E enjte, 24.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Tre vite të shkuara ai ishte duke i rënë botës rrotull dhe duke xhiruar filma. Sot është i martuar me aktoren Penelope Cruz, ka fituar një “Oskar” dhe vazhdon që të pëlqejë gratë “e forta”, lojën e rekbisë dhe të mos besojë se tashmë është shndërruar në një seks simbol të botës hispanike.
Javier Bardem spanjolli mėi famshėm i Hollivudit






Në korrik, kur Spanja ishte ende duke festuar fitoren e Kupës së Botës, Javier Bardem ndodhej larg, në Bahamas, duke festuar martesën e tij me bashkëshorten po aq të mirënjohur, Penelope Cruz. Fakti që çifti më i famshëm i kinemasë spanjolle zgjodhi një ceremoni martesore të tërhequr, larg syrit kurioz të mediave dhe vetëm me pjesëmarrjen e njerëzve të afërm të familjeve përkatëse, nuk është aspak një fakt i çuditshëm. Madje ata mund të lëvdohen për aftësinë e jashtëzakonshme që treguan me mbajtjen jashtë syrit të mediave të ceremonisë, për të cilën nuk ekziston asnjë foto. Cruz dhe Bardem, të cilët me një deklaratë të përbashkët kanë njoftuar se presin një fëmijë vitin e ardhshëm, adhurohen shumë në vendin e tyre të lindjes dhe shumë shpejt ata po shndërrohen edhe ndër aktorët më të respektuar dhe të famshëm edhe të vetë Hollivudit, me një famë dhe shkëlqim që ka vënë në rrezik edhe atë të çiftit tjetër, Zholi-Pit.

Cruz është nominuar disa herë për çmimin “Oskar”, të cilin e mori vetëm në vitin 2008 me filmin e Vudi Alen, “Kristina në Barcelonë”. Por edhe bashkëshorti i saj, Bardem, gjithashtu ka fituar “Oskar”-in me portretin e një vrasësi psikopat në filmin e vëllezërve Cohen, “No Country for Old Mem”.

A mund t’u shkonin gjërat më mirë se kaq? Po. Goditjen e Kupidit e ka dhënë këtë herë regjisori i famshëm Alen, i cili e bëri sërish çiftin bashkë pas 20 vitesh nga interpretimi i tyre i parë i përbashkët në filmin “Kristina në Barcelonë”. 20 vite të shkuara ata ishin vënë sërish përballë njëri-tjetrit, në një nga sprovat e para kinematografike të të dyve, në filmin “Jamon, Jamon”. Ishte një film fantastik dhe shumë interesant i Bigas Luna, një tjetër regjisor spanjoll me famë, i shquar për trajtimin e temave erotike. Por në këtë rast bëhet fjalë për një komedi romantike dhe plot humor. Në atë film Cruz nxori në pah jo vetëm hiret e mrekullueshme që do ta bënin shumë shpejt një ikonë të kinemasë spanjolle, por edhe karakterin e saj shumë të veçantë dhe rebel. Ishte filmi ku të dy pranojnë se kishin lindur shkëndijat e para të një ndjenje që do të shpërthente vetëm 20 vjet më pas, pasi të dy tashmë ishin bërë aktorë të konsoliduar, të famshëm dhe me një sërë historish dashurie personale mbi supe. Dhe si të mos mjaftonte kjo, Bardem këtë vit fitoi edhe çmimin e aktorit më të mirë në Festivalin e Kanës, për rolin e tij në filmin e një regjisori meksikan, “Beautiful”. Marrëdhënia mes Cruz dhe Bardem është një marrëdhënie intensive 3-vjeçare, por që janë të paktë ata që e kanë ditur dhe kanë pasur hollësi për lidhjen e tyre. Ata kanë mbajtur një profil shumë të ulët, veçanërisht për “hienat” e medias. Vetëm në maj, kur mori çmimin e Kanës, Bardem deklaroi se ishte një çmim të cilin ia kushtonte “gëzimit tim, mikes, shoqes, të dashurës, dashurisë sime Penelope. Të dua kaq shumë”.

Bardem është vetëm 41 vjeç dhe jeta nuk mund të ishte për të më e mirë dhe më e begatë. “Unë jam me të vërtetë një njeri me fat”, thotë Bardem, i cili në fakt është bërë i njohur në ekranin e madh për interpretimin e meshkujve të cilët janë e kundërta e tij në jetë, pra meshkujve me një shpirt të torturuar dhe të shqetësuar, që kalojnë shpesh kufijtë e normales. Fraza e Bardem është në fakt fraza standarde e të gjithë atyre që kanë shijuar dhe gëzuar suksesin e Hollivudit përmes aktrimit. Por Bardem me sytë e tij të qeshur duket se është me të vërtetë i lumtur me atë që ka arritur dhe po gëzon. Por çifti, pavarësisht shpërthimit të Bardem në Kanë, është i vendosur që të vazhdojë të mbajë profil të ulët dhe të shfaqet gjithnjë e më pak në publik. “Unë nuk dua dhe nuk do të flas më për Penelope, sepse ajo është shpirti im dhe çështje shumë personale, thotë Bardem. Të jesh i famshëm në vendin tënd është shumë zbavitëse, kur je 20 vjeç, sepse bëhesh i njohur, kënaq egon tënde dhe ndihesh për momentin se ke kapur qiellin me dorë. Por disa muaj më pas, kur gjërat kanë precipituar dhe janë qetësuar, ndjen se ajo që të ka ndodhur në fakt nuk është aspak e dobishme për ty, por shfytyrim i vetes. Dhe në këtë pikë, nëse je me mend në kokë dhe ke pranë njerëz që të këshillojnë për mirë, fillon të reflektosh që të ‘mbledhësh’ nga hapja e madhe dhe të ridimensionohesh. Më vonë provova edhe famën ndërkombëtare dhe ‘Oskar’-in, dy vite të shkuara. Fillimisht të duket surreale që pasi ke kaluar muaj e muaj të tjerë promovimesh, shpërblehesh befas me atë statujën e artë që ta ‘vulos’ fatin të paktën për sa i përket Hollivudit. E vendos atë skulpturë në zyrën tënde dhe pas dy javësh, kur e sheh sërish, pyet veten: ǒbën këtu kjo gjë e artë? Sigurisht që nuk të është dhënë se je bërë një njeri më i mirë”.

Bardem mund të jetë modest për arritjen e tij kinematografike, por të tjerët janë shumë të gatshëm dhe madje të etur për ta bërë një gjë të tillë në vend të tij dhe për të. Nominimi i tij i parë për çmimin “Oskar” erdhi me filmin “Before Night Falls” të vitit 2000, në të cilin ai luan rolin e një shkrimtari të famshëm kuban gej gjatë persekutimit që i bëri Castro. Kur Al Paçino e pa filmin, ai i telefonoi regjisorit të tij Julian Schnabel për t’i marrë numrin e telefonit të Bardem. Në mesin e natës ai i telefonoi Bardem, i cili ndodhej në Madrid, për t’i thënë në mënyrë të drejtpërdrejtë se sa shumë i kishte pëlqyer filmi dhe mbi të gjitha se sa shumë i kishte pëlqyer roli i tij në këtë film. Bardem e ka pasur Al Paçinon një idhull dhe madje ishte bërë i njohur edhe për përdorimin e frazës: “Unë nuk besoj në Zot, por besoj tek Al Paçino”. Dhe imagjinoni se si është ndjerë kur mori në mesnatë telefonatën e idhullit të tij. “Atë telefonatë e regjistrova dhe e mbajtja atë regjistrim me vete për një kohë të gjatë. Është një nga dhuratat dhe surprizat më të bukura që kam marrë ndonjëherë në jetë”.

Ndërsa regjisori Schnabel e ka përshkruar Al Paçinon si një nga të mëdhenjtë e kinemasë, emri i të cilit është i denjë që të renditet përkrah të mëdhenjve të tjerë të kinemasë, si Jack Nickolson, Brado dhe Jonny Depp. Sipas regjisorit, ka një nivel në interpretimin e këtyre njerëzve të mëdhenj që nuk i ngjan më një aktrimi, por një mishërimi të mirëfilltë të rolit. Dhe kjo është diçka e çuditshme, sepse emocioni që të përcjellin është i jashtëzakonshëm, real dhe ngjethës. Edhe vetë Francis Ford Copola e ka vlerësuar shumë Bardem duke e renditur edhe ai përkrah të mëdhenjve. E ndërsa një pjesë e madhe e aktorëve ngopen me suksesin dhe rreshtin së kërkuari, Bardem nga ana e tij është gjithmonë në kërkim të diçkaje të re, të diçkaje të ndryshme, të një sfide dhe maje që do të duhet ta arrijë me çdo kusht.

Por filmi i fundit i Bardem ka gjasa që “ta vulosë” përjetësisht emrin e tij në lisën e artë të Hollivudit. Ai ka interpretuar në filmin e fundit të Julia Roberts, “Eat, Pray, Love”, një film i bazuar mbi kujtimet e Elisabeth Gilbert. Roberts interpreton vetë autoren, e cila i ikën një martese shumë të mjerë në Nju Jork për të ndërmarrë një udhëtim nëpër botë. Dhe gjatë këtij udhëtimi gjen dashurinë e jetës, Bardem, në ishullin e Balit.

Bardem vetë, i sapo dalë nga një sukses shumë i madh me vëllezërit Cohen, e mori me pak paragjykim dhe jo me shumë qejf rolin në këtë komedi romantike. Madje edhe vetë Roberts mendoi se ai nuk ishte personi i përshtatshëm për role të tilla, sepse i ishte ngulur në kokë imazhi i vrasësit. Por në fakt Bardem ishte një komedian shumë i ëmbël dhe bindës. Bardem ka kaluar një 20-vjeçar të mrekullueshëm, veçanërisht një dekadë të jashtëzakonshme, që ka qenë me të vërtetë fitim dhe fatprurëse për të. “Kam qenë me fat edhe në dashuri. Edhe pse më konsiderojnë si një ‘grabitës zemrash’, unë vetë nuk e shoh veten time si të tillë. Kam qenë shpesh shumë i ndrojtur dhe ua kam lënë femrave hapin e parë. Kjo do të thotë se nuk jam aspak ai skifteri që më karakterizojnë, por një kone e butë në pritje”, thotë aktori për lidhjet e tij të mëparshme romantike. Bardem të bën përshtypje, mbi të gjitha, për modestinë e tij të jashtëzakonshme. Fillimisht ai është shumë i qetë dhe madje i heshtur, por kur e njeh, nis të kuptosh se është vërtet energjik dhe di t’u shkojë punëve deri në fund. Personalisht ai është shumë i ngrohtë me miqtë, madje gati çarmatosës, por këmbëngul me forcë dhe prerazi kur bëhet fjalë për të diskutuar për bashkëshorten e tij të re, apo qoftë edhe për ish të dashurat. “Për momentin më pëlqen që ta shijoj jetën time të re me Penelope dhe vetëm pas kësaj do të bëj projekte për të ardhmen”.

Publikuar: 04.10.2010 | 00:29
Lexuar: 590 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime