E enjte, 24.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Partitë politike shqiptare kurrë nuk janë preokupuar me efektet pozitive ose negative që ka prodhuar përbërja e listës zgjedhore. Nuk janë preokupuar me mesazhet që i kanë dërguar.
Zgjedhjet, partitė dhe strategjitė





Mahi NESIMI

Posa përfundon një cikël zgjedhor (zgjedhje parlamentare) opinioni në Maqedoni, posaçërisht ai shqiptar, fillon të thurë skenarë për formim të partive të reja. Analizuar nga këndi politologjik do të thoshim se zgjedhësit dhe votuesit nuk janë të kënaqur me zgjedhjen e bërë, që mund të merret si një e vërtetë bindëse dhe e qëndrueshme. Çfarëdo shpjegimi tjetër nuk mund të jetë i qëndrueshëm. Sipas njohurive të mia, shumë të sakta, gjatë këtyre 20 viteve, partitë shqiptare kurrë nuk kanë bë ndonjë analizë përmbajtjesore për shkaqet e dështimit ose të fitores në zgjedhje. Nuk është se ato fare nuk kanë bë analiza, por analizat kanë qenë krejtësisht sipërfaqësore, janë udhëhequr nga pozita e humbësit. Me vija defanzive dhe prirje për akuza. Analizat më tepër kanë qenë të karakterit të muhabeteve, me tendencë të arsyetimeve për pamundësinë e arritje së rezultatit më të mirë. Në këtë rafsh si bazament i dështimit janë theksuar padrejtësitë, vjedhja e votave, kërcënimet, shantazhet etj. etj. të drejtuara në adresë të kundërshtarëve politikë.

Partitë politike shqiptare kurrë nuk janë preokupuar me efektet pozitive ose negative që ka prodhuar përbërja e listës zgjedhore, që në disa raste lirisht mund të thuhet se paraqet arrogancë dhe përbuzje: morale, njerëzore, intelektuale, profesionale dhe politike e zgjedhësve. Pra partitë politike nuk janë preokupuar me mesazhet që i kanë dërguar. Partitë politike nuk janë preokupuar me hartimin e një programe zgjedhore të afërt me interesat jetike të popullit. Partitë politike nuk janë preokupuar me mënyrën e udhëheqjes së fushatës. Kjo nuk është bë as në kuptimin e anës përmbajtjesore as të asaj tekniko-organizative. Këtu mund të numërohen me dhjetëra e dhjetëra lëshime esenciale. Të vogla e të mëdha.

Partitë politike shqiptare kurrë nuk kanë pasur ndonjë strategji të përcaktuar afatgjate të vet subjektit politik. Asnjë nga partitë politike shqiptare nuk ka pasur, dhe lirisht do të them se nuk ka, strategji të qëndrueshme politike partiake. Partitë politike shqiptare nuk kanë identitet politik. Nuk kanë ideologji as partiake as kombëtare. Nuk kanë strategji kombëtare. Nuk kanë politikë, sado pak, të qëndrueshme kadrovike. Partitë politike shqiptare nuk kanë kurrfarë qendre analitike. Partitë politike shqiptare veprojnë sot për sot dhe sipas hamendjes. Veprojnë të motivuara vetëm për pushtet. Në të shumtën e rasteve, kuadrot nuk janë koshientë për peshën me të cilën i ngarkon funksioni. Nuk i njohin mekanizmat e funksionimit të institucionit që e udhëheqin dhe rolin e tij në kuadër të institucionit. Kuadrot e tilla mbijnë pa u mbjellë, pa u kultivuar. Për këtë tip “prodhimi” në popull ekziston shprehja: barna të egra. Partitë politike shqiptare veprojnë sipas sugjerimeve dhe mendimeve të „miqve tanë ndërkombëtarë”, të cilët e kanë për detyrë më shumë të flasin fjalë të mira, se të bëhen prishaqejf.

Në mungesë të këtyre karakteristikave, partitë politike shqiptare, kanë bë lëshime të shumta me të cilat në një masë e kanë amnistuar sistemin e mëparshëm të njëmendimsisë dhe bartës konkret të dëmtimit të shqiptarëve. Në mungesë të këtyre karakteristikave, partitë politike shqiptare nuk kanë bë kurrfarë përpjekje, formalo-juridike, për të demaskuar politikën diskriminuese ndaj shqiptarëve në të kaluarën. Në këtë kontekst bën përjashtim konflikti i armatosur i vitit 2001. Këto konstatime nuk janë pjellë e ndonjë demagogjie ose populizmi politik por janë fakte të pamohueshme dhe të dukshme. Nuk e kam ndërmend të shpalos faktologjinë sepse nuk dua të bëhem pjesë e atyre që janë të prirë të merren me emra njerëzish të meritueshëm ose të dështuar. Jam kundërshtar i përbetuar i prirjeve për shpallje të tradhtarëve dhe patriotëve. Më janë të njohura orkestrat që bëjnë muzikë si për njërin ashtu edhe për grupin tjetër. Shpirtërisht i urrej dirigjentët e asaj muzike. I urrej sepse, njoh shumë instrumentalistë që kanë pësuar, për shkak, se në një moment, me të drejtë, u është “këputur teli i instrumentit” dhe shfaqja ka dalë bukur e zbehtë.

Mediet në gjuhën shqipe, për rrethanat tona në numër të shumtë (katër gazeta të përditshme, tre televizione në nivel shtetëror-së shpejti do të shtohet edhe një, televizione lokale minimum nga një në çdo qytet më të madh) preokupim parësor e kanë profitin. Të udhëhequra nga ky përcaktim, ndodh që më shumë të shkaktojnë huti në opinion se sa të ndikojnë në qartësimin e nevojshëm të dukurive. Nuk mungojnë edhe rastet kur pikërisht mediumet, pavetëdijshëm opinionit i servojnë material për vetëkënaqje dhe masturbacione kolektive politike.

Kështu, popullin gjithnjë e kemi në kondicion të shkëlqyeshëm politik dhe të gatshëm për të pranuar temat e parëndësishme me të cilat, si pushteti ashtu edhe vet njerëzit, u ikin rreziqeve nga ballafaqimi me realitetin e hidhur ekonomik që i ndjek dita ditës.
Në mungesë të karakteristikave të përmendura më lartë, opinioni shqiptar ende udhëhiqet me stereotipa nga e kaluara dhe kurrsesi të bëhet vetëkritik ose kritikën ta drejtojë në drejtim të duhur. Pikërisht nga kjo sjellje, në opinionin tonë hetohen kritika pa adresë ose në adresë të gabuar. Edhe për këtë konstatim mbështetja gjendet në veprimin e tanishëm dhe të kaluarës të partive politike shqiptare.

Për fat të keq, kjo ndodh edhe me individë që ligjërojnë në fakultete, që hiqen për analistë politikë etj. Ndodh me njerëz që nuk kanë njohuri as për ngjarjet dhe faktet e para 10-15 viteve, por me shumë kënaqësi takohen me zyrtarë të jashtëm dhe të ekzaltuar nga ai rreth, si xhahilë ua shpalosin injorancën dhe mediokritetin e vet. Ndërkaq, në mjedisin e vet s’u durohet krekosja për nivelin e arritur.

Nga viti 1993 vijimisht më kanë pyetur a duhet ose, a është e nevojshme të formohet edhe ndonjë parti politike shqiptare. Ka një kohë të gjatë, që temë qendrore po bëhet formimi edhe i ndonjë partie politike shqiptare. Dhe ja mendimi im i prerë. Nuk ka nevojë edhe për ndonjë subjekt politik me të njëjtat karakteristika të numëruara. Jam ithtar i funksionimit tjetërfare të ndonjë subjekti politik.

Publikuar: 07.10.2010 | 19:54
Lexuar: 595 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime