezikojnë për t’ia dëmtuar performansën PDK’së: AAK’ja kërkon me çdo kusht shtyrjen e zgjedhjeve në mungesë të Haradinajt, ndërsa VETËVENDOSJA e Albin Kurtit akoma nuk është strukturuar si subjekt politik dhe do t’i duhet të kapërcejë vështirësi të shumta formatimi.
Sa afėr zgjedhjeve tė parakohshme?






Gëzim Podgorica

Dorëheqja e pritshme dhe e vonuar e Fatmir Sejdiut, krejt ndryshe nga deklarimet e lidershipit politik të Kosovës, nuk mund të kalojë lehtë. Të gjitha palët, në mazhorancë dhe opozitë, në këtë moment po bëjnë kalkulimet e tyre për të hapur një betejë elektorale, e cila ngjan e ngrirë, por mund të shkrijë shumë shpejt. E para që mund t’i provokojë publikisht ato është LDK’ja, ndërsa në pritë qëndron edhe partia e Kryeministrit Thaçi, së cilës nuk i dalin shumë llogaritë të zgjedhë për një mandat pesëvjeçar një president të ri nga radhët e LDK’së e të vijojë marrëveshjen politike qeverisëse.

Momenti që po kalon Kosova në prag të bisedimeve me Serbinë, të një ritmi të ulët të njohjeve, krejt ndryshe nga çfarë ishte paralajmëruar pas vendimit të GJND’së dhe Rezolutës së OKB’së, të një situate të brendshme të pastabilizuar dhe të disa llogarive të tjera që po bën në këtë çast komuniteti ndërkombëtar - nuk e favorizojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Përkundrazi, ato do e rëndonin edhe më shumë situatën. Zgjedhjet e rregullta normalisht që priten të mbahen në nëntorin e ardhshëm dhe një vit nuk është aspak larg. Por, ky vit nuk është si të tjerët dhe skena politike ngjan me mjaft probleme. Llogaritë politike ngatërrohen pothuajse për të gjitha partitë dhe këtë lëmsh pritet ta zgjidhë ose LDK’ja, ose vetë Kryeministri Thaçi, të cilit kombinacione të tjera politike jashtë LDK’së ia lehtësojnë tejkalimin e situatës, por ia vështirësojnë të ardhmen.

Sejdiu dhe Thaçi ishin të mirakorduar deri para dy ditësh në të gjithë hapat e tyre politikë dhe me gjithë kostot e brendshme ata vijonin të qetë funksionalitetin, duke i shërbyer pa zhurmë edhe së ardhmes përmes ruajtjes së konjunkturës. Mirëpo, një vendim i vonuar i Gjykatës Kushtetuese, me një shumicë që ka lënë me një frymëmarrje pezull Sejdiun, duket se i ka turbulluar keqas ujërat. Ky vendim i tejkaluar në kohë ka gjasa që nga mirëpritja publike të kthehet në një burim tensioni brenda dy aleatëve që kanë qeverisur në dukje shumë qetësisht. Tash as Sejdiu nuk e fal këtë “ndëshkim” institucional, as brenda radhëve të LDK’së nuk ka një unitet për të vijuar koalicionin. Aq më shumë që kjo parti është zënë në befasi me emrin e ri që duhet të propozojë për kandidat për President, i cili pasi të ketë marrë konsensusin e gjerë të drejtuesve të saj, duhet të gjejë në humor edhe Thaçin. Janë shumë probleme për t’u zgjidhur në këtë moment për LDK’në, e cila në mes vetes ka edhe garën për kreun e partisë. Trokitja pas dere e kësaj gare kondicionoi edhe vendimin e Sejdiut, i cili nuk kishte shumë kohë për t’u menduar. Por, as shumë mundësi dhe hapësira për të ushtruar forcën që kishte deri tani. Kësisoj Sejdiu, për hir të postit të Kryetarit të Partisë, për të cilën bëri edhe sakrificën presidenciale, do t’i hapë rrugë presionit të brendshëm që kërkon daljen nga koalicioni. Gjithnjë duke verifikuar balancat, por edhe duke i shtuar kësaj edhe atë lojë që u luajt pas kurrizit të tij. Këtu do futen në lojë edhe lobet e disa ministrave aktualë të kësaj force politike që janë deklaruar hapur kundër prishjes së koalicionit.

Nga ana e vet, PDK’ja nuk e merr iniciativën, por llogaritë e saj janë më shumë të favorizuara se të cilitdo subjekt politik në Kosovë. Meqenëse mandati i Presidentit është pesëvjeçar, ajo do të kërkojë normalisht garanci të tjera ndaj LDK’së për të vijuar koalicionin, përndryshe partia e Kryeministrit Thaçi rrezikon shumë. Ka shumë pak gjasa që këto garanci të jepen, pasi e para - ka mbaruar prej kohësh muaji i mjaltit për këto dy subjekte, dhe e dyta - Sejdiu nuk ka autoritetin vendimmarrës dhe imponues si deri tani.

Po kështu, momenti i hyrjes në bisedime me Serbinë pa një partner kredibël komprometon rëndë partinë që mbështetet tek hipoteka e luftës së UÇK’së. Këtë llogari ajo do ta bëjë me shumë kujdes dhe asi nën mëngë i saj për zgjedhjet, pavarësisht se nuk do të thuhet, mund të jetë edhe ky. Bisedimet me aktorë të tjerë nuk garantojnë siguri për të ardhmen, kështu që PDK’ja do luajë në distancë, por duke i nxitur zgjedhjet e parakohshme. Ajo ka formacionin politik më të stabilizuar, kontrollon shumicën e komunave në vend, ka kryesimin e Qeverisë dhe i realizon zgjedhjet, dhe mbi të gjitha, kundërshtarët politikë të saj janë të mbërthyer në një varg problemesh të brendshme strukturore por edhe mirëkuptimi. Kostoja e kësaj situate të tyre të brendshme do rëndojë mbi rezultatin e pritshëm, ashtu siç pret të jetë i favorizuar Thaçi, partia e të cilit i tejkalon kujdesshëm situatat e kësaj natyre dhe ruan unitetin.

Dy subjekte rrezikojnë për t’ia dëmtuar performansën PDK’së: AAK’ja kërkon me çdo kusht shtyrjen e zgjedhjeve në mungesë të Haradinajt, ndërsa VETËVENDOSJA e Albin Kurtit akoma nuk është strukturuar si subjekt politik dhe do t’i duhet të kapërcejë vështirësi të shumta formatimi. Mbështetja ndaj këtyre dy subjekteve ka ardhur në rritje dhe realisht kërcënimet që vijnë nga AAK’ja dhe VETËVENDOSJA janë marrë në konsideratë nga PDK’ja në llogarinë e vet elektorale. Befasia e këtij çasti i shërben PDK’së dhe ngushton skajshmërisht hapësirat për dy subjektet që kanë ushqyer një shpresë ndryshimi. Në këto kushte, pa artikuluar, por me kufizimet që vijnë nga numrat, Thaçi do t’i drejtohet zgjedhjeve të parakohshme, të cilat kësaj radhe mund t’i menaxhojë edhe më shumë në favor të tij.

Publikuar: 02.10.2010 | 08:40
Lexuar: 303 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime