E enjte, 24.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Lufta kundër krimit dhe korrupsionit në shëndetësi është e patjetërsueshme në të gjitha segmentet e shoqërisë, përfshirë edhe shëndetësinë, sepse këto dukuri janë ‘krimba’ që e brejnë sistemin dhe e rrënojnë besimin ndaj institucioneve, që kur flasim për shëndetësinë, është edhe më i rëndësishëm, madje nëse nuk ekziston ky besim, kjo mund të shfaqet edhe në cilësinë e përgjithshme të shërbimeve shëndetësore”, ka thënë për “Koha e Re”, Bujar Osmani.
Bujar Osmani: Do ta ē‘rrėnjos korrupsionin nė shėndetėsi




Intervistoi: Bekim MURATI

Numri një i shëndetësisë Bujar Osmani në intervistën dhënë për “Koha e Re” ka thënë se përqindja e shqiptarëve në këtë dikaster prej se është në krye të detyrës është ngritur në 37 për qind, në raport me numrin e përgjithshëm të të punësuarve. Ai thotë se në periudhën vijuese synohet të rritet edhe më numri i drejtorëve mjekë edhe nëpër spitalet dhe klinikat e tjera të vendit. Sipas tij, gjendja e tanishme e spitaleve nëpër gjithë vendin është rezultat i problemeve që nuk janë zgjidhur në të kaluarën, të cilat meqë ishin lënë pas dore, ishin mbledhur dhe stërngarkuar. Për të është pak e rëndësishme nëse në të ardhmen, (ndonjë rikonstruktim eventual në BDI) të mbetet ministër i Shëndetësisë ose vetëm kirurg... Ai shton se kjo qeveri e sheh si një investim të sigurt investimin në shëndetësi, sepse vetëm kështu mund të garantojmë një ardhmëri të shëndetshme në vend sipas standardeve të BE-së. Derdhja e kuadrit profesional shqiptar në shëndetësi është një proces i hapur, i cili në thelb është pozitiv dhe e rrit konkurrencën. Osmani thotë se është vendosur në korniza bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës me nënshkrimin e disa marrëveshjeve.

Koha e Re: Sa jeni të kënaqur me përfaqësimin e shqiptarëve në Ministrinë e Shëndetësisë. A është ai numër në pajtueshmëri me Marrëveshjen e Ohrit. Mund të flitni këtu për shifra konkrete?

Osmani: Përfaqësimi i shqiptarëve në sistemin shëndetësor të Republikës së Maqedonisë është proces në të cilin ne jemi të përkushtuar në vazhdimësi dhe është njëri ndër prioritetet tona më të larta, sepse nevoja për kuadër adekuat në të gjithë nivelet e shëndetësisë tashmë është evidente. Përkushtimin tonë për këtë çështje e ilustron më së miri fakti se përqindja e shqiptarëve në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë dy viteve të kaluara, prej se jam në krye të këtij dikasteri, është ngritur në 37 për qind, në raport me numrin e përgjithshëm të të punësuarve. Përcaktimi jonë është që ky proces të vazhdojë edhe më tej përmes punësimit të kuadrove të reja shqiptare, të diplomuar në klinikat universitare në Shkup dhe në Tetovë, si dhe përmes punësimit të personelit mjekësor dhe jo mjekësor në spitale dhe në shtëpitë e shëndetit në të gjitha vendbanimet shqiptare.

Koha e Re: Sa jeni të kënaqur me përfaqësimin e drejtorëve shqiptarë në spitalet e vendit?

Osmani: Kur erdha në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, gjeta një gjendje jo fort të volitshme për nga numri i pozitave udhëheqëse të shqiptarëve në shëndetësi. Njëra nga detyrat e mia parësore ishte edhe përmirësimi i kësaj padrejtësie, gjithnjë duke qenë i bindur se ekzistojnë edhe profesionistë shqiptarë që mund t’i udhëheqin me sukses institucionet shëndetësore. Prandaj u emëruan drejtorë shqiptarë në krye të Klinikës së Ortopedisë, Klinikës së Stomatologjisë dhe Qendrës Urgjente, si dhe në krye të njërit nga institucionet jashtëzakonisht të rëndësishme siç është Instituti i Shëndetit Publik, i cili udhëheq me një numër të madh të laboratorëve nëpër gjithë vendin. Po ashtu nëpër shumë klinika, veçmas në Shkup, u emërua edhe një numër i madh i drejtorëve ekonomistë. Në periudhën që vijon ne synojmë që të rritet edhe më numri i drejtorëve mjekë edhe nëpër spitalet dhe klinikat e tjera të vendit.

Koha e Re: Qeveria përmes MSH-së ka shpallur konkurs për punësimin e 10 mjekëve. Do të nevojiten ende kuadro dhe a ka të interesuar shqiptarë?

Osmani: Shëndetësia ka gjithnjë nevojë për më shumë mjekë se që ka mundësi të pranojë. Megjithatë ne jemi vetëm një sektor i Qeverisë dhe punësimi i kuadrove të reja është i kufizuar. Kësaj radhe do të punësohen këto kuadro, por punësimet nuk përfundojnë këtu. Ato do të vazhdojnë edhe më tej me konkurse të reja. Natyrisht, unë si ministër jam i interesuar që edhe shqiptarët të jenë të përfaqësuar në këto punësime. Madje, ne synojmë që gjatë këtij mandati të mos mbetet mjek shqiptar që do të jetë i papunë.

INVESTIMET NË MJEDISET SHQIPTARE

Koha e Re: Ky resor edhe në periudhën e kaluar është udhëhequr nga kuadër shqiptar. Mund të na bëni një krahasim nga aspekti juaj me paraardhësit?

Osmani: Konsideroj se nuk është modeste që të bëhen krahasime mes njerëzve, sepse fundja secili njeri është identitet më vete. Duhet të theksoj se nuk është e imja që ta vë re dallimin mes ministrave të kaluar dhe kohës sa jam unë ministër. Se cili ministër i Shëndetësisë ka qenë i suksesshëm, përveç që determinohet nga kushtet dhe hapësira, kjo mbetet të përcaktohet nga fakti se kur janë më të kënaqur pacientët dhe personeli mjekësor, si dhe nga votuesit, që në zgjedhje, në bazë të krejt projekteve të realizuara, e japin votën e tyre për atë që mendojnë se ka qenë më meritor.

Koha e Re: Sa jeni të kënaqur me punën e deritanishme. Mund ta numëroni sukseset e juaja në kontest të vendeve të populluara me shqiptarë?

Osmani: Ajo që është më e rëndësishme, që ne arritëm ta bëjmë është furnizimi me pajisje që do ta përmirësojnë dukshëm shërbimin shëndetësor jo vetëm në Shkup, ku deri tash vinin shumica e pacientëve, por edhe në qytetet e tjera brenda vendit. Në këtë mënyrë edhe qytetarët e atyre qyteteve dhe vendbanimeve do të kenë mundësi për trajtim bashkëkohor dhe diagnostifikim modern, që nuk ishte e mundur të bëhet gjatë periudhës së kaluar, kur ata edhe për një punë shumë të vogël dërgoheshin në Shkup, me çka harxhohej edhe kohë më shumë, por edhe kushtonte më shumë.
Nga investimet më të rëndësishme në dy vitet e fundit do ta përmendja ndërtimin e qendrës së re moderne diagnostiko-urgjente në përbërje të Spitalit Klinik të Tetovës. Ne presim që ky objekt ultramodern të jetë gati deri në fund të këtij viti, me çka qytetarët e Tetovës, por edhe gjithë Maqedonia veri-perëndimore për herë të parë do të kenë mundësi për dignostifikim dhe trajtim më bashkëkohor të një numri të madh të sëmundjeve, për të cilat deri tash bëhej në Shkup. Po ashtu kur bëhet fjalë për ndërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve, duhet të theksohet se pas 10 viteve ndërprerje dhe lënie krejt pas dore, më në fund filluam me rikonstruksionin e plotë të Gjinekologjisë në Çair, që paraqet njërin ndër maternitetet më të mëdha në vend, me mbi 3.000 lindje në vit. Për këtë do të investojmë më shumë se 2 milionë euro, ndërsa për më së shumti një vit, gratë shqiptare do të kenë mundësi kushte për lindje më bashkëkohore jo vetëm në vendin tonë, por edhe më gjerë. Po ashtu një pjesë e pajisjes bashkëkohore, furnizimi i së cilës është në vijim e sipër, është e dedikuar për qytetet me popullatë shumicë shqiptare. Kështu, spitali i Gostivarit për herë të pare në historinë tij do të ketë një skaner të ri, pastaj do të ketë mamograf për diagnostifikimin e hershëm dhe preciz të kancerit në gji, do të ketë aparat për kardioultrazë të klasës së lartë, pajisje të re për sallë kirurgjike, aparat për anestezion, makinë për frymëmarrje dhe makinë për frymëmarrja për repartin e pediatrisë, EKG 12-kanalëshe, kardiotograf-CTG, instrumente kirurgjike, instrumente endoskopike, sterilizim, llamba për operacione, elektrokalterë, kabinete gastroskopike, karrige kirurgjike dhe aparate të tjera të klasës më të lartë. Mbi 19 tipa të aparateve do të arrijnë edhe në spitalin e Tetovës. Në pajtim me nevojat e këtij spitali klinik, për të është siguruar modeli më i ri i skanerit CT, është siguruar aparat për përcaktimin dendurisë së eshtrave, mamograf, ultrazë 4d për gjinekologji, kardioultra zë i klasës së lartë, aparat për anestezion dhe stacion qendror për monitorim, makinë për frymëmarrje, makinë pediatrie për frymëmarrje, inkubatorë të klasës së lartë me monitor, instrumente kirurgjike, instrumente edoskopike, sterilizim, llamba për operacione, elektrokalterë, kabinete gastroskopike, karrige kirurgjike etj. Pajisje të ngjashme të cilësisë së lartë do të përfitojnë edhe spitalet e Kumanovës, Kërçovës, Dibrës dhe Strugës, ndërsa do të pajiset edhe Enti i Nefrologjisë në Strugë. Të përfundoj, bëhet fjalë për investime të mëdha të cilat llogariten në dhjetëra miliona euro dhe të cilat deri tash nuk janë bërë nëpër këto spitale, me çka jam i sigurt se kështu do të përmirësohen kushtet dhe cilësia e shërbimeve shëndetësore dhe përkujdesja ndaj pacientëve dhe qytetarëve të rajoneve veri-perëndimore dhe perëndimore të vendit.

Koha e Re: Si zhvillohen reformat në sferën e shëndetësisë dhe kur mund të presim shëndetësi sipas standardeve të BE-së?

Osmani: Qysh nga momenti i parë kur erdha në krye të Ministrisë së Shëndetësisë isha i befasuar nga një gjendje, për mua, jashtëzakonisht e palogjikshme -edhe pas disa viteve me plot rrëfime për reforma në shëndetësi, në esencë nuk ishte bërë thuaja asgjë. Kjo gjendje e aktrimit të reformave dhe vendosja e problemeve “nën jastëk”, kishte krijuar vetëm të pritura nga qytetarët dhe personeli mjekësor, ndërsa në realitet nuk shiheshin kurrfarë rezultatesh. Me këtë ngarkesë të reformave të parealizuara, mua dhe kësaj përbërje qeveritare nuk na mbetej asgjë, pos që t’i përvisheshim punës për t’i bërë ndryshimet kapitale të sistemit shëndetësor, të cilat ishin të patjetërsueshme që të mund të flasim njëmend për shëndetësi që do të jetë e aftë që t’i përmbushë detyrat e saj, përkatësisht që qytetarëve t’u ofrojë mbrojtje të nevojshme shëndetësore. Duke u nisur nga kjo nevojë, ne filluam me realizimin e një cikli shumë të ndërlikuar, por gjithëpërfshirës, të investimeve në shëndetësi, me çka formalisht do të shënohet fillimi i një epoke të re në sistemin e shëndetësisë së Maqedonisë, e cila do të ofrojë cilësi, efikasitet, metoda dhe trajtime më bashkëkohore, të gjitha sipas përvojave dhe praktikave më bashkëkohore në botë. Për këtë qëllim ne lidhëm marrëveshje për furnizim me pajisje më bashkëkohore, të vlefshme mbi 68 milionë euro, ardhja e së cilës është në vijim e sipër, ndërsa filluam edhe me rikonstruksionin, rindërtimin dhe ndërtimin e plotë të mbi 40 spitaleve dhe shtëpive të shëndetit në botë. Paralelisht me këtë rrjedh edhe procesi i kompjuterizimit të plotë të shëndetësisë dhe inkuadrimit të kartelës elektronike shëndetësore. Një segment tjetër tejet i rëndësishëm i reformave esenciale, që mbase ishte më i vështiri, ishin masat që duhet të sigurojnë qëndrueshmëri afatgjate financiare të sistemit shëndetësor përmes përcaktimit të një pakoje themelore të shërbimeve, e cila do ta mbulojë sigurimin shëndetësor dhe do të krijojë burime plotësuese të financimit në shëndetësi, për çka do të na duhet debat dhe konsensus më i gjerë. Po ashtu të rëndësishme janë edhe ndryshimet thelbësore të kornizës ligjore e cila e përkufizon sistemin shëndetësor. Në këtë drejtim hartuam propozim-ligje të reja në fushën e shëndetësisë, siç janë Ligji i sigurimit shëndetësor dhe Ligji i mbrojtjes shëndetësore, si dhe propozim-ligji i ri për transplantim, ndërsa për herë të parë në vendin tonë kemi filluar edhe me procesin e akreditimit të spitaleve, me çka presim që të vendosen standarde më të larta për cilësinë e shërbimeve shëndetësore. Kjo qeveri e sheh si një investim të sigurt investimin në shëndetësi, sepse vetëm kështu mund të garantojmë një ardhmëri të shëndetshme në vend. Vetëm me popullatë të shëndoshë mund të ecim drejt një ardhmërie të shëndoshë të gjithë vendit tonë. Për këtë, do të pajtoheni edhe ju, ia vlen të investohet.

“LUFT˔ KORRUPCIONIT

Koha e Re: Ministria e Shëndetësisë ka filluar me projektin për rikonstruktim të spitaleve veç më disa muaj. Me këtë vallë do të përmirësohet gjendja nëpër spitale?


Osmani: Pas një periudhe të gjatë të lënies pas dore, madje unë do të thosha mos investim i plotë në shëndetësi, ne filluam me realizimin e rikonstruksionit, rindërtimit dhe ndërtimit të plotë të spitaleve dhe shtëpive të shëndetit në vend, me çka synojmë vërtet t’i përmirësojmë kushtet e pacientëve dhe punën e personelit mjekësor, por edhe ngritje të një imazhi krejt tjetër për këto institucione.
Ky edhe është dallimi ndërmjet kësaj përbërjeje të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në anën tjetër, mënyrës së veprimit, përkatësisht të mosveprimit, gjatë viteve e dekadave të kaluara. Për dallim prej kohës sonë kur për sfidat në shëndetësi heshtej në vend se të gjendeshin zgjidhje, ne i përveshëm mëngët për zgjidhjen e tyre, sado e vështirë të kishte qenë kjo. Nevojën për rikonstruksionin e spitaleve, si dhe të objekteve shëndetësore, Ministria e Shëndetësisë e përcaktoi si përparësi qysh para më shumë se një viti, pikërisht për shkak të përgatitjes për këtë proces.

Koha e Re: Si është situata nëpër spitale të qyteteve ku ka shumicë shqiptare. Cilat janë problemet me të cilat ata ballafaqohen?

Osmani: Gjendja e tanishme e spitaleve nëpër gjithë vendin është rezultat i problemeve që nuk janë zgjidhur në të kaluarën, të cilat meqë ishin lënë pas dore, ishin mbledhur dhe stërngarkuar. Problemet më të shpeshta me të cilat ballafaqohen spitalet janë problemet financiare, mungesa e kuadrit, veçanërisht e kuadrit me përgatitje të lartë profesionale, pajisja mjekësore e vjetruar dhe kushtet joadekuate hapësinore. Me këso sfida ballafaqohen edhe spitalet dhe institucionet shëndetësore në mjediset ku jetojnë shqiptarët. Do të duhet të kalojë një kohë më e gjatë që në këtë drejtim të shohim rezultate, por ne jemi të vendosur që patjetër të gjejmë zgjidhje efikase dhe cilësore për këto probleme, duke filluar që nga rikonstruksioni dhe ndërtimi i spitaleve, e deri te pajisja e tyre adekuate dhe punësimet e reja. Tashmë jeni dëshmitarë se, fjala bie, në Tetovë, po ndërtohet qendra më bashkëkohore diagnostifikuese urgjente e cila do të jetë gati së shpejti, ndërsa në Shkup, pas një anashkalimi 10-vjeçar, filluam me rikonstruksionin e plotë të spitalit të gjinekologjisë në Çair, i cili është njëri ndër maternitetet më të mëdha në vendin tonë. Po ashtu kemi filluar me rikonstruksione të këtilla edhe në spitalet e Gostivarit dhe Dibrës, ndërsa në fazën e dytë do të përfshihen edhe Kumanova e Struga.

Koha e Re: Si zhvillohet lufta kundër krimit të organizuar në shëndetësi?

Osmani: Lufta kundër krimit dhe korrupsionit në shëndetësi është e patjetërsueshme në të gjitha segmentet e shoqërisë, përfshirë edhe shëndetësinë, sepse këto dukuri janë “krimba” që e brejnë sistemin dhe e rrënojnë besimin ndaj institucioneve, që kur flasim për shëndetësinë, është edhe më i rëndësishëm, madje nëse nuk ekziston ky besim, kjo mund të shfaqet edhe në cilësinë e përgjithshme të shërbimeve shëndetësore. Në këtë drejtim i mbështesë të gjitha aksionet e organeve kompetente për zbulimin dhe pastrimin e dukurive negative të korruptimit në shëndetësi. Unë jam i bindur se të gjithë personat përgjegjës për këso dukuri negative devijuese, të cilët e dëmtojnë imazhin e gjithë sistemit dhe ndikojnë në besimin e qytetarëve, do të sanksionohen në bazë të procedurave ligjore. Njëherazi dëshiroj të theksoj se sjellja e këtyre individëve nuk duhet të jetë pasqyrë e gjithë sistemit. Shumica dërrmuese e punonjësve shëndetësorë janë të ndershëm, të ndërgjegjshëm dhe me profesionalizëm maksimal çdo ditë përpiqen t’u ofrojnë qytetarëve shërbime shëndetësore. Prandaj, atyre duhet t’u shfaqet mirënjohja jonë më e thellë.

GATISHMËRIA PËR T’U PËRGJIGJUR NDAJ KE-SË

Koha e Re: Kohët e fundit ashiqare është kriza kadrovike nëpër institucione shqiptare. Sa kanë kapacitet që institucionet shtetërore t’i mbajnë mjekët?


Osmani: Derdhja e kuadrit profesional në shëndetësi është një proces i hapur, i cili në thelb është pozitiv, sepse e rrit konkurrencën. Edhe përkundër faktit se kohëve të fundit ky proces po fiton vlerësime apokaliptike, përkatësisht se me shpërndarjen e kuadrit do të bie shëndetësia publike, dëshiroj të theksoj se shëndetësia publike assesi nuk do të dëmtohet, sepse ky është një proces i ndërsjellë. Në fakt për derdhjen e kuadrit nga shëndetësia publike në atë private duhet të thuhet se kuadri profesional nga shëndetësia private vjen në shëndetësinë publikë. Këso rasti kemi me anesteziologë, por edhe më kuadër tjetër. Ministria e Shëndetësisë edhe më tej do të punojë në drejtim të sigurimit të kushteve më të mira për zhvillimin e shëndetësisë në një atmosferë konkurruese. Njëherazi dëshiroj të theksoj se ky proces nuk paraqet rrezik për shëndetësinë publike, madje nuk paraqet as pakësim të kuadrit profesional. Shëndetësia publike edhe më tej mbetet vendi i vetëm ku edukohen dhe arsimohen mjekët e ardhshëm, të cilat pasi ta marrin shkollimin e duhur në shëndetësinë publike, bëhet konkurrues dhe mund të vendosin a do të vazhdojnë të punojnë këtu ose në sektorin privat.

Koha e Re: Ekip nga Këshilli i Evropës në Shkup përgatit edhe raport për spitalet e psikijatrisë. Çfarë pritni nga ky raport duke marrë parasysh gjendjen nëpër spitalet e psikijatrisë?

Osmani: Ministria e Shëndetësisë është në kontakt të vazhdueshëm dhe kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm me këtë mision. Shërbimet e Ministrisë së Shëndetësisë gjithnjë u përgjigjen kërkesave të tyre duke u ofruar gjithçka që kërkohet prej nesh, qoftë dokumentacion ose ndonjë e dhënë tjetër. Në këtë moment, derisa po punohet, nuk do të doja të komentoj për rezultatet eventuale. Është korrekte të presim të përfundojë misioni dhe ta shohim raportin e tyre.

Koha e Re: Pas mini-rikonstruktimit që u bë nga ana e VMRO-së (shkarkimi i 2 mjekëve në Byronë për barëra), shumë flitet edhe për një rikonstruktim të mundshëm në BDI. Sa ministri Osmani e ka të sigurt që të vazhdojë me postin që ka?

Osmani: Kujtoj se nuk është pyetje për mua. Kjo është pyetje për organet e partisë. E imja është ta bëjë detyrën time, të vazhdojnë projektet, shëndetësia të avancohet, ta reformojmë shëndetësinë, të kemi pacientë dhe personel të kënaqur, ndërsa a do të jem unë ministër i Shëndetësisë ose vetëm kirurg, kjo është pak e rëndësishme. Me rëndësi është që aty ku gjendemi, ta japim kontributin tonë maksimal, të jemi të përkushtuar në punë dhe të mos dorëzohemi para sfidave.

Koha e Re: Si është bashkëpunimi me Kosovën në këtë sferë dhe mund të bisedohet për përparimin e këtyre relacioneve midis dy shteteve?

Osmani: Sivjet, më 5 korrik në Prishtinë, me kolegun tim Bujar Bukoshi e nënshkruam marrëveshjen për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Ministria e Shëndetësisë vendosi kornizë të bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë dhe, në përgjithësi, të mjekësisë. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, në vijim e sipër është përgatitja e Planit aksionar, në të cilin do të përkufizohen përparësitë gjatë një viti, e pastaj do të formohen edhe grupe pune që do t’i realizojnë këto përparësi. Kjo marrëveshje dhe ky plan aksionar e përcaktojnë bashkëpunimin që do të zhvillohet në disa fusha, si: reformimi i sistemit të mbrojtjes shëndetësore dhe i sistemit të sigurimit shëndetësor, shërbimet shëndetësore, promovimi i shëndetit dhe parandalimi i sëmundjeve kronike jo infektive, kontrollimi i sigurimit të ushqimit, si dhe kontrollimet e përbashkëta të mallrave dhe faktorëve të mjedisit jetësor, që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e popullatës, kontrollimi epidemiologjik i sëmundjeve infektive parazitare, barnat, shkencat mjekësore dhe zhvillimi i ndihmës së shpejtë mjekësore. Bashkëpunimi në këto fusha nuk i përjashton edhe fushat e tjera me interes të ndërsjellë, siç janë menaxhimi i sistemit shëndetësor dhe gjetja e zgjidhjeve efektive dhe efikase ndaj sfidave të sistemit shëndetësor në të dyja vendet.

Publikuar: 03.10.2010 | 18:21
Lexuar: 813 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime