Për te martesa PDK-LDK gjithmonë ka qenë një martesë e palumtur, por jo deri në atë masë sa shkurorëzimi të ndodhte mu në këtë moment.
Ambasadori William Walker është shumë i shqetësuar me zhvillimet e fundit në Kosovë, por ajo që më së shumti e brengos është fakti se Qeveria e tanishme po e dërgon vendin në zgjedhje të parakohshme ose të jashtëzakonshme, që sipas ambasadorit Walker mbajtja e këtyre zgjedhjeve do tua pamundësojë partive të reja që të organizohen, konsolidohen dhe të bëjnë fushatë zgjedhore, ashtu siç në fakt do duhej.
Për te martesa PDK-LDK gjithmonë ka qenë një martesë e palumtur, por jo deri në atë masë sa shkurorëzimi të ndodhte mu në këtë moment.
Sidoqoftë, ai i bën thirrje Qeverisë së udhëhequr nga PDK, që të organizojë zgjedhje të lira, të drejta dhe transparente.
Në një intervistë për Kosovapress në shtëpinë e tij, në një qytet afër Uashingtonit, ambasadori Walker flet edhe për bisedimet Prishtinë - Beograd, modelet për veriun, si dhe për procesin e njohjeve për Kosovën.
Kosovapress: Zotëri ambasador, siç mund të jeni informuar, Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme ose të parakohshme këtë vit apo në fillim të vitit tjetër, si rezultat i daljes së LDK-së nga koalicioni dhe dorëheqjes së presidentit Sejdi. Si do të reflektojnë këto zhvillime në pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare?
Walker: Jo shumë njerëz i dinë detajet rreth koalicionit dhe raporteve mes dy partive, por ka njerëz që e dinë se BE është e interesuar të dijë se çfarë po ndodh në Kosovë, po ashtu edhe njerëzit këtu në Uashington e dinë se çfarë po ndodh. Besoj se partnerët e dinë se kjo kohë nuk ishte momenti i duhur, por në të njëjtën kohë mendoj se të gjithë e kanë kuptuar se koalicioni ndërmjet PDK-së dhe LDK-së nuk ishte një martesë e lumtur. Të gjithë prisnin një shkurorëzim, kur të vinte puna në ndonjë pikë, por mënyra se si erdhi ky shkurorëzim, pra për shkak të privatizimit të PTK-së, ku PDK u përpoq ta shtyjë Parlamentin që ta votojë strategjinë për privatizim, ndoshta nuk ishte mënyra më e mençur, për të prishur koalicionin, sidomos pasi presidenti Sejdiu dha dorëheqje. Sidoqoftë, tash pasi jemi këtu, do të ishte mirë që institucionet ti mbanin zgjedhjet e parakohshme në mënyrë të drejtë dhe transparente, që të mos nguten dhe që të mos organizojnë aso zgjedhje që të favorizojnë Qeverinë aktuale. Kjo është ajo për të cilën brengosem, që të mbahen zgjedhjet sa më shpejtë, duke u mos dhënë shumë kohë partive tjera të organizohen dhe të konsolidohen. Ne e shohim se Qeveria ka ardhur deri te kjo situatë për shkak të një martese të palumtur, nëse zgjedhjet do të mbaheshin në një afat më të gjatë, do të ishte në rregull, por në këtë kohë, do të ishte një pështjellim i madh.
Kosovapress: Mendova si do të ndikojë kjo situatë në procesin e njohjes së Kosovës, sepse ne prisnim tashmë njohje pas mendimit pozitiv të GJND-së dhe pas rezolutës së OKB-së që e njeh këtë mendim. Por, siç e shihni, procesi i njohjeve është stopuar momentalisht?
Walker: Procesi i njohjeve nuk ka shkuar siç duhej që nga fillimi dhe kjo situatë nuk do ti ndihmojë atij (procesit) në asnjë mënyrë. Pas vendimit të GJND-së dhe rezolutës së OKB-së, ne të gjithë menduam se do të ketë rezultate pozitive në këtë drejtim, por nuk pati. Por, nëse ata organizojnë zgjedhje të mira dhe opozita ka shans të konkurrojë, ndoshta njerëzit nga kryeqytetet botërore do ta shohin se Kosova është një demokraci, që po përpiqet ti bëjë gjërat në drejtimin e duhur. Por, nëse Qeveria aktuale e përdorë pozicionin që të mbajë zgjedhje të shpejta, me qëllim që të mbetet edhe një mandat në pushtet, atëherë mendoj se kjo nuk do të jetë e mirë për procesin e njohjeve.
Kosovapress: A mendoni se PDK e solli këtë situatë, me qëllim që të shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe ti fitojë ato, sepse ndoshta frikohet nga disa lëvizje të reja, si Vetëvendosje, apo partitë e reja, si Fryma e Re e Shpend Ahmetit e Ilir Dedës?
Walker: PDK mund të mendoj se është në pozicion të fortë që të kërkojë edhe më shumë hapësirë brenda Qeverisë, si rezultat i daljes së LDK-së nga koalicioni, por siç e thashë do të ishte gabim nga ana e tyre, nëse do të përpiqeshin të fitonin avantazh përmes mbajtjes së zgjedhjeve të shpejta. Kjo, sepse nuk do të ketë kohë që të organizohen zgjedhjet, nuk do të ketë mjaft kohë që partitë tjera të bëjnë fushatë ose që Albin Kurti dhe lëvizja e tij të organizohen në një parti politike. Kjo kërkon kohë dhe shpresoj se PDK nuk do ta shfrytëzojë këtë rast që të përfitojë avantazh. Unë po flasë me shumë njerëz dhe ata janë të brengosur rreth asaj se në bazë të çfarë rregullave do të mbahen këto zgjedhje, a do të mbahen brenda 45 ditëve apo më 13 shkurt. Shumëçka varet nga PDK dhe shpresoj se ajo po mundohet të veprojë në mënyrë të drejtë, të ndershme dhe transparente.
Kosovapress: Kosova gjendet në këtë situatë, por në të njëjtën kohë Sekretarja e Shtetit, Hillary Klinton dhe zyrtarë të BE-së bëjnë thirrje për fillimin e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit, pa përfillur situatën në Prishtinë. A mundet Kosova të hyjë në këtë dialog me këtë situatë të brendshme politike, pra para zgjedhjeve?
Walker: Jo assesi. Do të ishte një gabim shumë i madh, nëse do të bëhej kjo. Nën një, kosovarët kanë përvojë të gjatë, kur komuniteti ndërkombëtar bënte përpjekje që ti ulë palët në një tavolinë. Ishin bisedimet për statusin dhe siç e kishte thënë edhe Ahtisari, palët sado që mund të bisedojnë, nuk mund të merren vesh, veçmas serbët të cilët nuk janë bashkëpunues në negociatat serioze. Kështu që me këtë histori, nuk shoh se është koha që palët të ulen bashkë dhe të diskutojnë për dallimet, veçmas kur Qeveria e Kosovës gjendet në këtë situatë pështjellimi. Le të presim zgjedhjet, të shohim rezultatet, të shohim nëse do të kemi një qeveri të fuqishme, më kohezive dhe pa ndarje, sepse kjo qeveri, jo që përbëhej nga dy parti të ndara, por edhe nga një LDK që është e ndarë në dy-tre pjesë. Prandaj, mendoj se do të ishte gabim tejet i madh, nëse do të thoshin po do të ulemi në tavolinë para zgjedhjeve, pavarësisht se çfarë u thotë komuniteti ndërkombëtar se duhet të bëjnë.
Kosovapress: Pra bisedimet nuk mund të fillojnë para zgjedhjeve, dhe kjo po i bie të nisin diku në mars prill të vitit tjetër?
Walker: Çfarëdo bisedimesh që do të fillonin para vitit 2011, do të ishin joserioze.
Kosovapress: Por, disa analistë ndërkombëtarë thonë se Kosova duhet që tani ta themelojë një ekip të unitetit, i cili do të bënte përgatitjet për fillimin e dialogut me Beogradin?
Walker: Nuk shoh ndonjë arsye që të krijohet një ekip i unitetit, kur vendi është në proces të zgjedhjeve të reja, kur të gjitha partitë politike po përgatiten për zgjedhje. Nuk e di se për çfarë ekipi të unitetit bëhet fjalë, për ndonjë ekip të bashkuar teknik, apo për çfarë, por mendoj se kjo nuk do të duhej të ndodhte para formimit të qeverisë së re, e cila shpresoj se do të jetë një qeveri e unitetit, por jo tani.
Kosovapress: Kur flasim për dialogun, për çfarë çështjesh mendoni se duhet bisedojnë Prishtina dhe Beogradi?
Walker: Mendoj se në këto bisedime, kosovarët duhet ta bindin Serbinë se nëse dëshiron të jetë një fqinj i mirë, duhet ti ndalë përpjekjet për të nxitur probleme të brendshme në Kosovë, ti ndalë përpjekjet për ta shndërruar veriun në një problem. Duhet të kërkohet që të bisedohet për çështje të vogla, por që janë të rëndësishme për komunitetin serb në veri të Kosovës, pastaj çështja e dokumenteve, e pensioneve, por çështja kryesore është që të bindet Serbia se Kosova është shtet dhe se duhet të sillet me të, si me një shtet tjetër. Sidoqoftë, nga bisedat me zyrtarët serbë, nuk shoh ndonjë fleksibilitet në këtë qasje, prandaj mendoj se dialogu nuk do të prodhojë asgjë dhe është gabim të fillonte tani.
Kosovapress: Megjithatë, disa zyrtarë evropianë thonë se veriu i Kosovës do të jetë tema kryesore në këto bisedime, ndërkohë që janë përmendur disa statuse speciale si zgjidhje për këtë pjesë. A është e mundshme një zgjidhje për veriun, jashtë Pakos së Ahtisarit?
Walker: Jo nuk mendoj se do të ishte zgjidhje. Është plotësisht e gabuar, tendenca për një entitet të veçantë në veri. Ideja vetëm zgjat konfliktin, zgjat përpjekjet e Serbisë që të përzihet në punët e Kosovës. Ajo që mua më shqetëson është se statusi special për veriun e Kosovës nuk do ti kontribuonte zgjidhjeve paqësore në Ballkan.
Kosovapress: Por, tashmë janë përmendur disa modele nga burimet e BE-së, si ai i Tirolit Jugor, që do të mund të adaptoheshin në rastin e Kosovës?
Walker: Secili evropian mund të ketë dëgjuar për ndonjë model diku në ndonjë vend, por për mua, Kosova është një entitet shtetëror, që ka popullatën pakicë, si për shembull serbët, të cilët duhet të trajtohen si të gjitha pakicat tjera në Francë, Gjermani dhe vende tjera, por jo duke iu dhënë ndonjë status special që ata të jenë qytetarë të mirë. Ky komunitet duhet ta kuptojë se është në Kosovë dhe duhet të jetojë si pjesë e saj.
Kosovapress: Ndërkohë, dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të ndërmjetësohet nga BE, çfarë roli, sipas juve duhet ta ketë SHBA në këtë dialog?
Walker: Më sa e kuptoj, SHBA dëshiron që ti japë BE-së rolin kryesor. SHBA ka luajtur një rol kritik, duke e sjellë Kosovën këtu ku është tani dhe mendoj se duhet ta vazhdojë këtë rol, në përcaktimin e disa çështjeve si çfarë po ndodh në veri dhe marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë. E kuptoj plotësisht se çfarë SHBA është e gatshme të bëjë dhe çfarë jo në këtë dialog.
Kosovapress: Kjo meqë liderët kosovarë kanë kërkuar që SHBA të jetë pjesë e këtij dialogu, në cilësinë e garantuesit?
Walker: SHBA ka bërë shumë për Kosovën në këto dhjetë vjet, por mendoj se BE duhet ta udhëheq dialogun, për shkak të procesit të integrimit të të dy vendeve në BE, e që në këtë rast duhet të aplikohet politika e shkopit dhe katrotës për Serbinë. SHBA, po ashtu duhet të ndihmojë në mënyrë palët të ulen së bashku.
Kosovapress: Të kthehemi edhe një herë tek njohjet. Cilat janë arsyet që Kosova nuk mori njohje, madje as pas vendimit të GJND-së?
Walker: E kam thënë edhe më herët, ministri i juaj i Jashtëm me siguri nuk e di se si të marrë njohje. Mendoj se që nga fillimi është humbur shumë kohë, ku nuk janë bërë shumë përpjekje për njohje. Personalisht, kam vizituar pothuajse të gjitha kryeqytetet botërore, ku kam takuar ministria, e kryeministra. Isha javën e kaluar edhe në El Salvador, e përmenda prapë këtë çështje që e kisha përmendur më shumë se një vit më parë dhe ata e kanë harruar problemin. Gjërat tjera kanë hyrë në agjendën e Presidencës së këtij vendi, duke bërë që çështja e Kosovës të mbetet jashtë. Si duhet ta filloni prapë, nuk e di, por mendoj se ushtruesja e detyrës së ministrit të Jashtëm, Vlora Çitaku, duhet të shkojë kur të dojë në El Salvador dhe ta kërkojë njohjen. Ajo ishte në vendet e Karaibeve, por nuk pati asnjë rezultat. Mendoj se nëse do të shkonte për disa ditë në El Salvador, kjo çështje do të kryhej.
Intervistoi: Sebahate Shala