E enjte, 24.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Z. Clinton do ta anashkalojë Maqedoninë sepse për të gjithë është tashmë shumë e qartë se nuk ka ndonjë moment të ri a të rëndësishëm të cilin u duhet kumtuar autoriteteve të vendit. Mesazhet janë shumë të qarta: Maqedonia duhet ta shfrytëzojë këtë moment për ta zgjidhur kontestin rreth emrit dhe për të siguruar ftesë për anëtarësim në NATO në Samitin e nëntorit në Lisbon.
Mesazhet pėr Maqedoninė






Ermira Mehmeti

Sekretarja Amerikane e Shtetit, z. Hillary Clinton, sot ka arritur në Kosovë, si pjesë e turit të saj ballkanik, në të cilin përfshihen Bosnja, Serbia dhe Kosova. Pas Kosovës, z. Clinton do të udhëtojë në Bruksel, ku me zyrtarët evropianë pritet të diskutohen rrugët nëpër të cilat Ballkani mund të shkojë përpara drejt Evropës. Z. Clinton vjen në Ballkan pas zgjedhjeve në Bosnje dhe në prag të nisjes së bisedimeve Kosovë-Serbi. Në të tre shtetet, është më se e qartë se SHBA-të janë të vendosura të dërgojnë mesazhe përkrahjeje. Për Bosnjën, një shtet me organizim të brendshëm tejet kompleks që akoma duket se lundron mes federatës e konfederatës, me fragmentim të plotë të brendshëm mbi baza etnike, vizita e z. Clinton vjen si demonstrim i përkushtimit amerikan për të nxitur bashkëpunimin mes aktorëve politikë, për të mbajtur gjallë dhe për ta bërë funksional këtë shtet multinacional. Për Kosovën e Serbinë, z. Clinton vjen për të bërë të qartë mbështetjen për bisedime teknike, dhe hedhjen poshtë të aspiratave për ndërhyrje në integritetin territorial të cilitdo nga këto dy entitete sovrane. Z. Clinton pritet të mbështesë aspiratën evropiane të Serbisë, duke ia bërë të qartë se kjo aspiratë realizohet duke vetëm kur Serbia të jetë liruar plotësisht nga kompleksi dhe kur të jetë çliruar nga barra e quajtur Kosovë.

Ndërkohë, që Kosova është mbushur përplot mesazhe mirëseardhjeje për Z. Clinton, Maqedonia do të mbetet e anashkaluar (le të shpresojmë jo edhe e harruar) në këtë tur ballkanik. Jo për ndonjë tekë a inat, jo për ndonjë teori konspirative sipas së cilës e gjithë bota është kundër ekzistencës së këtij shteti dhe kënaqen kur ai nuk do të jetë më. Përkundrazi. Z. Clinton do ta anashkalojë Maqedoninë sepse për të gjithë është tashmë shumë e qartë se nuk ka ndonjë moment të ri a të rëndësishëm të cilin u duhet kumtuar autoriteteve të vendit. Mesazhet janë shumë të qarta: Maqedonia duhet ta shfrytëzojë këtë moment për ta zgjidhur kontestin rreth emrit dhe për të siguruar ftesë për anëtarësim në NATO në Samitin e nëntorit në Lisbonë. SHBA-të, duke anashkaluar Maqedoninë, u kanë bërë me dije atyre që akoma kanë rezerva ose hezitojnë për të arritur kompromisin, se nuk kanë më çfarë të thonë, të ofrojnë ose të premtojnë më shumë se sa perspektivën euroatlantike për vendin, por për ta realizuar këtë perspektivë, tani është momenti kur kërkohet iniciativë proaktive nga ana e Maqedonisë. Kjo është një fazë kur nuk kryejnë fort punë fjalët, të gjithë kërkojnë të shohin aksion.

Javën që shkoi, me z. Ahmeti qëndruam në Bruksel, për të takuar Komisarin Evropian për Zgjerim, z. Shtefan Fyle, eurodeputetë, zyrtarë të Drejtorisë për Zgjerim, dhe zyrtarë të NATO-s. Natyrshëm, të gjitha takimet i dominoi kontesti i pazgjidhur për emrin e Maqedonisë. Zyrtarët në Bruksel e kanë plotësisht të qartë se kush është përgjegjës për bllokimin e integrimeve, dhe për asnjë moment nuk tentuan që atë ta kërkojnë tek faktori politik shqiptar në Maqedoni. Prandaj, mesazhi i tyre ishte shumë i qartë: Maqedonia të mos shpresojë për skenarë që më shumë i përngjajnë produktit të fantazisë sesa të vërtetës. Me pak fjalë, marrja e ftesës për anëtarësim në NATO pa një zgjidhje për emrin është pritshmëri jorealiste! Çelja e negociatave për anëtarësim në UE pa një zgjidhje për emrin është pritshmëri jorealiste! Çelja e negociatave për anëtarësim në UE paralelisht me negociatat për zgjidhjen e kontestit është pritshmëri jorealiste! Çelja e negociatave për anëtarësim në UE me referencën IJRM (FYROM) është po ashtu jorealiste dhe produkt i fantazisë! I vetmi skenar i mundshëm është zgjidhja e kontestit përmes arritjes së kompromisit me Greqinë, si parakusht për të zhbllokuar procesin integrues.

Zyrtarët evropianë kërkuan nga Maqedonia qasje proaktive, më shumë vendosmëri dhe gatishmëri më të madhe për të arritur në një zgjidhje kompromisi me Greqinë. Ata shprehën shqetësim për faktin se një status-quo në raport me emrin do t’i bëjë vështirë të evitueshme tensionet sociale, mungesën e zhvillimit ekonomik, por më shumë se çdo gjë, përplasjet etnike, sepse të gjithë e kanë të qartë vijën ndarëse mes dy etnive më të mëdha- shqiptarëve dhe maqedonasve, sa i përket anëtarësimit të vendit në NATO dhe UE.
Ngelet dilema: çfarë duhet të bëjë faktori shqiptar në Qeveri në një konstelacion të këtillë? Që nga formimi i koalicionit BDI– VMRO-DPMNE, nuk kanë pushuar zërat, thirrjet dhe presioni ndaj BDI-së për braktisje të Qeverisë. Opozita shqiptare dhe maqedonase, shoqëria civile dhe mediet, që të gjithë kanë insistuar që BDI të braktisë koalicionin për të nxitur zgjedhje të parakohshme. Ne kemi qenë dhe jemi plotësisht të vetëdijshëm për vështirësitë nëpër të cilat kemi kaluar dhe po kalojmë si pjesë e koalicionit. Sfida e bashkëqeverisjes që nga dita e parë i ka përngjarë vijës së hollë të kuqe nëpër të cilën duhet ecur, duke pasur shumë kujdes nga sulmet e pareshtura dhe provokacionet e pandalura me të cilat jemi ndeshur. Aktualisht, BDI është në një periudhë: reflektim i brendshëm dhe konsulta me strukturat partiake; reflektim dhe konsulta me faktorin ndërkombëtar në vend dhe me qendrat e vendosjes; si dhe reflektim e konsulta me subjektet relevante politike në vend dhe në rajon. Sepse vendimit për prishjen e koalicionit duhet t’i paraprijë një analizë jo thjesht folklorike dhe për interesa të politikës ditore, dhe kjo analizë në esencën e vet duhet të përmbajë pikërisht interesin e shqiptarëve në Maqedoni dhe në rajon. Braktisja folklorike që bëri një parti në vitin 2008 ka shkaktuar pasoja politike të cilat akoma jemi duke i tejkaluar dhe BDI nuk guxon ta përsërisë të njëjtin vlerësim të gabuar politik.

Publikuar: 13.10.2010 | 21:42
Lexuar: 386 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime