Komisioni zgjedhor komunal i Qytetit të Shkupi sot e konfirmoi radhitjen e kandidatëve në fletvotimit për kryetarë komunash për zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen më 22 mars.
E para në fletvotim do të jetë Mirjana Najçevska kandidate e Partisë Liberaldemokrate, i dyti është Shefqet Zekolli nga BDI-ja, në vendin e tretë është Koce Trajanovski nga VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni që e kryeson këtë parti, i katërti është Janko Baçev nga Lëvizja Kombëtare për Maqedoninë.
Si i pesti në short u tërhoq Tito Petkovski kandidat i PRSD-së dhe LSDM-së, i gjashti Strasho Angellovski nga VMRO-PP dhe TMORO-VEP, i shtati Llazar Elenovski nga Lidhja Socialdemokrate, i teti Dushko Popovski nga Partia Liberale e Maqedonisë, i nënti është Tërpe Gruevski nga Partia Socialdemokrate e Maqedonisë, i dhjeti Dragi Kollçakovski nga VMRO-PP dhe i njëmbëdhjeti është Argëtim Nagavci nga Demokracia e Re.
Para fillimit të shortit u kumtua se Komisioni i ka pranuar të gjitha kandidaturat që kanë mbërritur në adresë të tij.
Gjatë ditës së sotme është kryer edhe shorti për radhitjen e listave të këshilltarëve për Qytetin e Shkupit.
Brenda 25 shkurtit deri në mesnatë KKZ-ja duhet t'i publikojë në të gjitha vendbanimet dhe vendvotimet në komunat listat për kryetarë komunash dhe këshillet.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale por edhe për ato lokale, që mbahen njëkohësisht, fillon 20 ditë para zgjedhjeve, respektivisht më 3 mars, ndërsa përfundon 24 orë para ditës së caktuar për votim.