Më e rëndësishmja është që miliona vetë që jetojnë larg vendit të tyre do të kenë të drejtën të japin verdiktin e tyre. Kjo do të thotë se do të kenë më shumë mundësi të thonë atë që mendojnë për politikën turke dhe drejtimin e shtetit. Numërohen rreth 10 milionë emigrantë turq në botë dhe vota e tyre nuk është aspak për tu nënvlerësuar.
Alban TARTARI
Gjermania është shpallur zona elektorale numër 82 e Turqisë! Sado e çuditshme tju duket kjo është e vërtetë. Sigurisht këtë nuk e ka shpallur Kolegji Elektoral gjerman por Ministri turk i Shtetit Faruk Çelik. Gjithkush do thotë se çpunë ka Turqia që e shpall zonë elektorale një shtet tjetër, aq më tepër një vend që nuk është anëtar i BE-së...
Çështja është e thjeshtë. Ankaraja zyrtare ka rregulluar të gjithë legjislacionin dhe infrastrukturën që turqit që jetojnë jashtë Turqisë të japin votën e tyre në zgjedhje apo referendume. Gjermania meqë ka numrin më të madh të emigrantëve turq (sipas disave 3 milionë e sipas të tjerëve 5 milionë) u shpall distrikti (ose vilajeti siç ende i thonë turqit) numër 3 i Ankarasë. Nisur nga kjo emigrantët turq do të kenë përfaqësuesin e tyre në Asamblenë Kombëtare të Turqisë.
Pra, ata do të kenë 6 ose 7 deputetët e tyre që do të thotë se liderët turq, Erdogan, Bahçeli apo Kılıçdaroğlu do te duhen të shkojnë në Berlin apo në Mynih në mitingje dhe takime elektorale. Gjermania, një vend model i BE-së për të drejtat qytetare është OK me këtë.
Më e rëndësishmja është që miliona vetë që jetojnë larg vendit të tyre do të kenë të drejtën të japin verdiktin e tyre. Kjo do të thotë se do të kenë më shumë mundësi të thonë atë që mendojnë për politikën turke dhe drejtimin e shtetit. Numërohen rreth 10 milionë emigrantë turq në botë dhe vota e tyre nuk është aspak për tu nënvlerësuar.
Ky muhabet ka kohë që tirret edhe në Shqipëri. Çështja është që qindra mijëra emigrantë shqiptarë ende nuk e kanë mundësinë të votojnë. Partitë politike kanë krijuar degë në Greqi e Itali porse ato janë thjesht organizma që garantojnë votën e familjeve të emigrantëve në Shqipëri më shumë se të atyre që punojnë e jetojnë në këto vende.
Greqia dhe Italia duhet të jenë patjetër dy zona zgjedhore të Shqipërisë. Kështu merret edhe mendimi i atyre qindra mijëra njerëzve që përditë punojnë duke ndihmuar familjet e tyre dhe Shqipërinë. E dyta, evitohet edhe përdorimi i votave nga familjarët e tyre, madje edhe nga të panjohurit në zona të ndryshme. Kjo ka ndodhur në të kaluarën duke i hedhur hije manipulimi proceseve zgjedhore.
Shumëkush mund të mendojë se për çfarë duhen votat e emigrantëve në një kohë kur edhe shumë qytetarë në vend i kanë bojkotuar zgjedhjet... Qëndrimi i emigrantëve, njerëz që kanë vite që zotërojnë një kulturë pune dhe njohuri më të mëdha lidhur me standardet evropiane, do të thotë shumë për politikën shqiptare. Vota e tyre, pra këndvështrimi i tyre, do të thotë shumë edhe për cilësinë e politikës në Shqipëri. Nuk është çudi që emigrantët vetë të vendosin edhe kandidatët e tyre për në Kuvend... madje nuk do të ishte çudi që nesër ne të kemi një portofol ministror për emigrantët tanë!
Kanë aq shumë probleme, nisur nga shkollimi në gjuhën amtare, apo të paktën mësimi i shqipes, e deri te të drejtat e tyre themelore që shpesh shkelen megjithëse vendet përkatëse janë anëtare të BE-së!
Një platformë digjitale nuk mund ta zëvendësojë shtetin e tyre. Shqipërinë mund ta kenë më vete atëherë kur vendosin për të. Ndaj, vota e emigrantëve duhet të dalë nga retorika për tu bërë realitet.