Mospërfshirja në investime të kësaj godine, e konsideruar si kartolina e pjesës muzeale, ka bërë që pronarët e saj të gjejnë si zgjidhje vendosjen e disa plasmaseve për mosdepërtim të ujit në të.
Albana Allushi
Në një kohë kur një pjesë e banesave karakteristike të qyteti të gurtë kanë përfituar investime dhe kthim në identitet, dritaret e godinës 6 këndore në zemër të pazarit të vjetër 300 vjeçar janë të mbuluara me plasmas.
Mospërfshirja në investime të kësaj godine, e konsideruar si kartolina e pjesës muzeale, ka bërë që pronarët e saj të gjejnë si zgjidhje vendosjen e disa plasmaseve për mosdepërtim të ujit në të.
Rreziku është evident. Alarmi fillimisht vjen prej tregtarëve të Qafës së Pazarit, një vit pas ndërprerjes së punimeve për restaurimin e saj. Panorama që të ofrohet, është një tjetër shqetësim.
Godina, e cila shërben si njësi tregtimi për suvenire, e që është stacioni i parë për çdo vizitor, është nyja që lidh pesë degëzimet e rrugëve të kalldrëmta.
Kastriot Dhrami, pronar i saj, tregon se prej një viti që kur kanë përfunduar punimet, godina rrezikon shembjen, pasi e vetmja ndërhyrje ishte ajo në pjesën e sipërme në çati dhe lyerja e fasadës.
Ai tregon se godina ka ngelur pa dritare dhe se me afrimin e shirave është detyruar të vendos plasmas për mosdepërtim të shiut dhe erës.
Edhe pse e gjithë pamja që të ofrohet, lë për të dëshiruar, e dikush duhet të vejë dorë, shprehet ai.
Që prej vitit 2005, kohë kur qyteti i Gjirokastrës për shkak të veçantisë së tij, arkitekturës e ndërtimit të strukturës së banesave dhe stilit të ndërtimit të tyre për të dal nga lëngimi disa vjeçarë, u mor nën mbrojtjen e Uneskos.
Qyteti filloi të rizgjohej nga zhurma e çekiçëve, të cilët prej dekadash nuk dëgjoheshin më në rrugët e kalldrëmta.
Qyteti dhe sidomos banesat e saj po merrnin pamjen e dikurshme, ndërsa interesi i vizitorëve sidomos atyre të huajve filloj të rritej gradualisht.
Rritja e tyre u shoqërua me rritje investimesh nga Qeveria Shqiptare dhe Unesko. Por, kjo godinë duket se u anashkalua jo vetëm për shkak të mungesës së fondeve, por sepse degradimi i saj nuk ishte i së njëjtës shkallë me të tjerat.
Restauratori, Reshtat Gega, pranon faktin se punimet kanë mbetur pezull për mungesë fondesh, duke vënë në rrezik edhe godinën për shkak të peshës së çatisë.
6 këndori nuk ka qenë i përfshirë në projektet e ashtuquajtura në UNESKO, sepse projektet janë të prodhuara nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe në to nuk kishim parashikuar as çatinë apo dritaret, as punime të murit dhe as punime të tjera që kanë të bëjnë me strukturën e saj, nënvizon Gega.
Referuar ndërhyrjeve të bëra në të, Gega sqaron se janë bërë disa ndërhyrje kundrejt fondeve të shtesave që u akorduan për çatinë. Ndërhyrjet në çati konsistuan në zëvendësimin e tullave të kuqe me rasa guri.
Nisur nga gjendja në të cilën ajo ndodhej, lindte nevoja e ndryshimit të strukturës që kishte vetë çatia. Por, kjo kishte kosto, pasi sipas Gegës, kur do vendoseshin dritaret doli një tjetër problem teknik, edhe ajo e papërfshirë në projekt e për pasojë dhe në shpenzime që priteshin të realizoheshin në punë.
E gjithë struktura e murit është me lëndë druri, dhe ajo ishte tejet e kalbur.
Specialistët thonë se degradimi është në një shkallë të tillë që as kasat e dritareve nuk i mban.
Nëse hynim me kriteret e restaurimit, ne duhet të ndërhynim deri në muraturë. Të zbërthehej, të nxirrej skeleti i drurit, të rikuperohej e gjithë si strukturë dhe më pas të ribëhej, dhe më pas të krijohej situata për vendosjen e dritareve, shprehet Gega.
Si një restaurator i mjaft banesave, Gega tregon se dritaret duhet të ribëhen e për to nevojiten fonde.
Në kontaktet që specialistët kanë pasur me punëdhënësit, supervizori, që në këtë rast është Unesko, ata parashtruan kërkesën për shtim fondesh, por përgjigja që morën ishte se nuk kishte më shtesa. Mësohet se u pranua vetëm shtesa e çatisë.
Të gjendur në këtë situatë, sqaron Gega, kemi prodhuar dritaret dhe jemi në marrjen e një vendimi që të bëjmë një artificë, dhe të bëjmë një provë duke vendosur një dritare që ajo mos të jetë kaq e degraduar.
Shirat tashmë janë evident në qytetin e gurtë, i njohur për intensitetin e reshjeve dhe rreziku i shembjes së saj është prezent.