Në një konkurrencë të jashtëzakonshme nga të gjitha ligat, mbreti i golit për xhiron e fundit në Evropë është zgjedhur sulmuesi shqiptar nga Kosova,anëtar i Lahtit të Finlandës, Drilon Shala.
Shala ka shënuar një gol me gërshërë, duke fituar vlerësimin e shumicës së medieve të futbollit në kontinentin e vjetër. Shala shënoi golin e fitores në minutën 73 gjatë gostitjes te Honka në Veikauskaliga.
Mos ta harrojmë konkurrenca ka qenë nga të gjitha ligat evropiane, kurse Shala ka marrë vlerësimin maksimal dhe si i tillë është emetuar nga shumë emisione të sportit në gjithë kontinentin. Goli i tij vlerën e dytë e ka pasur pasi që me këtë fitore, Lahti ka rast të mbijetojë, kurse nder i ka bërë edhe mesfushorit të HJK Helsinkin, Erfan Zeneli, pasi që ekipi i tij tani feston titullin e kampionit.
Nëse nuk është goli më i rëndësishëm i karrierës sime deri më tani, sigurisht se është goli më i bukur. Kemi kaluar shumë ndeshje në këtë stinor që ishim më të mirë, por që nuk i fituam. Tani ishte koha të fitojmë, por kemi edhe dy ndeshje për të mbijetuar, tha Shala për faqen e klubit.
23 vjeçari te skuadra e Lahtit është prej vitit 2006, ndërsa ka luajtur edhe disa takime me përfaqësuesen U-19 të Finlandës.