E shtunė, 11.02.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Gazetarja shqiptare e "The New York Post" beson se vëmendja që media u jep yjeve nxitet nga interesi i publikut për jetën e tyre. Nëse njerëzit nuk do të ishin kaq ndjekës të zellshëm të lajmeve për yjet, kjo do të ndalonte thelbësisht raportimin e medias për to.
Marina Vataj:
























Intervistë me gazetaren shqiptaro-amerikane të gazetës "The New York Post"




Intervistoi: Ruben Avxhiu



Marina, ju jeni ndër ata shqiptaro-amerikanët e paktë që botoni artikuj në shtypin amerikan. Si filluat të shkruani për "The New York Post" dhe si ka ecur karriera juaj në gazetari?

E zbulova prirjen time për të shkruar kur isha në kolegj dhe studioja letërsinë e gjuhës angleze. Gjatë viteve të shkollës kreva disa stazhe në organe të ndryshme të medias, për të hetuar se çfarë perspektivash profesionale mund të kisha në këtë fushë.
Pikërisht, gjatë asaj kohe, u binda se shtypi i shkruar ishte drejtimi, në të cilin doja të ecja, kështu që vazhdova studimet pasuniversitare dhe mora gradën Master në Artet e Bukura, dega e të shkruarit joletrar (gazetari).
Pas kësaj fillova të shkruaj si gazetare e lirë për "The New York Post", duke u ngritur në pozitë, derisa u bëra reportere me kohë të plotë për temat njerëzore.


Temat e artikujve që ke shkruar variojnë shumë. Ato përfshijnë nga komente mbi të rejat për yjet e artit e kulturës, e deri te këshilla e zgjidhje praktike për shpenzimet e martesave, shëndetit personal apo zbavitjet e fundjavave. A i zgjidhni vetë këto tema, apo ua caktojnë? Çfarë ia vlen, sipas jush, që të shkruhet në gazetë? Çfarë zgjon kuriozitetin tuaj?

Unë shkruaj artikuj me tema shumë të larmishme, që përfshijnë edhe hetime të studimeve shkencore, kritika për librat dhe çështje të shëndetit.

Që të dy faktorët luajnë rol në zgjedhjen e temave. Mund të dal vetë me një ide ose mund të jepet një udhëzim nga redaktori.
Ndonëse më pëlqejnë tema nga më të ndryshmet, më shumë se çdo gjë vlerësoj shkrimet që kanë interes njerëzor në to. Këtu mund të futen shumë gjëra, që nga mënyra se si ideologjia politike ndikon te miqësitë, e deri te tirania e orës biologjike e femrës. Kur shkruaj apo raportoj këto lloj temash ndiej kënaqësinë e përballjes me një sfidë.
Së fundi, kam filluar të shkruaj edhe kritika muzikore, gjë që po më zbavit shumë.

Disa kritikë thonë se media e tepron me vëmendjen ndaj yjeve ndërkohë që shumë tragjedi nëpër botë mbeten pa u raportuar. Të tjerë thonë se njëra nuk e pengon tjetrën. Ju çfarë mendimi keni për këtë çështje? A jemi aq të obsesionuar pas jetës së yjeve sa harrojmë tonën?


By Marina Vataj



Kjo është një çështje e ndërlikuar. Besoj se vëmendja që media u jep yjeve nxitet nga interesi i publikut për jetën e tyre. Nëse njerëzit nuk do të ishin kaq ndjekës të zellshëm të lajmeve për yjet, kjo do të ndalonte thelbësisht raportimin e medias për to.
Pavarësisht nga kjo, nuk besoj se është diçka problematike. Puna është të ruaj drejtpeshimin e informacionit që merr nga media. Nuk ka asgjë të keqe nëse lexon një artikull zbavitës për Angelina Jolie dhe Brad Pitt sa kohë që gjithashtu i ke kushtuar kohë leximit për çështje që realisht shqetësojnë çdo ditë jetën tënde, vendin dhe botën.

Ka një numër në rritje të atyre që po e trajtojnë shtypin e shkruar si diçka që i ka ikur koha. Në fakt, vazhdon të rritet progresivisht numri i atyre që lajmet i lexojnë nëpërmjet internetit. Si gazetare e re që ke zgjedhur shtypin e shkrua, cilat është këndvështrimi juaj për këtë? A lexon rinia gazeta?

Përshtypja ime është që pavarësisht se sa e varur nga kompjuterët bëhet bota, lexuesit e pasionuar të gazetave do të qëndrojnë të mbërthyer te koncepti i lajmit që shfletohet me duar. Ka diçka themelore në marrjen e një gazete dhe shfletimit të saj në tren apo në kafene që e bën idenë e zhdukjes së saj të pabesueshme.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nëse shtypi i shkruar vazhdon të bëhet arkaik nuk do të kalohet në mjete të tjera. Gazeta "The New York Post " për shembull, ka kohë që është përfshirë në maninë e internetit. E gjithë gazeta jonë mund të lexohet falas në internet. Por mua, ka rëndësi që të lexohet. Se ku dhe si lexojnë njerëzit, kjo nuk ka rëndësi.

Thuhet se sot është përgjithësisht më e vështirë se në të kaluarën për të rinjtë që duan të fillojnë karriera serioze në gazetari. Së pari, konkurrenca është shumë më e madhe. Sa e vështirë ka qenë në rastin tuaj? Kush është gazetar i zoti sipas jush?

Gazetaria është një fushë me konkurrencë shumë të lartë. Për këtë nuk ka dyshim. Edhe sot, katër vjet pasi kam filluar të shkruaj profesionalisht, përsëri ka momente që e ndjej veten larg nivelit të mentorëve të mi apo gazetarëve të tjerë. Mirëpo, kam mësuar se pikërisht kjo lloj ndjesie më shtyn përpara që të përmirësohem.
Këshilla ime për çdokënd që vendos t'i përvishet kësaj karriere është: sfido vetveten për të arritur lart. Asnjëherë mos mendo se ke arritur maksimumin apo perfeksionin. Vetëm kështu mund të përmirësohesh duke habitur edhe veten vazhdimisht.

Disa thonë se të quash emigrantët e brezit të tretë si shqiptaro-amerikanë është e tepruar. Ju vetë që i përkisni brezit të dytë, sa shqiptare ndiheni? A është e vështirë të edukohesh me traditat shqiptare ndërkohë që rritesh në një mjedis si Amerika? Sa ia vlen dhe i ndihmon apo i pengon të rinjtë rritja mes dy kulturave?

Unë gjithmonë do ta identifikoj veten si shqiptaro-amerikane. Kultura shqiptare është mbrujtur kaq shumë thellë brenda meje, jam edukuar me kaq shumë me idealet e saj sa që do të ishte e pandershme për mua nëse do ta injoroja këtë realitet
Por, sigurisht që është e natyrshme për këdo që i përket një origjine të caktuar etnike që të ndjejë peshën e vazhdueshme të asimilimit dhe nëse rritesh në një kulturë që është kufizuese nuk habitesh nëse dikush përpiqe të shkëputet prej saj.
Mua më duket se barazpesha mes të dyjave është gjëja më e mirë. Në këtë mënyrë nuk kam pse të heq dorë nga asnjëra pjesë e vetvetes.

A mund të më thoni diçka për familjen tuaj? Kur dhe nga erdhën ata në SHBA? Si kanë ndikuar ata në rritjen tënde profesionale?

Prindërit e mi, Pren dhe Jana, emigruan në SHBA nga Kosova tridhjetë vjet më parë. Ata ishin të sapomartuar dhe në të njëzetat kur mbërritën në këtë vend. Dinin shumë pak për kulturën amerikane dhe nuk flisnin asnjë fjalë anglisht. E megjithatë, ia dolën mbanë që t'i përshtaten shpejt kushteve të reja.

E admiroj aftësinë e tyre për t'u integruar dhe për të përparuar me sukses pavarësisht nga disavantazhet. Kjo më ka bërë që të besoj se çdo gjë është e mundur nëse punon pa u lodhur.

Sa e njeh jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan? Çfarë gjërash mund ta nxisin apo ta tërheqin më shumë brezin e moshës tënde që të përfshihet më shumë në jetën e komunitetit?
Po, si fillim, pavarësia e Kosovës ende nuk është çimentuar. Është një çështje ndërkombëtare serioze dhe brezi ynë duhet të jetë më aktiv në përpjekjet për të siguruar mbështetje në SHBA e në botë për Kosovën.

Një tjetër çështje është ajo e të drejtave të grave. Gratë shqiptare pa diskutim kanë bërë përparime në drejtim të barazisë dhe pavarësisë gjinore por u mbetet ende shumë rrugë për të bërë. Çdo mundësi për të hapur dyer të reja dhe për të edukuar më shumë gra për emancipimin e tyre është kyçe për lumturinë dhe begatinë e brezave të sotëm e atyre të ardhshëm shqiptarë./Shekulli/

Publikuar: 16.02.2009 | 08:42
Lexuar: 1427 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime