Pjesa tjetër e takimit mund të thuhej se dihej sesi do të avanconte. Asnjë progres në gjetjen e një zgjidhjeje për hetimin e zgjedhjeve, që do të thotë automatikisht edhe bllokim i reformës elektorale.
Skender Minxhozi
Një tryezë e llogaritur për të qenë deri në fund një shou i boshatisur nga çfarëdolloj përmbajtjeje ja si mund ta cilësosh tryezën e thirrur të premten nga kryeministri Sali Berisha, për reformën elektorale.
Me të vetmen surprizë të vërtetë: prezencën e papritur të Edi Ramës, i cili ka dribluar aleatët dhe kolegët, ka shkelur atë që kishte thënë para pak ditëve më parë dhe është ulur në krah të kryeministrit.
Pjesa tjetër e takimit mund të thuhej se dihej sesi do të avanconte. Asnjë progres në gjetjen e një zgjidhjeje për hetimin e zgjedhjeve, që do të thotë automatikisht edhe bllokim i reformës elektorale. As Rama dhe as Berisha nuk thanë ndonjë gjë të re të padëgjuar deri më sot, në tryezën e së premtes. Në këtë mënyrë i bie që tryeza të quhet formalisht e dështuar dhe kjo spërbën lajm.
Çështja është përse që të dy ata, por sidomos Rama, duhet të bëjnë gjoja, duke u ulur në një tavolinë, kur ia kanë kumtuar njëri-tjetrit me dhjetra herë deri më sot, kushtet reciproke për arritjen e një kompromisi? Avokatët e buzëqeshjeve false dhe strategët e taktikës, mund të thonë se edhe të shtiresh është një vlerë në politikë.
Mundet, por jo vlerë që të çon drejt një rezultati të qëndrueshëm e pozitiv, por thjesht investim kalimtar i liderëve politikë, i destinuar kryesisht për të zënë një qoshe me fjalë të mira, në raportet endërkombëtarëve.
Pas tryezës së të premtes kriza elektorale nuk është më afër zgjidhjes së saj. Me shumë gjasë, ajo do të vijojë me të njëjtën egërsi sjelljesh dhe ekstremizëm qëndrimesh. Kjo pauzë e vogël, ku dy liderët qëndrorë politikë i kanë dhënë njërën dorë njëri tjetrit, duke mbajtur në tjetrën të gatshme thikën pas shpine, ka shumë mundësi të ketë shërbyer vetëm për albumet fotografike të dy protagonistëve.
Historia nuk ka çfarë të mbajë shënim nga takimi i së premtes. Humnera që ndan sot PD e PS për zgjedhjet, vijon të mbetet e thellë dhe e hapur, njëlloj si më parë. Vetëm se, duke hedhur këtë hap të minutës ë fundit, kreu i opozitës ka bërë një lëvizje që rrezikon të japë efekte negative, të paktën në dy drejtime: së pari, ai ka zhvlerësuar ende pa nisur rrugë, formacionin politik të Opozitës së Bashkuar.
Pas vendimit formal që partitë e këtij grupimi morën, për të mos shkuar në tryezën e Berishës, paraqitja në atë tryezë e Ramës, nxorri jashtë loje shumë nga krerët politikë që e përkrahën dhe votuan bashkë me Ramën atë qëndrim.
Së dyti, duke i shkuar në tryezë Berishës, ai i ka dhënë vlerën dhe protagonizmin e papritur një nisme, e cila në kushte normale duhej ti akordohej presidentit, apo edhe ndërkombëtarëve. Kryeministri është palë në krizë, ai smund të inicojë tryeza kompromisi. Ato i takojnë institucioneve të pavarura ose bashkësisë ndërkombëtare. Duke u paraqitur në tryezën e Berishës, Rama indirekt e dobëson edhe më tej presidentin, edhe ashtu tejet periferik në këtë krizë. Për të mos harruar pastaj faktin jo të parëndësishëm, se herën e fundit që kreu i PS është ulur të bisedojë direkt me kundërshtarin e tij, rezultati ka qenë shumë i pakëndshëm për të. Ai mban emrin 28 qershor 2009!
Autori është kryeredaktor i revistës Mapo