Nga Këshilli nismëtar për formimin e partisë së Rufi Osmanit paralajmërojnë se deri në fund të vitit do të dihet struktura bazë e partisë, pasi tani për tani janë duke punuar intensivisht në teren për gjetjen e njerëzve, grumbullimin e kandidaturave dhe selektimin e tyre
Bekim MURATI
Skena politike në Maqedoni deri në fund të vitit pritet të pasurohet edhe me një parti politike shqiptare. Sipas burimeve të larta pranë Këshillit nismëtar, posti kryetarit do ti takojë kryetarin aktual të Komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, ndërsa në postet tjera udhëheqëse do të jenë kuadro kryesisht të rinj, njerëz publik të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk kanë qenë të kyçur në jetën politike në Maqedoni. Sipas të njëjtave burime, në partinë e re pritet të kyçen edhe njerëz të cilët më herët kanë pasur poste të larta shtetërore dhe akademike por që nuk konsiderohen si të harxhuar politikisht.
Në parim nuk dëshirojmë të flasim për emra pasi ende jemi në fazën e bisedimeve dhe verifikimeve të kandidatëve. Ka kuadër me kapacitet intelektual, kombëtar dhe njerëzor që aktualisht nuk janë pjesë e asnjë subjekti politik e që kanë shprehur interesim të jenë pjesë e subjektit të ri politik, ka thënë një burimi i lartë i Këshillit nismëtar për formimin e partisë, e cila sipas të gjitha paralajmërimeve në skenë do të dalë në fillim të vitit të ardhshëm.
Gjithçka është në fazën e konsolidimit të partisë, etablimit të strukturës në teren dhe verifikimit të emrave të kandidatëve për udhëheqësinë partiake, ka thënë burimi. Sipas tij, platforma e partisë do të bazohet në marrëveshjen e përpiluar nga ekspertët që do të jenë pjesë e partisë, e që përmban propozime për avancimin e pozitës juridike të shqiptarëve, duke i definuar si popull shtetformues.
Nga këshilli nismëtar për formimin e partisë së re për gazetën Koha e Re kanë konfirmuar se janë duke punuar intensivisht në hartimin e platformës partiake dhe grumbullimin e njerëzve të cilët do të jenë bartës të këtij procesi. Nga ky këshill kanë konfirmuar se deri në fund të këtij muaji do të bëjnë përzgjedhjen përfundimtare të njerëzve që do të jenë në krye të subjektit politik.
Deri në fund të vitit do të dihet struktura bazë e partisë. Tani për tani punojmë intensivisht në teren dhe ka interesim të madh për kyçje në subjektin e ri politik. Jemi në fazën e gjetjes së njerëzve, grumbullimit të kandidaturave dhe deri në fund të muajit nëntor do të bëjmë selektimin e tyre. Kryesisht do të jenë njerëz me background intelektual dhe kombëtar, të pakonsumuar politikisht, me vizion dhe pikëpamje të qarta për një perspektivë më të mirë për shqiptarët dhe qytetarët e Maqedonisë në përgjithësi, ka thënë burimi i gazetës.
Edhe pse zyrtarisht nga ky këshill refuzojnë të flasin për emrat konkret, jozyrtarisht në kreun e partisë do të jetë ish-rektorit të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, Alajdin Abazi, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Abdulmenaf Bexheti disa biznesmenë të njohur si dhe një ish ministër dhe nënkryetar në njërën nga qeveritë e mëparshme.
Ndër emrat më të përfolur të cilët priten të kyçen në partinë e re spekulohet edhe me emrat e profesorëve universitarë Jeton Shasivari dhe Izet Zeqiri, si dhe shumë intelektualë tjerë, njerëz akademik, profesorë universitarë dhe intelektualë të dalluar. Sipas të njëjtave burime, kësaj nisme pritet ti bashkëngjiten edhe disa deputetë aktual të parlamentit të Maqedonisë, të cilët kanë raporte të mira me Osmanin.
Kuadrot e partisë
Kryesisht do të jenë njerëz me background intelektual dhe kombëtar, të pakonsumuar politikisht, me vizion dhe pikëpamje të qarta për një perspektivë më të mirë për shqiptarët dhe qytetarët e Maqedonisë në përgjithësi, ka thënë burimi i gazetës. Jozyrtarisht, në kreun e partisë do të jetë ish-rektori i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, Alajdin Abazi, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Abdulmenaf Bexheti disa biznesmenë të njohur si dhe një ish ministër dhe nënkryetar në njërën nga qeveritë e mëparshme.
(koha e re)