Ka aktruar në mënyrë profesionale që kur ka qenë 16 vjeç. Tani ka dëshirë të vazhdojë shumë gjatë në skenë dhe të kalojë të gjitha vështirësitë e pengesat që mund ti dalin para, si në jetë ashtu edhe në profesion.
Gjatë karrierës si aktor, Nicolas Cage-it nuk i kanë munguar as dështimet, fatkeqësitë dhe çmimet.
Në kohërat e filmit Wild at heart, regjisori David Lynch e kishte cilësuar Cage si një aktor xhazi. Në atë film, Nicolas këndonte këngën Love Me Tender të Elvis Presley-t, një tjetër idhull i tij i muzikës. Atëherë nuk ishte martuar ende me vajzën e rokerit Lisa Marie, nga e cila do të ndahej pas katër muajve martesë. U riktheva në New Orleans pas një fëmijërie të vështirë, për të cilën preferoj të mos flas. Isha i trembur dhe shumë i magjepsur në të njëjtën kohë. Kthimi pas uraganit Katrina ishte për mua momenti i së vërtetës. Disa vende janë speciale për Cage. Në New Orleans ka blerë një shtëpi. Në Bavari, vendlindjen e së ëmës, bleu gjithashtu një kështjellë gjashtë milionë dollarëshe, të cilën më pas iu desh ta shiste, sepse shpenzimet e tij ishin aq të larta, sa nuk mund ti përballonte. Tani i duhet të kënaqet me shtëpinë që ka ndërtuar në Los Anxhelos. Shijet e tij ishin jashtëzakonisht të rafinuara. Deri para pak vitesh Cage shfaqej në publik me duart e mbushura me unaza. Në parkingun e shtëpisë së tij qëndrojnë ende të parkuara makina luksoze si Lamborghini, Bentley etj.
Gjatë viteve 80, në filma si Birdy dhe "Raising Arizona", Cage u bë i njohur, për shkak se performonte në mënyrë shumë ekscentrike dhe të ekzagjeruar. Më 1989-n, në Vampire Kiss, ai tregoi se sa shumë i dhënë ishte pas zanatit të tij, duke ngrënë për së gjalli një brumbull. Ndryshe nga sa pritej, ai u kthye në një yll kinemaje. Pasi la Las Vegasin, ai firmosi për "The Rock" një nga filmat aksion më spektakolarë. Më 1999-n, Sean Penn, me sharmin e tij që e karakterizon, tha për "New York Times": "Nic Cage nuk është një aktor. Ai mund të bëhet, por tani është më shumë një interpretues i mirë". Në fillim, kur ai ishte Nicolas Coppola, producentët e filmave ishin më të interesuar që të flisnin me xhaxhain e tij Francias, sesa ti gjenin atij një punë. Kështu që Nicolas Cage i vuri vetes një qëllim: "Vazhdonin që të më refuzonin. Ishte e tmerrshme. Me vete mendoja: do të bëj edhe një tjetër audicion dhe nëse nuk do përzgjidhem, do ta lë fare. Shumë prej shokëve të mi nga Napa Valley shkonin në Alaskë, ku punonin me varka, ktheheshin me 25000 dollarë dhe blinin një makinë sportive. Edhe unë po mendoja që të bëja të njëjtën gjë, e vazhdoja që tia thosha këtë vetes. Ky ishte plani nëse nuk do ta fitoja punën si aktor. Por më vonë ia dola dhe çdo gjë ndryshoi rrjedhën e jetës sime.
Ndonjëherë mendoj se nuk kam qenë në lartësinë e duhur, megjithatë këtu qëndron më e bukura. Të gjitha vijnë në kohën e duhur. Isha i sigurt për talentin, por doja që të paraqitesha nëpër provimet e Hollivudit pa mbiemrin tim të vërtetë. Kënaqësia ime më e madhe ishte kur regjisorja Martha Coolidge më dha një rol në filmin Valley girl, pa e ditur se nipi i kujt isha. Karriera ime e vërtetë filloi aty.
Por fillimi ka qenë me të vërtetë i vështirë, kështu që i duhej të pranonte ndonjë ndihmë të vogël nga xhaxhai. Duke qenë se ishte djali i një profesori letërsie, Nicolas zgjodhi si pikë referimi kulturor botën e filmave vizatimorë, që ende sot i quan një lloj mitologjie të re. Nicolas ndihet shumë i lumtur kur bie fjala për të folur për "Ghost Rider", sepse bëhet fjalë për filmin e tij të parë, ku personazhi kryesor është superhero. Në të vërtetë ai u caktua edhe për të luajtur Green Goblin në filmin Spiderman, por nuk pranoi. Është tipike për Cage që të mos e shohë Supermanin si një hero amerikan. Që fëmijë, personazhet e tij të preferuar ishin Ghost Rider dhe Hulk. Ajo çka është interesante rreth tyre, është fakti se përveçse monstra, ata ishin edhe të mirë njëkohësisht. Në atë kohë shihja ëndrra të këqija dhe Ghost Rider më mësoi të mos kisha frikë dhe të bëhesha mik me ta. Mamaja e tij, një mësuese kërcimi, Joy Vogelsang, ishte një skizofrene, që shumicën e kohës, kur Cage ishte i vogël, e kaloi nëpër spitale psikiatrike, ndaj ai u rrit nga babai i tij, August. Pas së ëmës do të çmendej edhe xhaxhai, ndaj gjaku i turbullt i familjes Coppola rrjedh edhe në venat e tij. Më vonë, Cage zbuloi se fëmijët e njerëzve skizofrenikë ishin shpesh maniakë dhe përfundonin si prindërit e tyre. Ndaj vendosi me çdo kusht të bënte çdo përpjekje për të kaluar pengesat, për të mos qenë asnjëherë i mërzitur. Për mua aktrimi ishte rruga më e mirë për të marrë energji shkatërruese dhe për të bërë diçka të mirë me to. Por në vend që ta aplikoja atë energji negative mbi veten time ose të tjerët, mendova që ta vendosja në film dhe të krijoja personazhe që shprehnin urrejtje e mërzi.
Pas dy martesave të para me Patricia Arquette dhe Lisa Marie Presley, tani ai jeton me gruan e tij të tretë, Alice Kim, dhe djalin e tyre të vogël, vetëm 4 vjeç, Kalel, që e ka marrë emrin e tij nga Supermeni. Cage ka gjithashtu edhe një djalë 17 vjeç nga lidhja e tij me aktoren Christina Fulton. Ai pëlqen artin, lexon filozofi dhe beson verbërisht në idenë se nuk duhet të bëjë keq për të qenë njeriu më i mirë në botë. Në fund, aktori tregon edhe lidhjen e ngushtë me aktrimin. Ndoshta do të vazhdoj ta bëj këtë punë për shumë kohë, por nuk e di akoma edhe për sa. E kam bërë këtë punë për shumë vjet me radhë. Dua të them se kam aktruar në mënyrë profesionale që kur kam qenë 16 vjeç. Sidoqoftë, gjërat mund të ndryshojnë. Por është e sigurt se kam dëshirë të vazhdoj shumë gjatë dhe të kaloj të gjitha vështirësitë e pengesat që mund të më dalin para, si në jetë, ashtu edhe në profesion.