E enjte, 24.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Për zgjedhjet e radhës, kurdo që do të mbahen, në janar, shkurt ose në mars, nuk duket i mundshëm fare ndonjë ndryshim radikal i disponimeve, dhe në këtë edhe bazohet entuziazmi i Thaçit për zgjedhjet.
Pse ėshtė Thaēi optimist?





Shkelzen Maliqi

Ndonëse data e zgjedhjeve të parakohshme nuk është caktuar ende, fushata para-parazgjedhore tashmë ka filluar. Një avantazh thuajse absolut në këtë aspekt e ka Kryeministri Hashim Thaçi, i cili është mbase i vetmi njeri, me disa të afërm të tij, që e dinë saktësisht datën e zgjedhjeve. Më sa është kuptuar, ai preferon fundin e janarit ose javën e parë të shkurtit, por tani Thaçi po “shtyhet” me preferencën e Fatmir Sejdiut që i do zgjedhjet në fillim të muajit mars. Kjo shtyrje do të mund të rezultonte me kompromisin e fundit të koalicionit aktual në pushtet, që zgjedhjet të mbahen më 13 ose 27 shkurt. (20 shkurti, që po kështu është një datë e kompromisit ideal, mbase nuk është i përshtatshëm për shkak se bie vetëm tre ditë pas festimit të përvjetorit të shpalljes së pavarësisë, kur fushatat e partive do të ishin në kulmin e tyre. Por kjo pjesërisht vlen edhe për 13 ose 27 shkurtin!)

Është komentuar mjaft, kryesisht me indinjatë nga kundërshtarët e tij, një aluzion optimist i Thaçit se ai ka plan që të mbetet në pushtet të paktën edhe 8 vjet. Thaçi është i bindur se do t’i fitojë zgjedhjet e parakohshme, e edhe ato të radhës të vitit 2015. Kjo do të thotë se ai do të qeveriste me Kosovën, - kuptohet nëse gjithçka shkon sipas planit të tij, - deri në vitin 2019! Ndonëse do të ballafaqohet me shumë sfida, një cikël i këtillë kontinual i pushtetit, që do të zgjaste 12 vjet (2007-2019), nuk është i paimagjinueshëm e as i pamundshëm. Në vendet në tranzicion të Evropës Lindore, kjo nuk ka ndodhur pothuajse askund, pos në Rusinë e Putinit. Gjasat për një rekord të tillë i ka vetëm edhe Sali Berisha në Shqipëri, nëse e djathta në Shqipëri i fiton edhe zgjedhjet e vitit 2013. Në vendet tjera të Lindjes ku ndërtohen sistemet demokratike, pushteti zakonisht kalon si lavjerrësi nga e majta tek e djathta, kryesisht për faktin se partitë që vijnë në pushtet nuk po arrijnë që t’i përmbushin premtimet dhe të sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm, që i kënaq ambiciet e shumicës së popullsisë.

A mund të jetë Kosova përjashtim nga kjo skemë mjaftë domethënëse që tregon shkallën e vetëdijesimit dhe fuqinë e njohur ndëshkuese të elektoratit në demokraci? Dhe pse do të ishte Kosova përjashtim? Mos Thaçi është një politikan i formatit i cili në afate më të gjata garanton stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm të Kosovës? Apo, më parë, kjo ndodh ngase ne jemi një shoqëri që me shumicë e voton autoritetin e dëshmuar? Ose jemi një shoqëri që nuk i pëlqen eksperimentet dhe ndryshimet? Po kështu, a mund të projektohet edhe për 8 vjetët e ardhshme vazhdimi i gjendjes aktuale që PDK-në e favorizon si parti që mbështetet nga një elektorat ku nuk ka luhatje të mëdha, ndërkaq që partitë tjera janë në krizë ose kërkim të identitet të ri (sikur që është LDK-ja) ose me trende të zhvillimit me ritme jo edhe aq konkurrente (si AAK-ja) për ta sfiduar PDK-në.

Për zgjedhjet e radhës, kurdo që do të mbahen, në janar, shkurt ose në mars, nuk duket i mundshëm fare ndonjë ndryshim radikal i disponimeve, dhe në këtë edhe bazohet entuziazmi i Thaçit për zgjedhjet. LDK-ja si konkurrenti kryesor është në një fazë shumë delikate të zgjedhjeve të brendshme, ku fillimisht kemi konfrontimin e dy apo edhe tri grupacioneve ose “klaneve”, që synojnë më shumë kontrollin sesa reformimin serioz të kësaj partie. Fakti se këto zgjedhje të brendshme do të mbahen vetëm disa muaj, ose edhe vetëm disa javë, para zgjedhjeve të përgjithshme, mund të komplikojë procesin e konsolidimit të LDK-së, e cila nga Kuvendi i fundit Zgjedhor nuk ka treguar avancim të madh në demokracinë e brendshme dhe zbutjen e animoziteteve mes individëve dhe grupeve konkurruese. Nëse nuk do të ketë një deklarim paraprak se gara për Kryetarin e LDK-së do të jetë fer dhe se humbësit do të respektojnë verdiktin e shumicës, mund të përsëritet çarja e madhe që ndodhi mes Sejdiut dhe Dacit, dhe kjo mbase do ta çonte LDK-në definitivisht në histori. Personalisht besoj se kësaj here as Sejdiu, e as sfiduesi Bukoshi, ose ndonjë tjetër që do të paraqitet në ndërkohë, nuk do të acarohen deri në këtë masë vetëvrasëse për LDK-në.

Nga ana tjetër, AAK-ja, që ka qenë kohëve të fundit përfituesja më e madhe nga kriza e LDK-së, e vajton me zë mungesën e Ramush Haradinajt, i cili me gjasë nuk do të mund të kthehet nga Haga për zgjedhje, ngase ende nuk është caktuar as data e fillimit të rigjykimit të tij, por kësaj partie i hapën dy mundësi tjera për ta avancuar pozitën e saj edhe pa Ramushin. Mundësia e parë është ajo e afrimit me PDK-në, si partnere e mundshme për Qeverinë e koalicionit, kuptohet si koalicion post zgjedhor. Jo vetëm takimi i Hashim Thaçit me Nënkryetarin e Parë të AAK-së, Blerim Shalën, por edhe vizita në Pejë dhe sinjalet nga komunat tjera ku në pushtet është AAK-ja, tregojnë se një gjë e tillë nuk përjashtohet. AAK-ja është e etshme për pushtet.

Mundësia e dytë është që AAK-ja të rritet edhe më shumë, bile edhe ta tejkalojë LDK-në - nëse në këtë parti përsëriten gabimet e së kaluarës. Po kështu, nën udhëheqjen e Blerim Shalës, si lider që konsiderohet i moderuar dhe qytetar, AAK-ja mund të bëhet më atraktive për votuesit e zhgënjyer të LDK-së e edhe të disa partive tjera, si dhe të absitenetëve ose të atyre që do të votojnë për të parën herë.

Për 8 vjet optimiste të Thaçit mbetet të bëjmë analizat pas zgjedhjeve, kur të shohim se çfarë është disponimi i elektoratit dhe a do të kanë përkrahje më serioze dhe më premtuese nismat e reja politike, disa ende embrionale.

Publikuar: 13.10.2010 | 21:46
Lexuar: 329 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime