Një mot i vranët na shoqëroi në një ditë të Enjteje, teksa merrnim kthesat e fundit të rrugës që të çon drejt Krujës. Një ditë e zakonshme, ku disa kanë vendosur të ngjiten ashtu si ne, ndërsa të tjerë të zbresin.
Alba Shameti
Një mot i vranët na shoqëroi në një ditë të Enjteje, teksa merrnim kthesat e fundit të rrugës që të çon drejt Krujës. Një ditë e zakonshme, ku disa kanë vendosur të ngjiten ashtu si ne, ndërsa të tjerë të zbresin. I ndodhur vetëm 32 km larg kryeqytetit, qyteti nis të shfaqet me gjithë madhështinë e tij, në kodrën që mban të njëjtin emër. Pamja që të pushton syrin ndërsa qyteti shfaqet, është Kalaja. Ajo qëndron hijerëndë si dëshmitare fanatike se ka qenë aty edhe gjatë periudhës së Skënderbeut, dhe si e tillë edhe sot. Historianët thonë se Kruja, e cila ndodhet 608 metra mbi nivelin e detit, e ka marrë emrin nga krojet e kulluara. Të tjerë tregojnë se kur ajo u pushtua 10 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, otomanët pasi pushtuan kalanë dhe shkatërruan qytetin, e quajtën atë Akcahisar (ose Fortesë e bardhë). Përveç famës së prijësit të saj, qyteti i vogël, i rrethuar nga historia, dallon edhe për pazarin e vjetër, ose i njohur ndryshe si Pazari i Derexhikut,( në turqisht do të thotë përrua i vogël), siç vazhdojnë ende krutanët e sotëm ta quajnë Pazarin e tyre karakteristik.
Tregtarët e vjetër dhe të rinj
Ndalesa e parë, në pjesën me karakteristike të qytetit, është dyqani i Shaban Hoxhës. Ãshtë furrxhiu më i vjetër i qytetit. Tashmë i ka kapërcyer të 80 dhe të gjithë e njohin si usta Shabani. E nisi këtë zanat kur ishte veç një fëmijë 10 vjeç, dhe për 70 vjet e kusur, nuk i është ndarë për asnjë moment. Krutanët thonë se ai tashmë është pjesë e historisë së qytetit të tyre. Teksa e gjejmë duke nxjerrë nga furra një qengj, porosi të një klienti, tregon se me fanatizëm ka ruajtur një traditë të trashëguar nga i ati, të cilën edhe ai po ua lë fëmijëve, si të vetmen pasuri të çmuar të tij. Fanatik i së vjetrës, ka ruajtur një pjesë të pajisjeve për prodhimin e bukës, ku krutanët thonë se si AI, askush nuk mund ta përgatisë. Pjesën tjetër e ka adoptuar. Usta Shabani dhe dyqani i tij i vendosur në hyrje të pazarit të vjetër, janë edhe epilogu i ndjesisë se çuditshme, që çdokush përjeton sapo shkel në kalldrëmet e tij. Kronikat thonë se pazari është djegur disa herë, por ai është rindërtuar përsëri, por dëshmitar i një prej këtyre ngjarjeve ka qenë edhe vetë usta Shabani, kujtesa e të cilit kthehet disa vite të shkuara. Ai e kujton pazarin, ashtu si tani. Një rrugicë e kalldrëmtë, në dy anët e së cilës ngriheshin dyqanet. Edhe pse dekada kanë rrjedhur, tregtarët, kryesisht banorë të zonave përreth, janë aty, ashtu si dikur, në pritje të klientëve, ndërsa këta të fundit kanë nisur të shtohen. Hysen Guni është njëri prej 50 artizanëve që ushtrojnë aktivitetin në këtë pjesë. Ai njihet për prodhimin e materialeve prej leshi, kryesisht qelesheve, të cilës nuk i është ndarë prej 40 vjetësh dhe të cilën po ja trashëgon edhe nipit të tij 14 vjeçar. Ashtu si tregtarët e tjerë, edhe ai pas viteve â90, ka ngritur një dyqan dy katesh, në katin e parë të të cilit ka vendosur punishten , e cila më shumë i ngjan një galerie arti dhe veprash. Teksa zbret shkallët, nën një dritë të zbehtë, Hyseni i prezanton çdo vizitori edhe koleksionin e tij. Aty gjen objekte dhe relike të jashtëzakonshme me jetëgjatësi gati 100 vjeçare, aq sa dhe ai vetë nuk bënë dot dallimin mes tyre. Por ai nuk është i vetmi. Teksa ecim rrugës së kalldrëmte, e cilat ka mundur t"i rezistojë kohërave, tundohesh nga shumëllojshmëria e prodhimeve, suvenireve dhe objekteve, të cilave zor se çdo vizitor mund t"u rezistojë pa marrë prej andej diçka si kujtim. Aty duket se akrepat e orës kane ngecur, ndërsa koha është ulur këmbëkryq mes mistikes dhe reales, një kombinim që prej shekujsh vetëm këtu ka ditur të bashkëjetojë. Me ndërtimin e pazarit të vjetër, fundi i shekullit të â17 dhe fillimi i shekullit të 18, morën zhvillim një sërë zejes, me një jetë më shumë se 400 vjeçare, më shumë se një rrugicë, Derexhiku ngjason me një lagje të kohës së antikitetit, të cilat duket se rrjedhin prej lashtësisë, për nga mënyra se si të serviren dhe mënyrës se si ato prodhohen. Gjithçka vjen në versionin artizan. Por, çdokush që shkel në këtë zonë, të mbrojtur me fanatizëm deri në palcën e tij, ka mundësinë të shijojë mënyrën e përgatitjes së produktit që ai dëshiron të blejë. Ky është vendi, ku e vjetra sfidon modernen, ndërsa pazari është pjesa më harmonike dhe më tërheqëse. Fitnete Citozi, një artizane prej 45 vjetësh, së bashku me dy kolegë të saj e ka vendosur tezgjahun në ambientet e dyqanit, ku çdo porositës mund të zgjedh modelin dhe ngjyrat. Gratë mundohen që të ruajnë modelet autoktone, pasi, sipas tyre, kërkesat për to janë edhe më të shumta. Edhe pse tregon se, është një punë e lodhshme dhe të rejat nuk po tregojnë interés për to,- thotë se- "nuk ka kënaqësi më të madhe se sa kur sheh si aksesorë zbukurimi punimet e dala prej duarve artizane.".

Fadil Rama - Kryetari i Artizaneve të Pazarit
Fadil Rama, një bakërpunues i vjetër, tregon se gjithçka në fillimet e tyre e nisën ashtu, bukur. Por tani, të paktë janë ata krutanë, të cilët kanë dëshirë të merren me këtë punë. Për të mbajtur gjallë një traditë, ai tregon se së bashku me instancat e tjera përkatëse, po përgatisin një ligj për subvencion të artizanëve. Një tjetër iniciativë , është edhe ajo e ngritjes së disa reparteve, sidomos për punimin e bakrit, pasi zona dallon për punimin e saj me dorë. Nga ana tjetër mungon promovimi, pavarësisht se vizitorët e huaj, janë edhe klientët më të shumtë. Ai ngre shqetësimin se vajzat e reja janë shumë pak të interesuara për të vijuar një traditë të të parëve të tyre. Më mirë shkojnë të punojnë në reparte me përbërje toksike, si ato të këpucëve apo në rrobaqepësi.
Bashkia po punon për ruajtjen e traditës
Bashkia po shikon mundësinë që prodhimet tradicionale artizane të ruhen dhe të trashëgohen. Karakteristikë për pazarin është se ai është mirëmbajtur vetë nga biznesi, sepse jo vetëm që sigurojnë të ardhurat e tyre, por sepse kanë mundësi që kështu të ruajnë edhe një traditë të hershme. Duke parë edhe interesin në rritje, sidomos të këtyre dy viteve të fundit, ku numri i turistëve ka shkuar mbi 320 mijë vetë, është menduar ngritja e një konvikti, ku do të vendosen banorë të zonave përreth, të cilët do të ndjekin kursin e artizanëve. Por nga ana tjetër, vitin e ardhshëm pritet të nisë një investim madhor në vlerën e 1 milionë e 250 mijë eurove, financiar nga Komuniteti Europian . Sipas kryetarit të Bashkisë së Krujës, Lulëzim Guni, ky fond do të shkojë për restaurimin e Pazarit, por edhe për heqjen e pjesëve të betonuara dhe të asfaltuara në vite. Me investimin e ri, synohet që ai të kthehet në gjendjen e atij të viteve "30, të shekullit të kaluar. Ky fond konsiston në restaurimin e të gjitha fasadave të dyqaneve ekzistuese, eliminimin e atyre që janë betonuar dhe kthimin e tyre në identitet. Nuk do të ketë dyqane të reja, por do të shfrytëzohen ato ekzistuese dhe që kanë nevojë të vihen në eficensë. Krahas ndërhyrjeve në fasadë, ndërhyrja, sipas Gunit, konsiston në restaurimin e rrugës së kalldrëmtë te xhamia, që ndodhet në këtë pjesë, por edhe te të gjitha ato rrugë që të çojnë në kala. E gjithë kjo konsiston në faktin që çdokush që do të vizitojë Krujën, të ketë mundësi që brenda një harku kohor të shkurtët të vizitojë të gjitha resurset dhe vlerat e saj, duke i bërë ato më të prekshme dhe më funksionale. Gjatë mesit të shekullit të kaluar, në këtë pjesë ushtronin aktivitetin e tyre 150 zejtarë, ndërsa sot numri i tyre është reduktuar në 50. Me ndërhyrjen që do të bëhet vitin e ardhshëm, numri i tregtareve të vendosur në këtë pjesë pritet të rritet.
Një vizitor i huaj
Jam shumë i kënaqur nga pazari. Jam i mahnitur nga puna në mënyrë artizane e këtyre grave. Do t"i ftoja që të gjithë të vijnë e ta njohin këtë Pazar. Kisha dëgjuar për prijësin tuaj, por ky Pazar po më impresionon. Me këtë që po shoh, them se ai është unikal. Unë po marr prej këtej diçka si kujtim, dhuratë për familjen time nga ky vend i vogël, por me pasuri të jashtëzakonshme.
Pak Histori për Pazarin
Sipas dokumenteve, ky pazar është ndërtuar rreth 400 vjet më parë dhe në të kishte 150 dyqane, të cilat nisnin nga hyrja e kalasë së sotme dhe deri te Hani i Picorrit, aty ku është vendosur Bashkia e sotme e qytetit të Krujës. Në shekullin XVII, qyteti mori një zhvillim ekonomik dhe rrjedhimisht dhe zejet e vendosura në pazar. Pazari i Krujës u mor nën kujdesin e qeverisë në vitin 1961, ndërsa më 1966 u krye ndërhyrja e parë serioze për rikonstruksionin e tij.
Histori / Kruja
Qyteti i Krujës ndodhet rreth 32 kilometra larg Tiranës dhe shtrihet në shpatet malore, që mbajnë të njëjtin emër. Emri i qytetit Hero, rrjedh nga fjala Krue, që do të thotë burim dhe sot burimet natyrale në Krujë janë të shumta. Gërmimet arkeologjike dëshmojnë se në Krujë ka qenë një vendbanim ilir, që në shekullin III para erës sonë. Fshati Zgërdhesh, që ndodhet rreth 4 kilometra larg Krujës, mendohet të ketë qenë "Albanopolisi", i përmendur nga gjeografi dhe astronomi nga Aleksandria, Ptolemeu, në shekullin II të erës sonë. Përmendet për herë të parë në një dokument të vitit 879, si qendër peshkopate. Kruja ka qenë epiqendra e parë e shtetit të parë feudal shqiptar, "Principata e Arbrit", rreth vitit 1190-1198, duke pasur në krye Progronin dhe më pas djemtë e tij, Gjinin (1198-1206) dhe Dhimitrin (1206-1216). Arrin lulëzimin në shekullin XIII-XIV. Në gjysmën e shekullit XIV është kryeqendra e Topiajve, me tregtari dhe zejtari të zhvilluar, duke bërë që pranë kështjellës të ngrihen lagjet më të vjetra. Tanush Topia zgjeroi pronat e tij dhe krijoi një principatë të madhe, deri në momentin kur ky i fundit vritet nga Roberti, mbreti i Napolit, ndërsa vendin e tij e zë i biri, Karl Topia. Osmanët e pushtojnë për herë të parë më 1396 dhe për herë të dytë më 1415, ndërsa i vënë emrin "e ri" Krujës, "Akçe Isar" (Kulla e Bardhë). Më 1430, shpërtheu një kryengritje e organizuar nga Gjon Kastrioti. Me kthimin në atdhe të Skënderbeut (1405-1468), më 28 Nëntor 1443, Kruja bëhet qendra e epopesë shqiptare të shekullit XV, duke bërë që të dështojnë rresht tre rrethimet e Krujës (1450,1466,1467). Kalaja e Krujës merret vetëm më 16 Qershor 1478, 10 vjet pas vdekjes së Skënderbeut nga Sulltan Mehmeti II. Tërmeti i vitit 1617 që ra në Krujë, dëmtoi dhe më pas rrëzoi disa prej strukturave të gurta të qytetit të lashtë, duke përfshirë edhe pjesë të fortesës. Sërish më 1832, ajo bie pre e shkatërrimeve përgjatë shtypjes së kryengritjeve shqiptare nga osmanët. Disa rregullime që iu bënë fortifikimit përgjatë shekullit XIX nuk mundën t'i kthenin shkëlqimin e dikurshëm. Gjatë shek. XVIII-XIX qyteti pati një gjallërim ekonomik dhe mori trajtën karakteristike të kullave krutane, ndërsa në gjysmën e dytë të shek. XIX, ajo ka një zhvillim të ri lidhur me kthimin në një qendër të mirëfilltë qytetare. Në kohën e Zogut, qyteti pati një ulje të popullsisë së Krujës. Nga 4800 banorë që kishte më 1930, zbriti në 4500 me 1938. Në vitin 1968, Kruja mori titullin Qytet Hero.