E kam fjalën për rrëmujën, për kaosin dhe për vorbullën ku ndodhet sot Kosova. Dhe, njëkohësisht e kam përsëri fjalën për të mirën brenda problemit aktual që i ka ndodhur ish-kryeministrit dhe liderit të partisë më të madhe opozitare, Ramush Haradinajt.
Vasilika Zotaj - Asllani
Thonë që çdo e keqe e ka të mirën brenda. Ndoshta është thënë kështu, për arsye ngushëlluese ndaj atij që i ndodh diçka jo e mirë. Por, ta analizosh çdo rast të tillë, pra ndodhi që çdo njeri nuk do të donte ti ndodhte, do të vihet re që do të ketë për çdo rast negativ, një aspekt pozitiv, në antitezë me problemin që është krijuar.
E kam fjalën për rrëmujën, për kaosin dhe për vorbullën ku ndodhet sot Kosova. Dhe, njëkohësisht e kam përsëri fjalën për të mirën brenda problemit aktual që i ka ndodhur ish-kryeministrit dhe liderit të partisë më të madhe opozitare, Ramush Haradinajt.
Para pak kohësh lexoja një poezi të një poeti të talentuar tonit, Ndoc Gjetja. Po ju citoj disa vargje, që mendoj se, ashtu si për mua, kanë për të tërhequr vëmendjen tuaj.
"Kohë transicioni, kohë bishtdhelpre,
si të ranë brekushet kështu poshtë këmbëve,
unë po shkoj të mbyllem në manastirin e vetes,
derisa të kryesh jashtëqitjen tënde"...
Vargje që e shprehin përsosmërisht atë që po ndodh tek ne. A nuk irritohemi dhe ndjehemi të vegjël në pafuqinë tonë, për të ndryshuar shumë gjëra, që do të donim të ishin ndryshe? Askush nga ne nuk ndjehet mirë, tek dëgjon gjysmëkryeministrin, Hashim Thaçi, tek reciton duke ndarë në rrokje, të njëjtin refren, të cilin e ka përsëritur, përsëritur dhe prapë përsëritur, që nga fillimi i mandatit të tij.
Sa mirë që je larg, Ramush Haradinaj! Dhe, ashtu si ka thënë një ish-lider i një partie opozitare në Shqipëri, e ke largësinë e mjaftueshme për të ruajtur të pastër ekologjinë e mendjes dhe të shpirtit tënd, të pastër dhe të pandotur nga kontaminimi politik.
E them këtë, se jemi të gjithë të rrezikuar nga ky lloj kontaminimi që ka lëshuar kjo klasë qeverisëse. Nga këta që janë dhe nga ata që shkuan. Nga ata që prodhuan Zanzibarin e famshëm, të frymëzuar nga mentaliteti qeverisës dhe të shoqëruar nga avujt dehës të rakisë. Por, edhe nga ata që prodhuan të njëjtin kontaminim, por tani duke zëvendësuar klubin e Zanzibarit me selinë e partisë së tyre!
Tani avujt dehës të rakisë u zëvendësuan nga hidhërimi personal i kryetarit të tyre. U tërhoq nga qeveria, i tërhoqi ministrat, jo sepse ishte kundër saj (qeverisë), por se nuk mund të ishte më pjesë e saj.
Sa mirë që je larg, Ramush Haradinaj!
Ndërsa ne, spektatorët e pafuqishëm ose, më saktë, të pazotë për të ndryshuar këtë realitet, po vazhdojmë të shohim shoun e radhës, pseudokongresin e PDK-së. Jam e sigurt që edhe Enver Hoxha (jo ky i Kosovës) do ta kishte zili për mënyrën "demokratike'' që ishte organizuar.
Sekuencat filmike tregonin kryetarin egocentrik të PDK-së, që nuk i linte radhën askujt tjetër, përveç moderatorit jo të aftë, Enver Hoxhaj, i cili, nga emocionet që kishte, e ngatërronte kryetarin e vet, herë me Uashingtonin e herë me Ismail Qemalin. Dhe, duar të ngritura lart, që me aklamacion votonin gjithçka që propozohej.
Ndërsa, për kuvendin e ish-partneres së koalicionit, po presim deri sa ta shohim. Shpresoj për hir të kontributit të kaluar të saj dhe të mbështetësve të nderuar të tyre, të mos i ngjajë atij të 2006-ës.
Sa mirë që do të kthehesh përsëri, Ramush Haradinaj!
Shpejt dhe përfundimisht!