"Çështja e pronave është bërë pengesë për zhvillimin e qytetit si pasojë e ligjit 7501", thotë Gunari, që shton se nëse ky ligj të mos ekzistonte, Saranda do të kishte sot një tjetër panoramë. Ai thotë se tashmë duhet një tjetër plan urbanistik, pasi egzistuesi çalon në disa drejtime.
Telnis Skuqi
- Qyteti i Sarandës, 260 km larg nga Tirana në skajin më jugor, që u ndërtua për turizëm, dy dekada më pare mbulohej nga gjelbërimi, ndërsa sot mbivendosja e pronave pengon zhvillimin e tij, thotë Agim Mato, 63 vjeç administrator i shtëpisë botuese "Milosao".
"Ky është fakti. Saranda është betonizuar", thotë Mato, që ndërsa shton se ligji 7501 ka sjellë vetëm probleme të mprehta sociale në këtë qytet, mendon se "kolonizatorët" pas vitit 1991 e kanë keqpërdorur shansin, pasi kanë ndërtuar pa respektuar plani urbanistik.
"Urbanistika e transformuar e Sarandës është "plaga" ku qyteti lëngon", mendon Mato, që sot qahet për fatin e tij të keq, një ish-pronar.
Sipas tij, ky qytet nuk shërohet, sado i sukseshëm të jetë operacioni, nëse nuk vihet pika mbi "i".
"Thuajse të gjitha objektet të ligjshme dhe të paligjshme të ndërtuara gjatë 20 vitet të fundit nuk kanë vendparking. Numri i popullsisë për dendësi është rritur dhe fatkeqësisht nuk respektohet plani urbanistik, edhe pse në letra ai egziston", pohon Mato.
Ndërsa Panajot Gunari, drejtor i Zyrës së Urbanistikës pranë Bashkisë së Sarandës, e cilëson ligjit 7501, si "kancerin" e qytetit.
"Çështja e pronave është bërë pengesë për zhvillimin e qytetit si pasojë e ligjit 7501", thotë Gunari, që shton se nëse ky ligj të mos ekzistonte, Saranda do të kishte sot një tjetër panoramë. Ai thotë se tashmë duhet një tjetër plan urbanistik, pasi egzistuesi çalon në disa drejtime.
"Qyteti është një përzierje e arkitekturës italiane sipas modelit Porto Eda, arkitekturës komuniste dhe kësaj të tanishmes, që mund të quhet e tranzicionit. Plani i ri duhet të marrë në konsideratë pikërisht dhe stilin arkitektonik të ndërtimit", shpjegon Gunari.
Sipas tij, miratimi i shpejt i planit të ri urbanistik do ta frenonte shkatërrimin e mëtejshëm të qytetit bregdetar.
"Më mirë vonë se kurrë! Parlamenti duhet të miratojë një ligj që disiplinon marrëdhëniet midis "kolonizatorëve" dhe ish-pronarëve, në mënyrë që dhe saranda të vazhdojë t'u ofrojë pushuesve vlerat dhe bukuritë e trashëguara nga shekujt", mendon Gunari.
Në Sarandë janë ndërtuar mbi 3500 objekte informale, ndërsa 800 ish-pronarë presin të ripronësohen.
Gunari kujton se dy vite më parë, ekspertët e Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Teknik (GTZ) treguan interes për projekte investimesh në fushën e turizmit elitar, por më parë kërkuan të njiheshin se si kanë ecur procesi i regjistrimit e hipotekimit të pronave.
"Ligji shqiptar e lejon blerjen e trojeve apo pronave të tjera nga të huajt, por blerje të tilla kanë koeficient të ulët sigurie", thotë Gunari.
Me bindje ai shprehet se nëse një huaj vendos të blejë një truall, apo pronë në Sarandë, ai është i interesuar t'ia blejë ish-pronarit dhe jo personave që kanë përfituar nga ligji 7501. Dhe kjo i kupton të gjitha....