Vërshimi drejt galerive të Bulqizës të kujton rrëfimet e famshme në kërkim "të arit". Çdo galeri ruhet me bandën e saj të armatosur, pjesëtarë të së cilës mund të jenë edhe minorenë.
Fantazmat kanë gjetur qytetin e ëndrrave. Bulqiza është vendi ku ato mund të jetojnë mbi tokë dhe nën tokë; në të dyja për të fituar. Firma fantazëm po gërmojnë malin e qytetit, duke marrë mineralin e kromit, të cilin e nisin drejt... Ku? Drejt vendeve që nuk dihen, por ajo që njihet mirë sot është çmimi sipas cilësisë: 500-900 dollarë për ton. Kamionët gjigandë ngarkohen për çdo ditë dhe vetëm një i tillë kushton rreth 22 mijë dollarë. Kjo shumë ka shtyrë në lakmi mjaft njerëz, të rinj e të reja, si në ekspedita-gjueti thesaresh
"Eldorado" e kohëve moderne
Vërshimi drejt galerive të Bulqizës të kujton rrëfimet e famshme në kërkim të arit. Sot, ky qytet konsiderohet si "Eldorado" i kohëve moderne, por edhe si fabrikë vdekjeje. Duket më keq se lufta... Brenda 16 muajsh, tunelet kanë përpirë 13 minatorë, ndërsa nga trupat paqeruajtëse që ka dërguar Shqipëria me mision në Afganistan apo vende të tjera, janë të gjithë gjallë. Minatorët punojnë nën tokë, ndërsa gratë dhe fëmijët e tyre, mbi tokë. Mbledhin copa kromi, mbushin thasë, ngarkojnë kamionë. Shpesh malli u shiten në rrugë e sipër, pa mbërritur deri në destinacion, kryesisht në Durrës.
Të gjithë të uritur për krom. Bulqiza është pushtuar. Çdo galeri ruhet me bandën e saj të armatosur, pjesëtarë të së cilës mund të jenë edhe minorenë me kapele të puthitur fort në kokë. Asnjë nuk mund të afrohet aty, deri as dhe shteti. Inxhinierët, të vënë në dispozicion të kërkues-kromit, tregojnë gjeografinë e galerive me damarë kromi kundrejt pagesës së një shërbimit të tillë.
Në pritje të plotësimit të dokumentacionit, puna në galeritë vazhdon me kërkimin për thesarin. Pak rëndësi kanë për këta njerëz kushtet e jetesës, megjithë këshillat e vazhdueshme të minatorëve të vjetër. Bulqiza duket si një qytet, ku fantazmat lëvizin lirshëm për të marrë çfarë ka mbetur në vendin më të errët në Shqipëri.
Në qytet mund të plasë lufta
Një fëmijë 11 vjeç, kalon mes për mes qytetit me thes në krah. E ka mbushur me krom aty pranë galerive. Ai nxiton ta shesë e të kthehet sërish për të mbledhur. "Eshtë rritur çmimi, këtu i madh i vogël po merret me ketë punë. Të shumtë janë ata që punojnë jashtë kushteve dhe pa dokumenta. Kjo nuk u intereson aspak përballë varfërisë që ka kapur këtë qytet", tregon një punonjës i bashkisë së Bulqizës. Për këtë dhe kolegët e tij, Bulqiza nuk është kthyer në mënyrë fitimi vetëm për vendalinjtë, por edhe për ata që kanë shanset me të madha për nxjerrjen e lejes së shfrytëzimit.

"Thuhet se shumë galeri janë të politikanëve dhe deputetëve, ata ua kanë lënë të tjerëve për ti shfrytëzuar", thotë bashkiaku. Ndërkohë, nga ana tjetër, ai është në dijeni të mënyrës se si po ruhen galeritë, por nuk i intereson të flasë. Një tjetër punonjës në administratën e Bulqizës mendon se shumë shpejt situata do të dalë jashtë kontrollit. "Nëse galeritë nuk ruhen me armë, atëherë gjithkush do t"ia mësynte brenda tyre, pa pyetur se kush i ka në shfrytëzim dhe pa pyetur aspak për rrezikun që u kanoset për shkak të mungesës së kushteve", thotë ky zyrtar lokal.
Të shumtë janë ata që mendojnë se kromi në Bulqizë, siç po afron të ardhura të shpejta do të ofrojë dhe mungesë rendi dhe rritje të kriminalitetit. Tani për tani, policia nuk është përfshirë egër në pengimin e iniciativave të qytetarëve. Madje, shumë nga uniformat blu një pjesë të ardhurave po mundohen t"i fitojnë në këtë formë.
"Në Bulqizë ka mbi 13 milionë ton krom, ka ende në mënyrë të sigurt edhe 6 milionë ton të tjera. Nga studimet e bëra deri tani, duhet të ketë punë deri në vitin 2100. Pasuria është rreth 120 që duhej t'i menaxhonte pushteti lokal, bashkia, duke përmirësuar sistemin urban dhe social të qytetit, dhe as që do të kishte nevojë të merrej me "thërrime" ndihmash sociale për njerëzit nevojtarë të këtij vendi", thotë një inxhinier i vjetër i Bulqizës, i cili edhe pse është vetë i punësuar në minierë, nuk nguron të tregojë se qyteti i thesarit po grabitet.