Atje ku e gjuan LDK një gur, njëqind PDK se nxjerrin dot.
Dukagjin Gorani
Deri para një muaji, e gjithë opozita kërkonte zgjedhje të parakohshme. Sidomos, Blerim Shala. Deri të shtunën e kaluar, Kryetari i Prishtinës insistonte në rrënim të koalicionit qeveritar. Punë kjo që ia doli. Deri para disa ditëve, Vetëvendosja refuzonte realitetin politik dhe rendin kushtetues në Kosovë. Tash, jo më. Që të gjithë bashkë, ishin kundër privatizimit të PTK. Madje, kjo e fundit u bë shkas për tu ngujuar këtu ku jemi sot.
Mirëpo, sot opozita insiston që Qeveria të mos rrëzohet. Madje, as Blerim Shala nuk e do këtë. I madh e i vogël nuk duan zgjedhje të jashtëzakonshme as të parakohshme. Sot, Kryetari i Prishtinës me kolegë refuzojnë të binden që Kuvendi ta votojë mosbesimin për Qeverinë që e urryen aq shumë dhe që e sulmuan pa mëshirë, tash e tre vjet.
Sot, të gjithë këta insistojnë ta shohin Kryeministrin Thaçi aty ku është. Në pushtet. Madje, edhe Blerim Shala. Natyrisht, atë vazhdojnë ta akuzojnë politikisht e ta ofendojnë moralisht; kërkojnë që Qeveria e tij të rrëzohet por vetëm ashtu dhe atëherë kur u konvenon atyre. Madje, nëse partia e Kryeministrit kërkon mocion nga Kuvendi për ti dhënë fund, pra, kësaj qeverisjeje, ajo akuzohet për destabilizim të vendit.
Sështë mahi me këtë opozitë: ajo po kërkon ndërrim të pushtetit por jo edhe zgjedhje. E si të bëhet kjo? Me dekret? Grushtshtet?
Kur Fatmir Sejdiu braktisi postin e Presidentit, u detyruam ti shpallim zgjedhjet e parakohshme. Në vend se të gëzohet, opozita tha se është shumë herët, se është dimër i ftohtë, se kjo po bëhet me qëllim dhe se, natyrisht, Kryeministri i ka të gjitha fajet. Kur LDK tradhtisht braktisi koalicionin dhe na detyroi ti shpallim zgjedhjet e jashtëzakonshme, opozita u kërcënua se nëse ato mbahen, kjo do të ishte tradhti kombëtare, destabilizim i vendit dhe se, natyrisht, Kryeministri i ka të gjitha fajet.
A di gjë kush se çfarë po ndodh?
Ajo që di unë, e dini edhe ju: sot Kosova nuk ka President, meqë ai që patëm kishte shkelur Kushtetutën për të cilën thoshte ta ketë hartuar me dorë të vet. Kosova sot ka krizë qeveritare meqë kësisoj deshi partia e ish-Presidentit. Kosova nuk ka as Guvernator të Bankës Qendrore, meqë aktualisht ndodhet në arrest. Madje, që prej javës së kaluar nuk ka as Drejtor të Përgjithshëm të Policisë meqë ai që patëm vendosi ti shkojë politikës deri në fund. Për momentin, Kosova ka vetëm opozitë në televizion.
Natyrisht, fajet për të gjitha këto i paska Kryeministri Hashim Thaçi. Këso kopalla dëgjoj përditë nga përfaqësues opozitarë. Për më tepër, çdo ditë kërkohet dorëheqja e tij, dhe, kur ai pajtohet me këtë akuzohet për tradhti e destabilizim. Një javë më herët e akuzuan se plani i tij për privatizim të PTK-së është shitje e shtetit. Nuk lanë gjë pa i thënë. Sot, thonë se mosprivatizimi i saj është dështim për zhvillimin ekonomik. Madje, LDK dezertoi nga koalicioni qeveritar duke vajtuar lot nuseje mbi fatin e PTK-së. Dje mora vesh se as ajo nuk qenka kundër privatizimit të saj dhe se e përkrah në tërësi.
Hyp se tvrava...
Po mirë, çfarë mendojnë këta njerëz? Se gjithë këto marrëzi nuk i vëren kush? Se mund ta shkelësh Kushtetutën dhe të shtiresh kinse sndodhi gjë? Se mund ta braktisësh koalicionin qeveritar për inate fëmijërore dhe këtë turp ta arsyetosh me tirada demokratike në Rubikon? Se mund të ofendosh publikisht ministra e këshilltarë për bisedime sekrete me Serbinë dhe pastaj privatisht ta lusësh bashkësinë ndërkombëtare që të të angazhojë në ndonjë ekip të unitetit sa për tu parë në CNN teksa ia zgjat dorën Tadiqit? Se Kryeministri mund të poshtërohet ditën, kurse natën të pritet në rresht për një takim darke me të vetëm sa për tiu rrëfyer se kështu e ka politika në Kosovë...?
Kështu e paska politika në Kosovë, a? Sqenka tjetër veçse një farsë provinciale para syve të qytetarëve dhe krejt botës. Një teatër amator ku aktori e fsheh paaftësinë e vet me fjalë të mëdha, qëndrim kreshnik dhe britmë.
Patjetër, qytetari është audienca kryesore këtu. Në këtë komedi katundi, ai shihet vetëm si një votë me dy këmbë. Për të besohet të ketë kokë por jo edhe tru. Besohet se për të është më me rëndësi të dëgjojë dokrra presidenciale sesa të ketë rrymë, rrugë e shkolla. Se ai po e vlerësoka vetëm atë që me aksent të huajtur e flet shqipen, vetëm atë që ka biografi të trilluar qytetare e jugosllave, vetëm atë që ia del të shkruajë analiza politike në Express një herë në javë. Se për kosovarin qenka me rëndësi vetëm forma, jo edhe përmbajtja. Se ai është një imbecil që smund ti kuptojë kurrë gjithë këto mashtrime e shpifje. Se ai kurrë nuk do ta marrë vesh se prapa burrërisë televizive opozitare rregullisht fshihen vajtimet, lutjet e dënesat për ndarje të pushtetit. Se ai kurrë sdo ta hetojë se në politikën kosovare çdo fyerje publike rregullisht përcillet me kërkim-falje private.
Paj, ndoshta kjo edhe është e vërtetë. Ndoshta qytetarin kosovar vërtet mund ta bindësh se Kryeministri i tij ka faj edhe për vërshimet në Brazil. Ska rëndësi pesë minuta më vonë mund tia dërgoni një SMS për ti kërkuar ndjesë.
Meqë, kështu e paska politika në Kosovë.
(Autori është Këshilltar i Kryeministrit të Kosovës)