Në këtë aktivitet të organizuar nga Universiteti Shtetëror i Tetovës morën pjesë emra të njohur në shkencat e albanologjisë dhe historiografisë shqiptare, si: Jani Thomaj, Shezai Rrokaj, Bajram Kosumi, Salajdin Salihu, Drita Statovci, Nebi Dervishi dhe studiues të tjerë të fushave të lartpërmendura.
Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë përmbylli punimet
Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, të enjten i përfundoi punimet Seminari i IV Ndërkombëtar i Albanologjisë. Prej 12 deri 14 tetor të këtij viti, ky Seminar i zhvilloi punimet në temën bosht: "Gjendja e komunikimit kulturor ndërshqiptar, në të cilin studiuesit nga vendi, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, me kumtesat e tyre referuan në katër sesionet shkencore: Sesionit shkencor të gjuhësisë, me temë: "Probleme aktuale dhe historike të gjuhës shqipe; Sesionit shkencor të letërsisë, me temë: ,,Gjendja e komunikimit kulturor ndërshqiptar"; Sesionit shkencor të etnokulturës, me temë: ,,Etnografia e trevave lindore shqiptare flet vetëm shqip dhe Sesionit shkencor të historisë, me temë: ,,Zhvillimet politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore në trevat lindore shqiptare, gjatë viteve 1945-1991.
Në këtë aktivitet të organizuar nga Universiteti Shtetëror i Tetovës morën pjesë emra të njohur në shkencat e albanologjisë dhe historiografisë shqiptare, si: Jani Thomaj, Shezai Rrokaj, Bajram Kosumi, Salajdin Salihu, Drita Statovci, Nebi Dervishi dhe studiues të tjerë të fushave të lartpërmendura.
Drejtori i Seminarit të Albanologjisë, doc. dr. Fehari Ramadani, në përmbyllje të punimeve të këtij Seminari, para pjesëmarrësve tha se bashkërisht kemi arritur ti përmbushim të gjitha detyrat e parapara sipas programit dhe se kemi arritur që këtë Seminar, të IV-in me radhë, ta bëjmë plotësisht të suksesshëm.
Kumtesat e pjesëmarrësve të këtij Seminari, janë përcjellë me një interesim të madh, jo vetëm nga ana e studiuesve, por edhe nga studentët e Universitetit tonë, për të cilët kjo do të jetë një përvojë e paharruar. Kumtesat e seminaristëve ishin shumë të rëndësishme, pasi në to u trajtuan tema aktuale dhe me interes nga fusha të ndryshme të albanologjisë.
Të katër sesionet shkencore të Seminarit janë karakterizuar nga një atmosferë e vërtetë pune. Rreth 60 kumtesat e lexuara në këto sesione shkencore shpresojmë ti kenë çuar përpara studimet në të katër fushat e albanologjisë, duke dhënë një kontribut të çmueshëm për shkencën shqiptare.
"Një meritë të jashtëzakonshme për punën e suksesshme të këtij Seminari, sigurisht se ju takon juve, pasi me punën tuaj krijuat një atmosferë të veçantë dhe të ngrohtë këtu në Tetovë, jo vetëm për Universitetin tonë por edhe më gjerë. Pjesëmarrja juaj në këtë Seminar krijoi një kënaqësi shpirtërore tek shqiptarët e këtyre anëve, të cilat karakterizohen nga një etje e madhe për dije dhe kulturë. Pjesëmarrja juaj, në këtë Seminar, jep mesazhin e bashkëpunimit shkencor, kulturor dhe human për të gjithë popujt e botës. Për të gjitha këto, në emër të Drejtorisë së Seminarit, ju shpreh falënderimet më të sinqerta, theksoi doc.dr. Fehari Ramdani, duke shtuar se: "Ne, mikpritësit e Seminarit, jemi përpjekur të Ju ofrojmë edhe vizita në institucionet më të rëndësishme arsimore, shkencore dhe kulturore të shqiptarëve këtu në Maqedoni. Me çka shpresojmë se keni krijuar një pasqyrë më të plotë për popullsinë shqiptare të këtyre viseve.

Në fund, ai shprehu falënderime për Rektoratin e Universitetit që mundësoi mbajtjen me sukses të këtij Seminari, në veçanti për Rektorin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Agron Reka, për pritjen e ngrohtë të seminaristëve.
Sipas programit të Seminarit të këtij viti, pjesëmarrësit realizuan vizita monumenteve kulturore dhe historike, si: Shtëpia e Halim Beut, Xhamia e Larme dhe Shtëpia e vjetër në Tetovë.