Në masën 70% ,banorët i sigurojnë të ardhurat e tyre, prej mbarështrimit të të imtave, përpunimit të leshit, si dhe nga tregtimi i prodhimeve sezonale, pasi krahina ka drejtim blegtoral dhe bujqësor. Por antigonasit, dinë ta ta shfrytëzojnë më së miri pozicionin e tyre.
Albana Allushaj
Antigoneja, është një nga komunat më të njohura në qarkun e Gjirokastrës. Vetëm 3 km larg, ajo shtrihet rrëzë malit të Çajupit, duke i bërë karshillëk qytetit muze. I ngritur mbi shtratin e lumit Drino, komuna u pagëzua me këtë emër, për shkak se në territorin e saj, gjendet qyteti antik, të cilën Pirroja e ndërtoi si dhuratë për gruan e tij Antigonën. E vendosur në një pozicion të favorshëm dhe dominues, zona është mjaft tërheqëse dhe niveli i jetesës konsiderohet i kënaqshëm.
Disa investime jane duke u kryer, ndërsa të tjera shihen si mjaft prioritare, siç është segmenti rrugor që lidh qytetin e Gjirokastrës me Parkun Arkeologjik të Antigonesë. Një përmisërim i saj do t'i jepte një hov të ri zonës, sidomos për zhvillimin e turizmit ditor.
Aktualisht komuna siguron një fitim prej 120 mijë dollarësh në vit, ndërsa banorët i sigurojnë të ardhurat e tyre nga bletaria, blegtoria, bujqësia dhe prodhimet artizanale autoktone.
Të gjitha prodhimet artizanale, krahas motiveve të tyre autoktone, do të kenë edhe imitacione të figurave dhe objekteve të zbuluara gjatë gërmimeve arkeologjike, në qytetin antik. Ky biznes shihet si mjaft fitimprurës dhe tashmë janë hedhur edhe hapat e parë.
Qytetërimi i lashtë do të vijë në një version të ri dhe suveniret janë mjeti më i mirë për të tërhequr vizitorët.
-Zhvillimi i zonës-
`Komuna përbëhet nga 5 fshtarat, Saraqinisht, Arshi Lengo, Krinë, Tranoshishte dhe Asim Zeneli dhe numëron rreth 2500 banorë, të cilët i përkasin besimeve të ndryshme fetare. Mosha mesatare e popullsisë, konsiderohet e re, rreth 35 vjeç.
Ndryshe nga komunat e tjera të rajonit jugor, emigracioni është në nivele të papërfillshme vetëm 8 %. Por tashmë, edhe kjo kategori po kthehet, duke investuar fitimet e tyre, në ndërtimin dhe rikonstruksionin e banesave, si dhe në ngritjen e bizneseve të reja. Vendin e shtëpive të thjeshta e një katëshe tashmë e kanë zënë vilat dy dhe trekatëshe, të ndërtuara me gurë dhe dru, moderne dhe mjaft bashkëkohore.
Mbi 60 % e shtëpive janë rikonstruktuar, proçes ky që vazhdon me ritme të larta sidomos në Saraqinishte, fshat ky që gjendet pranë qendrës arkeologjike.
Afërsia me qytetin dhe resurset që ofrohen për shkak dhe pozicionit mjaft të favorshëm, bënë që banorët të mos e braktisin zonën. Banorët preferojnë që binzeset e tyre t'i vendosin në territorin e komunës. Rreth 17 biznese të vogla, në të cilat janë të punësuar krysisht banorët, kanë ndikuar në uljen e nivelit të papunësisë, ku ndryshe nga komunat e tjera, numri i familjeve të cilat trajtohen me ndihmë sociale është gati i papërfillshëm.
Në masën 70% ,banorët i sigurojnë të ardhurat e tyre, prej mbarështrimit të të imtave, përpunimit të leshit, si dhe nga tregtimi i prodhimeve sezonale, pasi krahina ka drejtim blegtoral dhe bujqësor. Por antigonasit, dinë ta ta shfrytëzojnë më së miri pozicionin e tyre. Afërsia me qytetin e Gjirokastrës dhe me rrugën nacionale ua lehtëson lëvizjen për tregtimin e produkteve, ndërsa afërisa me malin e Çajupit për shkak të florës së pasur të tij, bënë që cilësia e produkteve të tyre, ta ketë tregun e garantuar.
Mjaft prej njësive tregtare të bulmetit jo vetëm në Gjirokastër, por edhe në qytetet e tjera të vendit, si Tirana, Durrësi, etj, janë edhe porositësit kryesorë të tyre.
Kërkesa, gjithnjë e në rritje, për këto produkte, ka sjellë edhe ngritjen e disa punishteve të përpunimit. Mjetet tradicionale dhe ato primitive në prodhimin e nënprodukteve, tashmë janë zëvendësuar nga teknologjia e cila ka rritur jo vetëm cilësinë, por edhe larminë e asortimenteve.
Një impakt të ri, zonës pritet t'i japë edhe ndërtimi i tregut të shumicës së qytetit të Gjirokastrës, i cili ka filluar të ndërtohet në hyrje të territorit të Komunës Antigone, me financim të Bankës Botërore dhe që pritet të përfundojë brenda vitit 2009. Në këtë mënyrë fermerët dhe blegtorët do ta kenë më të lehtë tregtimin e produkteve të tyre.
Por, antigonasit, po i kthehen edhe punimit të tokës, e cila prej vitesh ishte lënë djerrë. E vendosur mbi shtratin e luginës së Drinos, toka rezulton e favorshme për kultivimin e prodhimeve të stinës.
Në disa prej parcelave të tyre, ka nisur kultivimi i produkteve të stinës, ndërsa në një sipërfaqe prej 4 ha për herë të parë po eksperimentohet, edhe në pemtari.
Si një biznes mjaft fitimprurës, që po tërheq vëmendjen e të huajve, gjatë viteve të fundit, janë edhe prodhimet artizanale. Të njohur për prodhimet e tyre tradicionale, si sixhadet, qilimat, velenxat, etj, antigonasit po e shfrytëzojnë këtë, jo vetëm për të rritur të ardhurat e tyre, por edhe si një mundësi për të ruajtjur traditën e tyre të trashëguar në vite.
-"Artizanet e Antigonesë"(AA) -
"Artizanet e Antigonesë", është kompleksi më i ri, i cili prej një muaji është i vendosur në një godinë dy katëshe, në qendër të fshatit Asim Zeneli, me 1 mijë banorë. Tradita e krijuar në punimet artizanale, si një nga tiparet e veçanta dalluese, i shtyu drejtuesit e komunës, të kërkonin bashkëpunim me donatorë të ndryshëm.Këmbëngulja rezultoi e suksesshme.
Në krye të tre viteve përpjekjeje, shoqata norvegjeze Venstres Opplysningsforbung, paraqiti interes për prodhimet tradicionale të zonës. Kryetari i Komunës, Ylli Muho thotë se brenda një kohe të shkurtër, mundëm të fitonim atë çfarë u kishim premtuar banorëve. Ngritën nga themelet kompleksin e artizaneve, një aktivitet ky i mirëfilltë tregtar.
Me një fond prej 100 mijë euro, u bë i mundur rikonsktruksioni i godinës, si dhe blerja e pajisjeve dhe makinerive. Në tetë tezgjahët e drurit të ardhur nga Suedia, punojnë 25 artizanet e para, të cilat endin të ndara në dy turne një larmi punimesh artistike. Të gjitha prodhimet janë me material leshi, i cili përpunohet në kushte artizanale në familjet antigonase.
Lënda e parë, për prodhimin e sixhadeve, qilimave, çantave, plafeve, shalleve, dhe aksesorëve të tjerë zbukurues, përftohet nga mbarështrimi i 5 mijë krerëve bagëti të imta, prej të cilëve edhe blegtorët përfitojnë të ardhura të kënaqshme.
Muho thotë se aktualisht synohet cilësi, ndërsa më pas do të rrisim numrin e asortimenteve dhe të shumëllojshmërisë së artikujve. I gjithë synimi, sipas tij është që përveç produkteve që do të shkojnë për tregun e brendshëm, të mund edhe të eksportohet.
Gjithçka e prodhuar është autoktone dhe në mënyrë artizanale. Kombinime shumëngjyrëshe dhe motive tradicionale të zonës, të kombinuara këto me imitacione zbulime arkeologjike në qytetin antik të Antigonesë.
Tashmë drejtuesit e kompleksit, po mendojnë edhe për mënyrën e tregtimit të produkteve dhe po bëhen përpjekje për t'u lidhur me agjencitë turistike. Disa njësi tregtimi priten të hapen kryesisht në qytetet turistike, si Saranda, Vlora, Durrësi, por edhe në Tiranë, por, padyshim, edhe në qytetin muze të Gjirokastrës, i cili është edhe nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Gjirokastra mbetet edhe qyteti më i preferuar, për tregtim, pasi numri i vizitorëve të huaj, sa po vjen dhe po rritet. "Sivjet fluksi i turistëve vendas dhe atyre të huaj, në qytetin muze ishte i lartë dhe ne do ta shfrytëzojmë këtë për të bërë edhe ekspozimin dhe shitjen e këtyre artikujve", thotë Muho.
Ndërkohë që, dy nga asortimentet që prodhohen nga gratë artizane të antigonesë do të eksportohen drejt Norvegjisë.
Sipas Muhos, 'kjo kërkesë dhe të tjera të cilat kanë filluar të shtohen, do të kërkojnë edhe zgjerimin e reparteve të reja, duke rritur kështu edhe nurmin e të punësuarave, të cilat priten të shkojnë deri në 40 vetë".
-Artizanet-
Një grua, në katër familje, në fshatin Asim Zeneli, është e punësuar në kompleksin e artizaneve. Laureta Loçaj, është njëra prej tyre. Ajo tregon se që e vogël është rritur me punën e avelmendit, pasi çdo familje e ka të trashëguar një të tillë. Por, tezgjahu me të cilin ajo punon së bashku me shoqet e saj, është më modern e më komod, nga ajo që posedon në familje. Të endin, tashmë për to, është kthyer në një domosdoshmëri dhe kënaqësi.
Por, tashmë ato janë më të motivuara. Ndërsa prodhimet e deritanishme ishin për përdorim familjar, tani gjithçka e prodhuar prej duarve të tyre, do të tregtohen. Ajo tregon se asnjëherë nuk i është ndarë punës së avelmendit, pavarësisht se prej tyre nuk siguronin të ardhura. Çdo gjë në familjet antigonase, ka qënë e prodhuar në mënyrë artizanale dhe me material leshi, që nga veshjet e deri tek aksesorët e ndryshëm të zbukurimit.
Edhe pse pas, viteve '90 tek ne, humbi interesi për këto prodhime e kundërta ndodhi me të afërmit tanë që jetonin në emigracion, thotë ajo. Prej vendeve ku ata jetonin vinin porositë. Mjaft prej grave të zonës filluan të punojnë dhe shpërblimi në këtë rast nuk ishte i keq. Por, risku ekzistonte.
Mënyra e tregtimit kishte vështirësitë e veta, pasi duhet të kalonin përmes doganës. Ndërkohë që me punën që ne po bëjmë, shpërblimi është i mirë dhe puna na pëlqen, pasi nuk mund ta shtynim gjithë kohën si të papuna, thotë Loçaj.
Teksa punon dhe tregon punimet, ajo shton se në këtë mënyrë mund të mbajnë gjallë traditën, një traditë e cila jo pak herë ka patur tendenca të zhdukej
-Zbulimet e Antigonesë, imitacione për të tërhequr vizitorët-
E vendosur 16 km larg qytetit të Gjirokastrës, në një pozicion dominues, qytetërimi i lashtë, vazhdon të paraqes interes. Zbulimet e kryera në të, tashmë janë objekt i imitacioneve, për të gjitha prodhimet artizanale autoktone. Vetë komuna, ka zgjedhur si stemë të vetën figurën e Sfinksit, një nga zbulimet më të rëndësishme.
Figura e tij, por edhe i mjaft prej objekteve të cilat qytetërimi i lashtë për shekuj i ka ruajtur në gjirin e vet dhe të dala në dritë gjatë gërmimeve arkeologjike, do të jenë objekt i imitacioneve, të punimeve artizanale.
Krahas ngritjes së kompleksit të artizaneve, po shihet mundësia edhe e ngritjes së dy reparteve të tjerë, atij të gdhendjes në dru dhe derdhjes në bronx.
Të gjitha prodhimet dhe objektet që do të përftohen nga gdhendja e drurit dhe dergjja e bronxit, do të tregtohen së bashku, me ato të prodhimeve artizanale të "Artizaneve të Antigonesë". I gjithë ky lloj biznesi jo vetëm që do të rrisë të ardhurat, por do të krijojë premisa për rritjen e vizitorëve dhe të zhvillimit të turizmit ditor.
Të gjitha suveniret që do të hidhen në treg, pavarësisht se do të jenë imitime, do të përafrojnë me ato autentike. Të paraqitura në një version të ri, padyshim që ato do të ngjallin interesin e blerësve vendas dhe të huaj.
Gjithkush që do të shkojë e do të vizitojë Antigonen, do të ruajë prej saj një relike, qoftë ky edhe imitacion, pasi kjo shihet si një mundësi për t'i rikthyer asaj shkëlqimin e dikurshëm të një qytetërimi, të cilën Pirroja e ngriti në nivelet më të larta ekonomike, kulturore dhe artistike, të asaj kohe