Një motiv shtesë që e shtyu Ronaldon të vazhdojë edhe për një vit karrierën është Copa Libertadores, një nga trofetë e rrallë që Ronaldo nuk ka arritur të fitojë.
Ish-futbollisti më i mirë në botë, braziliani Ronaldo, ka njoftuar se në fund të vitit të ardhshëm do t'i japë fund karrierës. Ronaldo 34-vjeçar vendimin për pensionim e ka bërë të ditur në një intervistë për "Globo Esporte". Ish-lojtari i Interit, Real Madridit, Barcelonas e Milanit, mendon se është në gjendje të luajë edhe një vit. Ai aktivizohet me skuadrën e elitës së futbollit brazilian Corinthians.
"Plani im është që të luaj deri në dhjetor të vitit 2011 e më pas të mbyll karrierën. Do të përfundoj karrierën këtu në Corinthians", ka thënë Ronaldo.
Ronaldo tri herë është shpallur futbollisti më i mirë i vitit nga FIFA (1996, 1997 dhe 2002). Ai me Corinthiansin ka kontratë deri në dhjetor të vitit 2011 dhe synon t'i përmbahet asaj.
Ronaldo në vitin 2008 iu bashkua Corinthiansit, ndërsa një vit më vonë ndihmoi skuadrën që të fitojë Kupën e Brazilit. Në kampionatin brazilian tregoi formë të lartë duke shënuar 12 gola në 20 ndeshje. Mirëpo, këtë vit një lëndim i muskulit e mbajti atë jashtë fushe për plot pesë muaj.
Ronaldo këtë vit kishte paralajmëruar se do të pensionohet në verë, por ndërkohë ndryshoi mendje.
"Ky vit për mua ishte mjaft i komplikuar. Më duhet që tifozëve të Corinthiansit t'ua kthej besimin dhe dashurinë që ma kanë dhënë. Të luaj futboll edhe për një vit do të jetë e vështirë për trupin tim, por duhet t'ia ofroj këtë tifozëve", ka thënë Ronaldo.
Një motiv shtesë që e shtyu Ronaldon të vazhdojë edhe për një vit karrierën është Copa Libertadores, një nga trofetë e rrallë që Ronaldo nuk ka arritur të fitojë.
"Po, Copa Libertadoresin e kam opsesion", ka thënë Ronaldo.
Corinthians këtë stinor gjendet në pozitën e dytë në elitën e futbollit brazilian dhe kështu pritet të marrë pjesë në edicionin e ardhshëm të Copa Libertadores.