Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, duke folur për rëndësinë e Programit studimor të Gjuhës dhe Letërsisë Italiane, për universitetin dhe popullatën e vendit tonë tha se USHT-ja sot shënoi një hap të ri në historinë e vet.
- Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, sot në mënyrë solemne u bë hapja e Programit studimor të Gjuhës dhe Letërsisë Italiane. Në solemnitetin e organizuar në Amfiteatrin e Rektoratit të USHT-së, mori pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Italisë në Republikën e Maqedonisë, Donatino Markon, njoftoi Zyra për informim pranë USHT-së.
Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, duke folur për rëndësinë e Programit studimor të Gjuhës dhe Letërsisë Italiane, për universitetin dhe popullatën e vendit tonë tha se USHT-ja sot shënoi një hap të ri në historinë e vet.
"Universiteti Shtetëror i Tetovës, sot shënon një hap të ri në historinë e tij, me hapjen e Programit studimor të Gjuhës dhe Letërsisë Italiane, profesorët dhe studentët e parë të kësaj Katedre do të sjellin mes nesh një kulturë dhe civilizim të lashtë, qytetërimin, historinë, kulturën, letërsinë dhe traditën italiane, e cila nuk është e huaj për ne, por një gjuhë shumë a dashur, e cila flitet mes nesh nga shumë studiues, njohës të saj dhe qytetarët tanë që bashkë me familjet e tyre punojnë dhe jetojnë në Itali. Fëmijët e atyre që janë kthyer në vendlindje janë ambasadorët e kësaj kulture dhe gjuhe, që do ti thellojnë dituritë e tyre në këtë Katedër", theksoi rektori Reka.

Ai, siç thuhet në kumtesë, më pas shtoi se stafi udhëheqës i Universitetit bën përpjekje të mëdha për ngritjen sa më të shpejtë të kësaj Katedre në një qendër studimesh, e cila do ti shërbejë përforcimit të miqësisë sonë tradicionale, do ta intensifikojë bashkëpunimin me universitetet nga Italia dhe do të ndihmojë për zhvillimin e raporteve ekonomike, arsimore-shkencore dhe formave të tjera të bashkëpunimit.
"Përkrah sukseseve të tjera që kemi arritur në kohën e fundit në sferën e arsimit, hapja e kësaj Katedre për arsimimin e gjeneratave të reja të studentëve paraqet një hap të rëndësishëm që meriton t'i kushtojmë vëmendje të veçantë. Jo vetëm pse do të kemi më shumë kuadro të kualifikuar në fushën e filologjisë italiane, por edhe për arsyen që ata do të kenë shanse të mëdha për punësim, duke pasur parasysh traditën e bashkëpunimit mes dy vendeve tona mike, Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Italisë", tha Reka.
Ai përkujtoi me këtë rast, se Qeveria Italiane e ka ndihmuar vazhdimisht USHT-në, përmes Ambasadës italiane në Shkup dhe në forma të tjera, ndërsa vlen të theksohet projekti kapital për ngritjen e Laboratorit të teknologjisë ushqimore dhe kontrollit të ushqimeve, i cili i ka siguruar bazat e punës kërkimore dhe punës praktike të studentëve.
Ambasadori Italian në Maqedoni, Donatino Markon, duke iu drejtuar të pranishmëve në solemnitetin me rastin e hapjes së Programit studimor të Gjuhës dhe Letërsisë Italiane, në USHT, theksoi se pas anglishtes, gjuha italiane është gjuha më e studiuar në Maqedoni.
"Të njohësh një gjuhë, do të thotë të njohësh një pjesë tjetër të botës, të kesh një shpirt tjetër. Në Itali jetojnë emigrantë nga zona të ndryshme të Maqedonisë dhe Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Italishtes në USHT, besoj se në të ardhmen do të ketë edhe më shumë studentë. Uroj që e ardhmja e kësaj katedre të jetë shumë më e mirë. Unë jam i sigurt se me kalimin e kohës edhe numri i studentëve do të rritet, por dhe shumë gjëra të tjera do të përmirësohen për të mirë, pasi që do të rritet edhe numri i mësimdhënësve dhe mësimi do të jetë më i suksesshëm", tha ambasadori italian në Maqedoni, Donatino Markon.
Të pranishmit i përshëndeti edhe Dekani i Fakultetit Filologjik të USHT-së, doc. dr. Arbër Çeliku. Ai u angazhua që ta jep ndihmesën dhe përkrahjen e nevojshme që kjo Katedër të arrijë deri në suksese sa më të mëdha në të ardhmen.
Në shenjë falënderimi dhe mirënjohje për përkushtimin ndaj arsimit, diturisë dhe kulturës, Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, ambasadorit Markon i ndau një pllakat me emblemën e USHT-së.
Pas përfundimit të programit artistik, të përgatitur nga studentët e Artit muzikor, Rektori i USHT-së, Agron Reka, ambasadori Donatino Markon dhe Dekani i Fakultetit Filologjik, doc. dr. Arbër Çeliku, në mënyrë solemne e bënë prerjen e shiritit të sallës ku do ta zhvillojë veprimtarinë e vet Programi studimor i Gjuhës dhe Letërsisë Italiane.