Gjuha shqipe si lëndë mësimore do të jetë obligative në të gjitha fakultetet e Universitetit të Prishtinës, që nga semestri i dytë i këtij viti akademik.
Rektori i Universitetit të Prishtinës ka propozuar që gjuha shqipe të përfshihet si lëndë obligative në të gjitha njësitë akademike. Për këtë çështje është formuar një komision profesional nga departamenti i gjuhës shqipe në Fakultetin e Filologjisë, i cili ditë më parë i ka prezantuar rektoratit një projekt-propozim bashkë me planin mësimor dhe planin e punës.
Në këtë projekt-propozim, është paraparë që emërtimi i kësaj lënde për të gjitha fakultetet të jetë Kulturë gjuhe, duke përfshirë brenda saj edhe elemente të shkrimit akademik. Zyrtari për informim në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, Isuf Iberdemaj, thotë se mësimi i gjuhës shqipe do të mbahet në nivelin e mësimeve lektorale.
Iberdemaj thotë se nuk është e domosdoshme që kursi i gjuhës shqipe të mbahet patjetër në vitin e parë të studimeve. Sipas tij, kursi mund të mbahet në vitin e dytë ose të tretë të studimeve.
Vendimi për përfshirjen e gjuhës shqipe në të gjitha njësitë akademike, bazohet sidomos në gabimet drejtshkrimore që bëjnë studentët gjatë provimeve.
Mangësitë në zbatimin e standardit të shqipes nuk janë të theksuara vetëm tek studentët, por edhe tek shtresa intelektuale. Iberdemaj thotë se është vënë re që pavarësisht se në çfarë fushe kanë studiuar kuadrot tona, ata flasin dhe shkruajnë me shumë gabime. Kjo e ka shtyrë rektoratin që gjuha shqipe të jetë obligative në të gjitha fakultetet.
Përzgjedhja e stafit që do të ligjërojë në këtë lëndë do të bëhet përmes një konkursi publik, që do të jetë në kompetencë të Fakultetit të Filologjisë. (rtk)