Eshtë vërtetë një gjë shumë e rrallë. Secili që ka mundur ta shohë, nuk mendoj se mund të jetë larguar pa mbresa....... të njëjtat morëm edhe ne kur i pamë sa të vërteta dhe reale ishin këto piktura.
Entela Xheraj
Telajo mbi mure nga piktorët me uniformë
Eshtë vërtetë një gjë shumë e rrallë. Secili që ka mundur ta shohë, nuk mendoj se mund të jetë larguar pa mbresa....... të njëjtat morëm edhe ne kur i pamë sa të vërteta dhe reale ishin këto piktura.
Në bregdetin e Durrësit, pikërisht në vendin ku janë puthitur cimat e para të anijeve të një shteti të NATO-s, të cilat mbërritën në Shqipëri në vitin 1991, në përbërje të batalionit "San Marko" nga Italia, pas shumë vitesh lufte të ftohtë psikologjike, kur NATO konsiderohej si një bllok armiqësor ndaj vendit tonë me rrezikshmëri të lartë, tashmë ka mbetur një arsenal i madh pikturash murale, që të mahnitin me variantet dhe botën e bukur rinore që kanë dashur të shpleksin të rinjtë, miq me uniforma, gjatë qëndrimit në vendin tonë.
Në bllokun e madh të murit mbrojtës të portit të Durrësit, në ndarjet fragmentare të mureve që quhen edhe dallgëthyeset e portit, pikërisht në zonat murale që kanë formën e bedenave, janë hedhur penelatat e pikturave murale nga ushtarët, që mund të cilësohen edhe si ngjyrat ogurmirë për të shtruar rrugën e vendit tonë drejt NATO-s. Ndodhi këtë vit. Dhe kjo faqe murale portuale e Durrësit duhet të ishte një pjesë e asaj historie të pak viteve kur gjithçka u përmbys dhe u transformua nga një âarmiqësi shumë vjeçare", ânë një miqësi" që i ka lënë gjurmët e veta jo vetëm në protokollet shtetërore, por edhe te qelizat e shtetit, tek ushtarët dhe njësitë e saja që gjatë kësaj periudhe hodhën themelet e një klime të gjatë e të qëndrueshme sigurie kombëtare, që u konkretizua së tepërmi gjatë luftës së Kosovës e më pas me futjen e Shqipërisë në strukturat e NATO-s.
GALERI ARTI NE NATYRE
E gjithë sipërfaqja murale është një galeri arti në natyrë, ku nuk ka ardhur asnjë autoritet zyrtar për ta përuruar. Këtu nuk ka pasur as organizim vizitash nga qytetarë të ndryshëm, siç ndodh rëndom në rastet normale nëpër veprimtaritë e organizuara të kësaj natyre, por që përsëri nuk janë të tilla, sepse ky art që po flasim, është art i një kategorie të veçantë njerëzish, është art që i përket një miqësie ushtarake dhe që ka në të elemente të artit të pikturës murale të David Sikierosit. Kushdo mund t"i kundrojë dhe në se ke fletëhyrje për në portin e Durrësit, pa biletë... Autorët nuk kanë bërë studime të shumta se si do t"i rezistojë për shumë vite boja e anijeve betonit dhe gërryerjeve nga lagështira e kripur e bregdetit Adriatik, por kanë dashur që për aq sa të jetë e mundur, të lënë diçka nga jeta e tyre dhe historia e viteve të rinisë, që fati ua caktoi ta kalonin në këto brigje, në një vend mik si Durrësi.
Duke u nisur nga datat që kanë lënë âpiktorët me uniformë" në telajot e betonëve së dallgëthyesve të mureve portuale konstaton lehtësisht se kjo âgaleri arti" në natyrë është nga më të vjetrat për periudhën e pluralizmit në qytetin e Durrësit, pasi ish-galeria e arteve shtetërore kishte përfunduar misionin e vet dhe i qe kthyer si godinë pronarëve të sajë legjitim, ndërsa galeria private "Jozef", që funksionon sot në Durrës, është hapur shumë kohë pas ngjarjeve të vitit 1997. Pikturat murale përkojnë në vjetërsinë e tyre me datat që kanë hedhur me bojën metalike të anijeve, ushtarët e rinj italianw dhe që u përkasin periudhës së parë dhe të dytë të viteve të demokracisë, pikërisht nw vitin 1997.
LINDJA E GALERISE
Ka lindur, me siguri, krejt rastësisht. Një ushtar me pak talent, duke kërkuar që të kalojë disi orët e vetmisë në një vend që pak e njeh dhe mbase atë trishtim të moshës që ta jep jetesa e veçantë nën urdhra në një garnizon ushtarak, larg gjërave të bukura të përditshme që atdheu i vet ia ka ofruar deri në ato momente me bujari, ka marrë furçën dhe me bojën që i ka tepruar nga lyerja e sipërfaqeve metalike të anijes së vet ushtarake, lyerje që është e vazhdueshme për të mos lënë ndryshkun dhe forcën e kripërave të detit për të gllabëruar metalin e anijes nga ndryshku, që në ujwrat e deteve është armiku kryesor i këtyre mjeteve ,( përjashto topat, raketat e minat detare) ka dashur që të lerë në këtë mur pak nga jeta e vet në këtë cep të bregdetit shqiptar...
Pas pak kohe, kur piktori i parë është tranferuar në një tjetër zonë, një i talentuar si ai, ka parë se çka punuar bashkatdhetari i vet dhe ka menduar se edhe ai mund ta realizonte këtë pamje, madje mund të jetë përpjekur që të bëjë edhe diçka më të bukur, dhe kështu ka lindur gara se kush do të bënte pikturën më të bukur murale, ashtu siç edhe nuk mund të përjashtohet mundësia që një tjetër, duke pasur ambicien, ka dashur të provojë nëse mund të realizojë edhe ai një gjë të bukur siç arritën shokët e vet (të panjohur). Meqë rrugët e artit në modernizëm janë të gjera, ai ka guxuar dhe mbase ka mbetur i kënaqur me veten teksa ka parë që ka mundur të realizojë një pikturë të tijën, pse jo një pikture kushtuar diçkaje prozaike, siç është edhe ajo kushtuar skuadrës së kuzhinës..."TEAM CUCINA".
Pra kjo galeri ka lindur në këtë cep të mureve të portit, ku qenë të ankoruara edhe anijet e trupave të ardhura kryesisht nga Italia, në afërsi të ish- kalatës, aq të përmendur për anijet fantazma që ankoroheshin dikur dhe që përflitet se luanin kontrabandën e cigareve dhe të armëve... Krahas lyerjes me bojë të anijeve, shpirti praktik racional i të rinjve italianë, ka bërë që kjo bojë të përdoret edhe për diçka më poetike se lyerja e arsenalit të metaleve e llamarinave sipërfaqësore të anijeve. Krahas prozaizmit të jetës së përditshme të ushtarit (në këtë rast, të marinarit), duke zbatuar rregulloret e shërbimit dhe të një jetese rutinë, kanë vendosur me intuitë të përbashkët, që edhe pse nuk janë njohur me njeri-tjetrin, të vendosin në ato telajo që mund të ishin edhe si objektiva qitjeje, pak fragmente nga jeta e tyre si dhe klima poetike e kohës dhe e moshës së piktorëve. Dhe i kanë hedhur në telajo, por në telajo betoni tashmë.
Në pikturat e shpleksura në një gjatësi të konsiderueshme të murit rrethues të Portit të Durrësit, nuk ka vetëm një kuriozitet të veçantë, por në to ka edhe art, madje një mishelanea artistike siç mund ta cilësojmë, ku ndërthuren elemente të artit klasik me atë të artit modern, gjë që reflektohet edhe nga niveli kulturor i periudhës së rinisw shkollore të marinarëve që i kanë bërë këto piktura interesante. Përveç artit dhe pasionit të shpërthyer në ngjyrat e bukura të pikturave, ka edhe poezi, por edhe më shumë histori... Në to, si në një procesverbal, janë shënuar edhe emra ushtarësh detarë, numra repartesh, anije të veçanta, lloje specialitetesh ushtarake, siç e theksuam më sipër, duke filluar nga transportieret e deri tek ekipi i kuzhinës, pa harruar edhe bixhozxhinjtë që vrasin kohën e shërbimit duke luajtur letra dhe përveç simbolit të bixhiozit, një nxjerrje gjuhe për humbësin si dhe perifrazimi i thënies së vjetër latine: "vae verdickt" (mjere të humburit).
PIKTURA E PARE
Mbase jo paqëllim autorët gjysmë anonim të saj i kanë vënë në lartësi një kurorë mbretërore, të stilizuar me ndërthurje prej bedenave të kështjellave, (ndoshta të parë në kurorën e kalasë së Durrwsit të konstruktuar nga Perandori i madh bizantin me origjine Shqiptare, Anastasi).
Theksojmë gjysmë anonimë, pasi në një cep të saj, me modesti, është lënë e shkruar edhe se kush e ka bërë atë. Janë Luka dhe Aleksi. Këtë e gjejmë në një shënim në gjuhën angleze, në pjesën afërsisht fundore të pikturës. Të shkruara me germa të vogla dhe të zeza : "BY LUCA E ALEX ", (nga Luka dhe Aleksi) që mund të jenë edhe ideatorët e parë të nismës për konstruktimin e kësaj galerie arti mural në natyrë.
Në qendër të pikturës është simboli i NATO-s. Në pjesën sipërore të këtij simboli është shkruar me shkronja të mëdha : "Renato Peneti" dhe në pjesën fundore është shkruar "Prosempre Arretiu". Në qendër të pikturës ndodhet simboli i NATO-s, dhe te shigjetat e busullës janë shënuar vetëm dy shenjat e horizontit, Lindje e Perëndim. Mungojnë shenjat e Veriut dhe të Jugut. Mbase një parathënie e daljes së Shqipërisë nga lindja dhe kalimi i saj në vendin e vet në Perëndim....por e thënë artistikisht.
Piktura që e pason është interesante. Dy delfinë që janë edhe krahët e një spirance. Një zgjidhje e bukur dhe e thjeshtë artistike, që simbolizon edhe 2 popuj që kemi në mes një det të përbashkët. Interesante është edhe figura e rojws bregdetare. Trupi i rojës është personifikuar në një trup njeriu me kokë peshkaqeni, e cila të kujton një nga figurat e gjetura në piramidat e Egjiptit të mbretit Anubis. Roja i bregdetit, me kokë peshkaqeni, bën sërf në det, i hipur sipër një predhe. Po edhe predha ka kokë peshkaqeni. Ky peshkaqen silurë nxjerr nga pjesa e bishtit tymërat dhe në mjegullën që krijojnë. Numër që duhet të jetë, sipas dokumentimit mural, CP 240.
PIKTURA SIMBOL I SHQIPËRISË
Eshtë një faqe e tëra unikale, që pasqyron me ngjyra të ndezura flamurin tonë kombëtar. Eshtë Shqiponja, simbol ynë ndër shekuj, që ndonjë duke qenë se e ka vlerësuar, ashtu siç mund të ketë vlerësuar edhe miqësitë që ka pasur me shqiptarët, ka vendosur që të lërë duke treguar indirekt, edhe një formë të respektit të tij për shtetin që i ka pritur dhe që ata i janë gjendur pranë në momente të vështira. Piktura është tepër interesante dhe të imponohet me saktësinë e riprodhuar dhe kënaqësinë që të jep kur mendon se ka qenë një i huaj që e ka vlerësuar dhe e ka sintetizuar në art këtë simbol. Poshtë shqiponjës së madhe me dy kokë, simbol i lashtësisë arbnore të shqiptarëve, është edhe adresa e piktorit anonim. Njësia MIV CP 250.