Kur kalendarit të vitit 1998, i ishin grisur vetëm faqet e para, Mbreti i Spanjës, Huan Karlos dhe Mbretëresha Sofi e mbiquajtën atë vitin Lorka
Atë vit kur Lorka duhej të mbushte 100 vjeç, në të gjithë botën u organizuan qindra aktivitete në kujtim të poetit qe theu klishe në poezi dhe që diti të lidhë kulturën për pakicën me kulturën për të gjithë, falë magjisë së artificeve të tij
!
Nga
Flora Nikolla
Kur kalendarit të vitit 1998, i ishin grisur vetëm faqet e para, Mbreti i Spanjës, Huan Karlos dhe Mbretëresha Sofi e mbiquajtën atë vitin Lorka
Atë vit kur Lorka duhej të mbushte 100 vjeç, në të gjithë botën u organizuan qindra aktivitete në kujtim të poetit qe theu klishe në poezi dhe që diti të lidhë kulturën për pakicën me kulturën për të gjithë, falë magjisë së artificeve të tij
!
Kur po mbushen 110-vjet nga lindja e Federiko Garsia Lorka, duket se filozofia e poezisë së tij vazhdon rrugën e saj duke anashkaluar kufijtë e gadishullit Iberik dhe aq më tepër, fshatin Fuente Vakueros në afërsi të Granadës, në jug të Spanjës, ku ai edhe qau për herë të parë.
Poeti gjeni, i cili ndëroi jetë tragjikisht në vitin 1936, konsiderohet nga kritika më elitare europiane dhe më gjërë si poeti modern që krijoi dhe dha një stil të re në poezi. Spanja e Lorkës, është Spanja e Brezit të vitit 98, me një jetë intelektuale liberale ku spikasnin emrat e të mirënjohurve, Unanimo, Jose Ortega y Gasset të cilët sollën një frymë rebelimi kundër realitetit të Spanjës të asaj periudhe. Por me sa duket në ndjeshmërinë dhe virtuozitetin e poetit ndikuan edhe penat e njohura , Lope de Vega , Antonio Machado, Juan Ramon Jiménez etj.
Lindi në Funte Vaqueros(Granada) në Spanjë më 6 qershor të vitit 1898 dhe u pagëzua me emrin Federiko del Sagrado Corason de Jesus Garsia Lorka; Babai i tij, Don Federiko Garsia Rodriges, ishte një fermer kurse nëna e tij Donja Visenta Lorka, mësuese, i dha të birit shije finoke letrare.
Që kur ishte 2 vjeç, sipas biografit Edwin Honig, Garsia Lorka ishte i zhdërvjellët në mësimin e këngëve popullore. Kishte shëndet të dobët dhe nuk mundi të ecte para se të mbushte 4 vjeç. Lexoi në shtëpinë e tij veprën e Viktor Hygo dhe të Servantes kur si nxënës ishte i dobët në mësime. Studioi letërsi në Universitetin e Granadës dhe muzikë me Manuel de Falla. Salvador Dali, Luis Bunjuel, dhe Andre Breton, ishte trianguli i cili ndikoi në ngjizjen surrealiste të Lorkës.
Por romantizmi i Granadës, ku ndihej gjallë trashëgimia arabe, folklori, orienti dhe një gjeografi e shumëllojtë, nuk kishin si të mos zinin vend në shpirtin dhe më pas në të gjithë veprën e tij poetike. Në vitin 1917 shkroi artikullin e tij të parë për Jose Zarrilla, në kujtim të tij.
Unë jam një spanjoll integral dhe për mua është e pamundur të jetoj jashtë kufijve të mi gjeografikë; urrej të jem spanjoll për spanjoll; unë jam vëlla me të gjithë dhe adhuroj njeriun që sakrifikon për një ide nacionaliste, abstrakte, për të vetmin fakt se do vendin e tij. Një kinez i mirë është më afër meje se një spanjoll i keq. Këndoj për Spanjën dhe e ndiej atë në çdo qelizë, por përpara kësaj jam njeri i botës dhe vëlla i të gjithëve, shkruante Lorka i cili me gjithë jetën e shkurtër udhëtoi shumë nëpër botë, si në Argjentinë, Uruguaj, Kubë, SHBA etj . Dhe jo pak nga udhëtimët e tij u bënë subjekt i shumë poezive të Lorkës. Janë me mijëra vargjet e shkruara nga Lorka të përkthyera sot në qindra gjuhë, sikundër dhe dramat e tij zenë vend sot në repertorin e artë të teatrove anekënd planetit.
Impenjimi politik i Federico Garcia Lorkës, por edhe fundi i tij i tmerrshëm, fund i cili i takon dramës së luftës së Spanjes,(1936) e bënë padiskutim Lorkën një ndër protagonistët e shpirtit të Europës, dhe një ndër simbolet e lirisë. Lorka, ky fragment universal i Mesdheut, i njohur nga të gjithë, është artisti që diti të lidhte kulturën e pakicës me kulturën e të gjithëve. Të gjitha manifestimet që organizohen sot në botë janë manifestime të një forme reale dhe sureale, me marioneta dhe me një lojë të teatrit pikerisht siç e dëshironte Federiko Garsia Lorka.
I njohur në Shqipëri që në vitet e 30 të shekullit të kaluar, atëhere kur shumë shqiptarë morën pjesë në luftën civile të Spanjës, Lorka njihet tek ne si poeti i dhimbjes njerëzore dhe poeti i revoltës.
Një film me disa seri, i transmetuar nga kanali shtetëror në vite të ndryshme, i ka njohur shqiptarët me jetën e këtij poeti, i cili i thuri vargjet me shume se kujdo edhe ciganeve që jetojnë nën dritën e hënës dhe bëjnë fëmijë nën ajrin e paster.
Drama, gjinia që Federiko Garcia Lorka e lëvroi me origjinalitet të paarritshëm njihet në Shqipëri nga venia në skenë nga trupa e Teatrit Kombëtar, Shtëpia e Bernanda Albës. Por edhe pena e shkrimtarit disident Petro Marko, i ka dhënë rast lexuesve shqiptarë të njohin krijimtarinë poetike të Lorkës, këtij fenomeni spanjoll, por i përcaktuar nga shumëkush si Lorka i përbotshëm.
Poezi nga Federico Garcia Lorca
Madrigal
Puthja ime qe një shegë
E hapur, e thellë,
Një trendafil prej letre
Goja jote qe.
Në sfond një fushe me borë.
Duart e mia qenë të hekurta
Për kudhrat e rënda
Dhe trupi yt i lehtë
Qe perëndimi i një kënge.
Në sfond një fushë me borë.
Në kafkën e madhe të qiellit,
Të bërë vrima-vrima,
Si stalaktite varen
Të gjitha të dua-t e mia.
Në sfond një fushë me borë.
Endrrat e mia fëmijërore
Shtresa ndryshku kanë zënë,
Dhimbja ime spirale
E ka zhbiruar hënën.
Në sfond një fushë me borë.
Tani le të bëhemi serioze,
Le ti vemë të marrin mesime
Dashuritë dhe ëndrrat e mia
(Meza të vegjel pa sy.)
Në sfond shtrihet një fushë me borë.
Mëngjes
Dhe kënga e ujit
E përjetshme mbetet.
Eshtë lëngu i thellësive
Që i pjek drithërat.
Eshtë gjaku i poetëve
Që shpirtin e përndan
Në shtigjet e natyrës.
Çharmoni derdh,
Kur gufon nga shkëmbi!
Ai shkon te njërëzit
Me gurgullima të ëmbla.
Në mëngjesin e qashtër,
Oxhakët tym nxjerrin.
Fjollat e tyre janë krahë
Që mbajnë retë.
Midis shelgjesh, dëgjoje
Poemën e ujit,
Zog i vogël, pa flatra
Që në bar ka humbur!
Thahen, copëtohen
Tërë drurët këngëtarë,
Shndërrohen në fusha
Malet kryelarta.
Por kënga e ujit
E përjetshme mbetet.
Dritë e kthyer në këngë
Endrrash romantike,
Ai është qiellor,
I zhdërvjellët, i fuqishëm.
Eshtë mjegull, trëndafil
I mengjesit të përjetshëm,
Mjaltë hëne që kullon
Prej yjve të vdekur.
.........................
Ja përse dhe yjtë
Në valët e tij prehen,
Dhe Afrodita hyjnore
Nga gjiri i tij ka lerë.
Kur ne pimë ujë,
Etje dashurie kemi.
Ai është dashuri e butë,
Që rrjedh, që sthuhet me fjalë.
Ai është gjaku i botës,
Histori e shpirtit te saj.
Ai ruan të fshehtën
E gojës së njerëzve,
Se ne të gjithë e puthim,
Për ti shuar etjet,
Eshtë rezervuar puthjesh
Buzësh të vdekura,
Vëlla i zemrës sonë,
Rob i përjetshëm.
.........................
Kur shuajmë etjen me të,
Ndryshojmë për çudi:
Me fëmijë bëhemi
Dhe pakëz më të mirë.
Brengat tona largohen,
Tërë girlanda të vesuara.
Vështrimet na humbasin
Në vise të praruara.
Çlumturi perëndie
Që gjithkush të provoi!
O butësi e ujit,
Ku njeriu shpirtin freskon,
Ska gjë që mund të matet
Me brigjet e tua të shenjta.
Kur pikëllimi i zymtë
Na ve flatrat e veta.
Marrë nga vëllimi Lorka, Poezi, përkthyer nga
Anton Papleka
VALSI I DEGËVE
Ra një gjethe
dhe dy
dhe tre.
Në hënë notonte një peshk.
Uji fle një orë
dhe deti i bardhë njëqind fle.
Një zonjë e re
ishte e vdekur nëpër degë atje.
Një murgeshë
këndonte brenda në një qitro.
Një vogëlushe
nëpër boçe ikte në pishë.
Dhe pisha vraponte
majën e cicërimës kërkonte.
Por bilbili i ri
qante përqark plagët e tij.
Dhe unë poashtu
sepse ra një gjethe
dhe dy
dhe tre.
Dhe një kokë kristali
dhe një violinë prej letre
dhe bora do mundej me botën
nëse bora do të flinte një muaj përdhe,
dhe degët do luftonin me botën
një nga një,
dy nga dy,
dhe tre nga tre.
Oh fildish i fortë prej mishrash të padukshëm!
Oh gji pa milingona në agim!
Me fësh-fësh-in e degëve në pemë,
me ah-un e zonjave po them,
me kuak-un e bretkosave që gjen
dhe me klluk-un e të verdhit mjalt.
Do të vij një hije trungu
i kurorëzuar me dafina nga lart.
Do të jetë një qiell për erën
i fortë si një mur
dhe degët e shqyera
do të shkojnë të kërcejnë me të si dikur.
Një nga një
përreth hënës,
dy nga dy
përreth diellit,
dhe tre nga tre
për fildishet që të qetë flenë.
AJ!
Klithma lë në erë
një hije qiparisash.
(Më lini në këtë fushë,
duke qarë).
Gjithçka është shkatërruar në botë.
Nuk ngelet asgjë më veç heshtjes.
(Më lini në këtë fushë,
duke qarë).
Horizonti pa dritë
Është i kafshuar nga flakadanët.
(Unë ju thashë që të më lini
në këtë fushe,
duke qarë).
DËSHIRË
Vetëm zemra jote e nxehtë,
Dhe asgjë më shumë.
Parajsa ime, një fushë
Pa bilbila
As lira,
Me një lum të fshehtë
Dhe një burim të vogël.
Pa shpurë erë
Mbi gjethnajë,
Pa yllin që dëshiron
Të jetë gjethe.
Një dritë e madhe
Që ishte
Xixëllonja
E një tjetre,
Në një fushë
Me shikime të prishura.
Një prehje e qetë
Dhe atje puthjet tona,
Tinguj hënor
Të jehonës,
Hapen shumë larg.
Dhe zemra jote e nxehtë,
Dhe asgjë më shumë.
Përkthyer nga
Meri Lika