- Ekspertët e shëndetit publik të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë diskutojnë mbi elementët e menaxhimit të sistemeve shëndetësore -
Eriola Çuko
- Menaxhimi i sistemit shëndetësor pëbën një nga instrumentet kryesore të reformimit të shëndetësisë jo vetëm për arritjen e performancës së sistemit, por për arritjen e impaktit pozitiv në shëndetin e popullatës.
Aspektet e menaxhimit shëndetësor u diskutuan sot në konferencën shkencore "Menaxhimi-sfidë madhore e sistemit shëndetësor", e organizuar nga Akademia shqiptare e Shkencave dhe ajo e Kosovës, në bashkëpunim me ministritë e Shëndetësisë së dy vendeve, me mbështetjen e USAID dhe nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Sali Berisha.
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, tha se pas viteve 90, janë ndërmarrë një sërë reformash për të ndërtuar një model të ri të sistemit shëndetësor. Ndërkohë, reformat më të spikatura, sipas Vasilit, janë privatizimi i shërbimit farmacetik, atij stomatologjik, duke ruajtur si pronë publike shërbimin për fëmijët nga mosha 1-18 vjeç, si dhe ngritja e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor si një institucion autonom e i pavarur, me synim financimin e kujdesit shëndetësor.
Ministri Vasili theksoi rolin rolin e madhe të dikasterit që drejton në këtë reformim të madh të shëndetësisë shqiptare, duke u ndalur më gjerësisht tek sistemi i referimit, një nga hapat e parë madhorë të reformës shumëplanëshe në shëndetësi, si dhe financimin e sistemit shëndetësor, tashmë i futur në hullinë e përqëndrimit tek një blerës i vetëm i shërbimeve shëndetësore.
"Ky model menaxherial është i vetmi që mund të funskionojë në Shqipëri dhe që na bën të flasim me të njëjtën gjuhë me partnerët tanë ndërkombëtarë, njëherësh hap mundësi të mëdha për iniciativa të karakterit shkencor dhe financiar që me një model të tillë nuk gjejnë kufizime për t'u zbatuar", theksoi Vasili. Po kështu, ai u ndal në reformën në edukimin në vazhdim të stafit mjekësor shqiptar, duke e cilësuar këtë proçes një histori suksesi.
Nga ana e tij, ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Bujar Bukoshi, theksoi nevojën për të arritur në atë pikë në sistemet shëndetësore për të dhënë shërbim shëndetësor gjithpërfshirës dhe në një qasje më te gjerë për të gjithë qytetarët, duke i bazuar në nevojat e tyre dhe jo mbi mundësitë për të menaxhuar. Ai vuri në dukje arritjet e deritanishme në sistemin shëndetësor kosovar, por, nga ana tjetër, nënvizoi se pritjet dhe kërkesat e qytarëve ndaj shëndetësisë janë të mëdha. "Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka sigurime shëndetësore. Shpenzimet publik për shëndetin janë 45 euro/banor. Qytetari paguan nga xhepi i tij 60 % të kostos së përgjithshme dhe 40 % mbulohen nga buxheti", bëri me dije Bukoshi.

Nga ana e tij, ministri i Maqedonise i Shëndetësisë, Bujar Osmani, parashtroi sfidat e shumta me të cilat ballafaqohet shëndetësia sot në Maqedoni. Thelbi i të gjitha sfidave, sipas tij, qëndron në dy prirje të kundërta shoqërore, që në Maqedoni ekzistonin 2 dekadat e kaluara. "Prirja e parë ka të bëjë me tranzicionin e vështirë të vendit drejt një shoqërie me orientim modern demokratik të tregut të lirë që në Maqedoni nisi në vitet 90, ndërsa prirja tjetër është tendenca për rritje të vazhdueshme të kostove të shëndetësisë si rezultat i nevojave për shërbime shëndetësore të popullatës dhe shumë faktorëve si efektet e jetës bashkëkohore, plakja e popullsisë, ushqimi i parregullt, duhani, ndotja e mjedisit, etj", tha Osmani.
Duke nënvizuar arritjet e deritanishme në sistemin shëndetësor maqedonas, ai theksoi se "vitet e fundit ka nisur reforma qenësore në shëndetësi". "Ndryshimet që po bëjmë sot kanë qasje sistemore dhe udhëhiqen në bazë të nevojave të qytetarëve, duke marrë në llogari interesat e personelit mjekësor dhe kapacitetet e shtetit në përgjithësi", nënvizoi Osmani, duke përmenduar më tej disa nga projektet kryesore në këtë drejtim.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Gudar Beqiraj, vlerësoi se menaxhimi i sistemeve shëndetësore në mbarë botën përbën një problem mbarëbotëror. "Reformimi i sistemit tonë shëndetësor, proçes sa i vështirë dhe i domosdoshëm, po i përshtatet gjithnjë e më shumë shoqërisë së hapur dhe tregut konkurues", tha ai, duke theksuar se "Shqipëria po përjeton ndryshime të thella dhe shërbimi shëndetësor është pjesë thelbësore e tij, përmes implementimit të një reforme shumëdimensionale e mbështetur në strategjinë afatgjatë të sistemit shëndetësor".
Drejtori i Misionit të USAID-it, Xhozef C. Uilliams, diskutoi se si programi shëndetësor i USAID-it do të ndihmojë aftësinë e Shqipërisë në menaxhimin eficient të burimeve dhe njoftoi mbi programin e ri pesëvjeçar të USAID-it, me vleftë prej 8.5 milionë dollarë për programin e përmirësimit të kujdesit shëndetësor. "USAID-i ka mbështetur sistemin e kujdesit parësor shëndetësor për shumë vite dhe është i kënaqur që në partneritet më Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucione të tjera të shëndetësisë të prezantojë sistemet e financimit shëndetësor dhe të informimit shëndetësor që kanë rritur transparencën dhe eficiencën e të gjithë sistemit", tha Uilliams.
Në përfundim të Konferencës, ministrat e Shëndetësisë të tre vendeve, si dhe kryetarët e Akademive të Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës do të nënshkruajnë Kartën, ku përcaktohen parimet themelore nga të cilat udhëhiqet procesi i reformimit menaxherial të sistemeve shëndetësore përkatëse, si barazia në akses dhe shërbime cilësore, solidariteti social dhe etika profesionale, mbrojtje financiare nga kostot shëndetësore me efekt rrënues për ekonominë e familjeve të varfëra dhe të grupeve vulnerabil, maksimalizimi i shëndetit të popullatës dhe vendosja e interesave të pacienteve dhe qytetarëve në qendër të sistemit shëndetësor, etj.
I pranishëm në këtë konferencë, Kryeministri Berisha garantoi se Qeveria do të mbështesë fuqishëm përpjekjet për përballimin me sukses të plotë në sfidat e sistemit shëndetësor, duke diskutimin për menaxhimin e sistemit shëndetësor në këtë konferencë. "Në performancën e një sistemi shëndetësor, në shëndetin në tërësi, gërshetohen një seri faktorësh, të cilët në mënyrë të pazgjidhshme lidhen me financat dhe burimet financiare. E po kaq përcaktues sa vetë financat, është dhe menaxhimi", tha Kryeministri.