E enjte, 24.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Prej 20 vjetësh është prezantuesja më e njohur e televizionit kinez. Bashkë me të shoqin ka themeluar një perandori tregtare që shkon nga gazetat, te bizhuteritë.
Yang Lan: Fytyra mė e njohur e Kinės





“Shpejt, se kemi shumë punë për të bërë”. Fjalët e Yang Lan, një prej grave më të famshme të Kinës, duken si urdhra. Është dita e fundit e regjistrimeve të “reality show”-t të saj, “The new girl in the Office”, ndaj në studion e Pekinit, Yang është duke i dhënë udhëzimet e fundit një publiku që përbëhet kryesisht nga studente universitare. Pavarësisht vapës, studentet janë ulur në vendet e duhura dhe i mbajnë sytë të ngulitura te Lan, që është duke shpjeguar se si përplasen duart. “Ekzistojnë tre lloj duartrokitjesh. E para është e shpejtë dhe e shfrenuar, e dyta ajo e vlerësimit, si ajo e një komiku që ka thënë një batutë argëtuese dhe e treta ajo kur përfundon një konferencë dhe mezi pret të ikësh në shtëpi”. Teksa buzëqesh, Yang Lan duket si një mësuese e kënaqur që nxënëset e saj e kuptojnë kaq mirë. Ajo buzëqeshje në këto 20 vjet është bërë më e famshmja në tregun e madh kinez të mjeteve të informacionit. Karriera e Yang ka nisur në vitin 1990, në një “provim” për prezantues të varietetit televiziv “Zheng da”, që do të transmetohej në “China central Television” (CCTV), televizioni kombëtar kinez. Yang u përzgjodh për guximin e saj. Gjatë audicionit e pyetën nëse kishte guxuar ndonjëherë të vishte bikini. Ajo u përgjigj se në një plazh nudist në Francë, bikini do të ishte shumë konservator. Kjo frazë që i dha mundësi për të fituar famën. Ka arritur të intervistojë Bill dhe Hilary Clinton, Henry Kissinger dhe basketbollistin e njohur Kobe Brayant. Për reklamën e “Expo Shangait”, organizatorët zgjodhën shtatë burra dhe një grua: Yang Lan. Pikërisht këto mundësi bënë që ta transformonte famën e saj në një perandori të madhe tregtare. Ka krijuar programe të reja televizive, mes të cilëve një prej të parëve drejtuar publikut femëror dhe ka prezantuar një numër të madh sajtesh interneti në gjuhën kineze. Është botuese gazetash, shet karta krediti dhe ka një linjë bizhuterish bashkë me Celine Dion. Bashkë me të shoqin, Bruno Wu, formojnë një nga çiftet më të pasura të Kinës, me një pasuri që sipas revistës amerikane “Forbes” prek shifrën 300 milionë dollarë. Ndoshta për këtë arsye shtypi ndërkombëtar nuk humbet rastin ta quajë “Oprah Winfrey kineze”. Por krahasimi nuk është i drejtë: tregu kinez i mjeteve të informacionit është shumë herë më i lirë se ai amerikan. Aty ligjet ndryshojnë vazhdimisht. Siç tregon Jeremy Goldkorn në Dandi.com, “televizioni në Kinë është rreptësisht i kontrolluar, sepse është i vetmi që mund të arrijë vërtet masat”. Ndërkaq, brezi i 40-vjeçarëve kinezë, të cilit i përket edhe Lan, u maturua në momentin që Kina u hap për pjesën tjetër të botës (me reformat ekonomike të Ten Ciao Pinit) dhe u mbyll për veten (me faktet në sheshin “Tiananmen”). Yang Lan gjithmonë ka kërkuar të qëndrojë jashtë politikës. Disa nga sipërmarrjet e saj kanë qenë të suksesshme, të tjerat jo. Për çdo rast ka arritur të kultivojë burimin e saj më të rëndësishëm: famën.

Emisioni

Është mishërimi kinez i ‘reality show’-t amerikan, “The apprentice”, që ka nisur që prej korrikut të 2009-s në “Dragon tv” në Shangai. Ashtu si në versionin amerikan të Donald Trump-it, fituesit marrin si shpërblim vende të mira pune. Por me një diferencë të madhe: në Kinë fituesit janë dhjetë. Vendet e punës në të vërtetë janë “mundësi punësimi”: bursa studimi apo praktikë nëpër qendra të specializuara. Yang është rritur në Pekin. Babai i saj ishte profesor i letërsisë angleze, madje ka qenë edhe përkthyes i Kryeministrit Zhou Enlai. Nëna ishte inxhiniere telekomunikacioni. Familja e saj ishte nga më të pasurat në vend dhe kishte lidhje të mira dhe në fushën politike. Kur Yang ishte 11 vjeçe, babai solli në shtëpi televizorin e parë pasi kishte ndenjur më shumë se pesë orë në radhë për ta blerë. Nëna ime ishte shumë e lumtur”, kujton Yang. Në fillim programet e vetme që mund të shiheshin ishin lajmet e televizionit kombëtar, ndonjë emision argëtues i miratuar nga autoritetet, apo ndonjë koncert. Disa vite më vonë u fut një tjetër program që pati sukses të madh: kartonët e animuar Tom e Jerry.

Yang u diplomua për anglisht në Universitetin e Gjuhëve të Huaja në Pekin. Shumë nga shokët e saj të klasës u vranë në trazirat e sheshit “Tiananmen”, por ajo asnjëherë nuk ka dashur të flasë publikisht për këtë temë. Në vitin 1990 u bë prezantuese e “Zheng Da”, ku u bë e njohur për pjesën më të madhe të kinezëve. Në vitin 1994 u transferua në New York për të studiuar marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Kolumbias. Ende sot është entuziaste për atë eksperiencë. “Më hapi mendjen. Komuniteti studentor ishte i lirë, i hapur shumëformësh. Në kampus lulëzonin shumë ide të reja”. Në Nju Jork, Yang takoi Bruno Wo, që pas disa muajve fejesë u bë bashkëshorti i saj. Të dy kishin qenë të martuar më parë. Edhe gjatë studimeve Yang vazhdoi të planifikonte rikthimin në ekranin e vogël, ndërsa i shoqi blinte dhe shiste formate televizive përmes kompanisë së tij në Hong-Kong. Së bashku ndërtuan një program javor intervistash me tema aktualiteti, që u bë suksesi më i madh i Yang. “Yang Lan horizont” nisi në vitin 1996, ndërsa sot quhet “Yang Lan one on one”. Stili profesional, ashtu si rëndësia e të ftuarve të saj, ka mbetur konstant me kalimin e kohës.

Një dritare për botën

Qëllimi i programit ishte t’u ofronte miliona spektatorëve në të gjithë Kinën jo vetëm aksesin, por një guidë inteligjente ndaj realitetit nga i cili përndryshe do të përjashtoheshin. Kinezët janë gjithmonë e më shumë kuriozë për të parë se çfarë ndodh në pjesën tjetër të botës dhe Yang është bërë një model dhe një urë mes kulturave të ndryshme, duke siguruar intervista që në atë kohë as CCTV nuk ishte në gjendje t’i garantonte. Në vitin 2000 ajo dhe burri i saj vendosën të inauguronin një stacion të ri televiziv me seli në Hong-Kong. “Sun Tv” iu prezantua investitorëve si një rrugë e lehtë aksesi për një publik të përbërë nga 1.2 miliardë njerëz. Financuesit besuan te ky projekt, duke investuar 28 milionë dollarë, përveç 11 të tjerëve që vendosi Yang dhe bashkëshorti i saj. Ideja e saj ishte përqendrimi te dokumentarët. “I adhuroj dokumentarët. Janë një mjet i mirë për të folur për kulturën, historinë dhe njerëzimin”. Në Kinë televizionet private nuk mund të prezantojnë programe të reja. Ata mund të prodhojnë vetëm dokumentarë, me qëllim që të mos prekin tema aktualiteti dhe të flasin mirë për vendin. Sot televizioni i drejtuar prej saj e ka marrë veten dhe Lan është bërë fytyra më e dashur për kinezët.

Publikuar: 17.10.2010 | 12:39
Lexuar: 586 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime