E enjte, 24.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ministri Bujar Osmani ka deklaruar se përveç këtij objekti, në spitalin klinik të Tetovës janë investuar rreth 10 milion euro, për përmirësimin e kushteve dhe modernizimin e objektit i cili pritet të jetë rajonal.
Inaugurohet objekti i shkencave tė mjekėsisė pranė USHT-sė








Është inauguruar sot objekti spitalor dedikuar Fakultetit të shkencave të mjekësisë të USHT-së, që vepron në kuadër të spitalit klinik të Tetovës.

Objekt posedon ambiente mësimi, një amfiteatër me kapacitet prej 150 vende, mensë studentore dhe hapësira tjera të nevojshme. Për këtë objekt janë shpenzuar 600 mijë dollarë, donacion i Bankës Islamike për Zhvillim.

Nga kjo bankë kanë paralajmëruar edhe bashkëpunime tjera apo investime tjera në sferën e shëndetësisë.

Ministri Bujar Osmani ka deklaruar se përveç këtij objekti, në spitalin klinik të Tetovës janë investuar rreth 10 milion euro, për përmirësimin e kushteve dhe modernizimin e objektit i cili pritet të jetë rajonal.

FJALIMI I MINISTRIT TE SHENDETESISE z. BUJAR OSMANI ME RASTIN E INAUGURIMIT TE OBJEKTIT TE SHKENCAVE TE MJEKESISE PRANE USHT-se


I nderuari Rektor i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. Dr. Agron Reka,
Të nderuar përfaqësues të Bankës Islame për Zhvillim,
Të nderuar prorektorë, dekanë, profesorë, mjekë dhe ju kolegë studentë,

Kam kënaqësi që sot gjendem para jush përsëri pas një viti, kësaj radhe për ta inauguruar një projekt të cilin e filluam në prill të vitit 2009. Ashtu si kishim premtuar qysh në fillim të angazhimit tonë në këtë përbërje qeveritare dhe në resorin e shëndetësisë, jemi sot këtu që ta përurojmë hapjen e qendrës edukative-shëndetësore në kuadër të Qendrës Spitalore të Tetovës, përkatësisht Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Duke punuar në drejtim të avancimit të gjithmbarshëm të shëndetësisë në vend, sidomos në zonat që deri tash në një mënyrë ishin lënë pas dore, sfidë e kësaj përbërje të Ministrisë së Shëndetësisë ishte dhe mbetet ngritja e kapaciteteve shëndetësore edhe në rajonin e Pollogut. Gjithë kjo me synimin që ky qytet njëmend të bëhet qendër rajonale shëndetësore, në të cilën do të gravitojnë edhe qytetet e tjera të Maqedonisë Perëndimore. Për këtë qëllim disa herë në të kaluarën jemi përpjekur të ndihmojmë që fakultetet e mjekësisë dhe stomatologjisë në Tetovë mos të dallohen me asgjë nga fakultetet simotra në Shkup dhe, në këtë drejtim, natyrisht në bashkëpunim edhe me faktorë të tjerë, deri tash ia kemi dalë që vërtet të lëmë pas vetes gjëra që gjeneratat e ardhshme do t’i gëzojnë dhe mbase do të na falënderohen. Për ta dëshmuar këtë në vepër, jemi sot që ta përurojmë këtë kapacitet edukativ-shëndetësor pranë Qendrës Klinike Spitalore në Tetovë, me çka këtij qyteti po ia dhurojmë një resurs të rëndësishëm në të cilin mjekët e ardhshëm, studentët e sotëm të shkencave të mjekësisë, do të kenë mundësinë dhe përparësinë që nuk e kanë pasur shumë kolegë para tyre, që të arsimohen e profesionalizohen njësoj si studentët e mjekësisë anekënd botës së qytetëruar.

Me këtë rast, përveç iniciativës dhe angazhimit tonë, meritor për këtë arritje janë edhe miqtë e Bankës Islame për Zhvillimin, të cilët me donacionin e tyre prej 600.000 dollarësh na mundësuan ta realizojmë një projekt kaq madhështor e të rëndësishëm. Kur jemi këtu, dëshiroj që në emrin tim dhe të gjithë të punësuarve në Ministrinë e Shëndetësisë ta falënderoj donatorin e këtij projekti, duke shpresuar se ky nuk do të jetë donacioni i fundit i tyre te ne.

Të nderuar të pranishëm,

Duke qenë të përcaktuar seriozisht dhe fuqimisht në përmirësimin e shëndetësisë dhe të studimeve mjekësore në këtë klinikë dhe në këtë universitet, deri në fund të vitit patjetër që do ta përfundojmë edhe qendrën diagnostike-urgjente, që përfshin një projekt 200 milionë denarësh, që bashkë me furnizimet disamilionëshe me pajisje moderne mjekësorë, që tashmë janë në vijim e sipër dhe në këtë klinikë do të vijnë për herë të parë në historinë e saj, si edhe librat universitarë më bashkëkohorë e më prestigjiozë në fushën e mjekësisë që po botohen për studentët e këtij fakulteti, për vetëm dy-tre vitet e fundit e kthejmë Tetovën në një qendër të vërtetë shëndetësore me të gjitha tiparet e një qyteti modern shëndetësor sipas përmasave evropiane.

Me këtë rast dëshiroj të theksoj se kjo qeveri dhe unë si ministër i Shëndetësisë, duke e pasur edhe mbështetjen e plotë të partisë sime, ndërsa duke u nisur nga qëllimet programore në fushën e shëndetësisë, kujtoj se deri tash dëshmuam qartë se si kalohet prej fjalëve në vepra. Duke u nisur nga përcaktimet tona që ta përparojmë cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve, kur jemi këtu, veçmas të kësaj pjese të vendit, me plot guxim dhe vendosmëri u kemi hyrë ndryshimeve të patjetërsueshme rrënjësore në shëndetësi, me çka jemi të bindur se dukshëm do të përmirësohen edhe studimet e shëndetësisë te ne, ndërsa në plan afatgjatë kjo do të reflektohet me shëndetësi më cilësore, me nivel më të lartë të shërbimeve shëndetësore dhe, në përgjithësi, me shëndet më të mirë të të gjithë qytetarët të Pollogut e më gjerë.

Të nderuar,

Jam plotësisht i vetëdijshëm se që të mund të flasim për ndonjë sukses pas vete patjetër duhet të krijojmë diçka të prekshme, diçka nga e cila do të kenë dobi jo vetëm gjeneratat e tanishme, por edhe të gjithë ata që do të vijnë pas nesh. Vetëm në atë mënyrë do ta trasojmë rrugën e progresit dhe vetëm ashtu do të garantohet prosperiteti i të gjithë qytetarëve dhe gjithë shoqërisë.
Ne sot mund të jemi ministra, deputetë e funksionarë. Sot mund të jemi në pushtet, nesër në opozitë a gjetiu, por këto kapacitete dhe themele që po i vendosim sot do të jenë të përgjithmonshme për qytetarët e këtij rajoni. Prandaj kjo ditë duhet të jetë një festë për të gjithë ne.

Ju faleminderit!

Publikuar: 25.10.2010 | 16:44
Lexuar: 758 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime