Elezi, prezantoi komunën e Gostivarit si komunë multietnike me shumicës shqiptare, e që shërben si model për respektimin e të drejtave të pakicave dhe harmonisë së ndërsjellë.
Përfaqësuesja e Komunës së Gostivarit, Shemije Elezi, me ftesë të Departamentit të Shtetit Amerikan mori pjesë në Programin ndërkombëtar studimor për lidership (International Visitor Leadership Program) me temën Shkollimi dhe të drejtat e pakicave në SHBA.
Gjatë qëndrimit të saj në SHBA, ajo realizoi takime të ndryshme me politikbërës, këshilltarë, aktivistë nga profile të ndryshme që marrin pjesë aktive në sferën politike, arsimore dhe kulturore të SHBA-ve.
Ajo prezantoi komunën e Gostivarit si komunë multietnike me shumicës shqiptare, e që shërben si model për respektimin e të drejtave të pakicave dhe harmonisë së ndërsjellë.
Pjesëmarrësit e programit International Visitor Leadership Program vizituan 5 shtete të SHBA-ve edhe atë New York, Washington D.C., California, New Mexico, Arkansas.
Për pjesëmarrjen aktive në këtë Program, Shemije Elezit iu nda certifikatë, ndërsa Guvernatori i shtetit Arkansas, Mike Beebe, e shpalli atë ambasadore e vullnetit të mire të shtetit Arkansas për popujt e shteteve të tjera.
Pjesëmarrës tjerë në këtë program nga Maqedonia ishin edhe përfaqësues të Komunës së Strugës, CBC Loja Tetovë, Drejtori i Muzeut të alfabetit Manastir si dhe përfqësues nga USHT-ja dhe Ministria e punës dhe politikës sociale.
International Visitor Leadership Program është program për shkëmbim profesional i themeluar më 1940, i cili synon ndërtimin e mirëkuptimit midis SHBA-ve dhe kombeve tjera nëpërmjet vizitave afatshkurte nga ana e udhëheqësve të ndryshëm të vendeve përkatëse. Këto vizita reflektojnë dhe përkrahin politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.