Protesta e të rinjve nga Kodra e Trimave si një sadomazohizëm politik dëshmonte më së miri se në çfarë shkalle vazhdon të jetë politizimi i qytetarit tonë. Kjo është e keqja që na detyron të merremi edhe kaq dendur me Sejdiun.
Bardh Frangu
Fatmir Sejdiu bëri harakiri politik kur prishi Qeverinë dhe shkriu postin e tij të liderit të LDKsë, duke u shfaqur si i vendosur se me këtë post nuk do të mund të luajë kush si me postin e Presidentit të Kosovës. Kjo gjë zemëroi jo vetëm anëtarësinë dhe simpatizantët, por qytetarët e Kosovës në përgjithësi. Sigurisht që kjo u përjetua më me vrer në bastionin e LDKsë, përkatësisht në lagjen më të varfër të kryeqendrës, e cila në saje të përpjekjeve të vazhdueshme në kohërat më të vështira mori epitetin - Kodra e Trimave.
Djemtë nga Vranjevci humbën durimin dhe thyen qafën e LDKsë. Në këtë mënyrë ia ndërruan kahen vullnetit të tyre politik, duke e deleguar atë në një listë në Velani, ku trashëgimtari prej gjaku i liderit të tyre historik, Ukë Rugova, ka hapur gjoksin për tu përballur në një garë të ashpër me ata të listës nga Qafa. Kësisoj, Sejdiu u bë shkaktari kryesor për promovimin e një sadomazohizmi politik në rrugët e kryeqendrës. E tillë ishte protesta e simpatizantëve të LDKsë nga Kodra e Trimave.
Fatmir Sejdiu me veprimet e tij politike i ndërtoi favore të mëdha liderit të mazhorancës, përkatësisht Hashim Thaçit, i cili doli fitues në luftën e drejtpërdrejtë me Sejdiun. Me prishjen e Qeverisë dhe me bunkerizimin e LDKsë në Qafë, Sejdiu dëshmoi se kuptimin e tij politik e ka mbështetur në teori makiaveliste, e njohur me maksimën: Mjeti e arsyeton qëllimin. Sejdiu nuk i zgjodhi mjetet për ta ruajtur postin e njeriut të parë të partisë, me shpresë se sërish do ti kthehet majave të pushtetit në Kosovë. Kjo sjellje e tij ndikoi që në taborin rival të PDKsë të krijohet një atmosferë ekzaltuese, e cila më së miri u shpreh në Kuvendin e Partisë, kur delegatët, nëpërmjet duartrokitjeve me aklamacion, ngritën në qiell liderin e partisë së tyre. Tashmë u bë e qartë se Sejdiu e humbi edhe pozitën në hapësirën e trashëguar eterike. I mbetur as në tokë e as në qiell, tash përpëlitet mes iluzionesh duke qenë i detyruar të përdorë një leksik nga një kohë që ka mbetur për të keq në kujtesën tonë. Sejdiu tekstualisht u përgjigj kështu në protestat e djemve nga Kodra e Trimave: Do të fitonim atë që e dëshirojnë ata që e duan destabilizimin e LDKsë. Edhe ata që kanë dalë këto ditë, që unë i pashë se janë shumë të rinj në moshë, do ta kuptojnë shumë shpejt këtë gjë. Ky ishte leksiku që u përdor nga viti 81 deri në vitin 90.
Në stil të ngjashëm, Sejdiu u prononcua edhe pas takimit të drejtpërdrejtë me Ukë Rugovën, i cili i kishte shkuar në zyrë për tia kërkuar dorëheqjen, në mënyrë që ta shpëtonte LDKnë nga procesi i shpërbërjes ku e ka futur Sejdiu.
Por, çka e bën të veçantë protestën e të rinjve nga Kodra e Trimave. Ata kërkuan largimin e Sejdiut nga Qafa dhe vendosjen e Isa Mustafës në krye të partisë. Sado që kjo kërkesë e simpatizantëve të LDKsë duket krejt e arsyeshme dhe krejt logjike, megjithatë ka shijen e një sadomazohizmi politik. Simpatizantët partiakë kanë një argument të fuqishëm në dorë, të cilin e kanë shprehur edhe në pankartat e tyre. Ndërsa LDKja humbi dy palë zgjedhje nën drejtimin e Fatmir Sejdiut, Isa Mustafa i fitoi dy palë zgjedhje për kryetar të kryeqendrës, duke ia shpëtuar nderin partisë së parë të shqiptarëve të Kosovës. Simpatizantët e LDKsë, për të cilët thuhet se janë nga armata e Plisave, me të drejtë besojnë se në bankën e LDKsë nuk mund të qëndrojë si rezervë lojtari i saj më i mirë, Isa Mustafa. Ata kanë të drejtë që Mustafën ta konsiderojnë si Ronaldon në raport me Fatmir Sejdiun, i cili në këtë kuptim nuk është më shumë se një lojtar i Hysit.
Por, nuk kanë të drejtë që nëpërmjet rrugës ta bëjnë një gjë të tillë. Madje reagimi i tyre bën një shembull të pazakontë për shtetet me një pluralizëm partiak. Në anën tjetër reagimi i simpatizantëve dëshmon se partia perceptohet si shtet. Pra, logjika e partisë shtet nuk funksionon vetëm tek liderët politikë, por ajo është bartur edhe tek anëtarësia dhe simpatizantët. Protesta e të rinjve nga Kodra e Trimave dëshmonte më së miri se në çfarë shkalle vazhdon të jetë politizimi i qytetarit tonë. Kjo është e keqja që na detyron të merremi edhe kaq dendur me Sejdiun.
Ndryshe, të kërkosh që nëpërmjet presionit ta detyrosh dikë që të ta pranojë vullnetin politik për të të udhëhequr, nuk mund të kuptohet ndryshe pos si një sadomazohizëm politik. Madje kjo gjë mund të shpjegohet vetëm nëpërmjet teorive të Erich Frommit për logjikën e robit dhe sjelljen e tij. Edhe populli thotë se çdokujt mund ti merret një gjë me zor, por ti jepet një gjë me zor është e pamundur. Në këtë rast edhe u dëshmua kjo. Isa Mustafa nuk ngurroi të prononcohet për këtë rast duke thënë se në këtë mënyrë unë nuk e dua postin e të parit të LDKsë. Në këtë mënyrë doli të jetë më e lehtë marrja e postit Sejdiut sesa dhënia e postit Mustafës. Mustafa nxitoi të vihet në mbrojtje të liderit të partisë së tij, për çka e përgëzoi Sejdiu.
Sigurisht që Isa nuk ka llogaritur që me këtë rast simpatizantët ti shpëtojë nga sadomazohizmi politik, meqë ka llogaritur interesin e grupeve brenda partisë.
Këta simpatizantë partiakë, të ardhur nga lagjja më e varfër e kryeqendrës, kanë pasur dhe kanë arsye të protestojnë për njëqind probleme që kanë në jetën e tyre. Por, ata kanë zgjedhur që të protestojnë në rrugë kundër liderit të partisë së tyre. Një gjë kjo krejt e pazakontë që bënë një dëshmi shumë dëshpëruese për nivelin e zhvillimeve demokratike tek ne.