E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Eksperti Ymer Havolli thotë se përveç krizës globale financiare, që kishte përfshirë shumë vende të Evropës dhe botës, janë zbehur edhe lidhjet emocionale të emigrantëve kosovarë për familjet e tyre në Kosovë.
Ramitancat nga bota vijnė duke u zvogėluar







Dërgesat e emigrantëve në Kosovë, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, kanë shënuar rritje prej 1.3 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Por, krahasuar me vitet paraprake, ka pasur një trend të rënies së dërgesave nga jashtë, thonë zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës. Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike theksojnë se për shkak të situatës se rëndë socio-ekonomike, pjesa më e madhe e remitancave përdoren për konsum.

Sipas statistikave të BQK-së, në gjysmë-vjetorin e parë të vitit 2010, dërgesat e emigrantëve kosovarë kanë shënuar vlerën në 225.8 milionë euro, krahasuar me 222.8 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2009, apo rritje prej 1.3 për qind.

Mentor Geci, drejtor i statistikave në BQK, thotë se rreth 70 për qind e remitancave vijnë përmes kanaleve formale, ndërsa pjesa tjetër vjen në forma tjera, si në formë të parave të gatshme, apo dërgesa në mall.

“Struktura e remitancave sipas kanaleve të dërgimit, si dhe sipas shteteve prej nga vijnë, mbetet kryesisht e njëjtë. Rreth 70 për qind e remitancave vijnë përmes kanaleve formale, që do të thotë përmes bankave komerciale dhe agjencive për transferin e parasë, përderisa pjesa tjetër vjen në forma tjera, si në formë të parave të gatshme dhe remitanca në mall. Remitancat vijnë kryesisht nga Gjermania, Zvicra, Anglia, Austria etj.”, thotë Geci.

Pjesa më e madhe e dërgesave nga jashtë në Kosovë, përdoren për konsum, ndërsa një pjesë tjetër për investime, thotë për Radion Evropa e Lirë eksperti për çështje ekonomike, Ymer Havolli.

Sipas tij, shkalla e lartë e varfërisë dhe papunësisë kanë bërë që një pjesë e madhe e qytetarëve kosovarë të varen ekskluzivisht nga paratë e dërguara nga familjarët e tyre që jetojnë dhe punojnë në vendet të ndryshme të Evropës.

“Është një numër i konsiderueshme i popullatës në Kosovë që është i varur ekskluzivisht nga remitancat që vijnë nga shtetet e jashtme. Një pjesë tjetër e popullatës ndihmohet direkt me para, ndërsa pjesa tjetër ndihmohet në aspektin e ngritjes së kapacitetit në edukim, dhe një pjesë tjetër me investime në biznese, të cilat në kohën e fundit nuk janë aq shumë të dukshme, megjithatë ka një lëvizje”, shprehet Havolli.

Ndryshe, që nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2009 diaspora kosovare, sipas statistikave të BQK-së, ka dërguar në Kosovë 2 miliardë e 798 milionë euro. Të dhënat e kësaj banke tregojnë se që nga viti 2004 deri në vitin 2008 ka pasur një trend të rritjes së dërgesave nga jashtë. Ndërsa, në vitin e kaluar remitancat kanë rënë për 30 milionë euro. Por, cilat janë arsyet pse kanë rënë dërgesat e emigrantëve, viteve të fundit?

Eksperti Ymer Havolli thotë se përveç krizës globale financiare, që kishte përfshirë shumë vende të Evropës dhe botës, janë zbehur edhe lidhjet emocionale të emigrantëve kosovarë për familjet e tyre në Kosovë.

“Gjenerata e para që kanë shkuar jashtë me punë kanë pasur një lidhshmëri më të madhe me Kosovën dhe kanë ndihmuar më shumë. Kurse tashmë kemi arritur te gjenerata e tretë dhe këto lidhje emocionale me familjet dhe anëtarët tjerë të familjes kanë filluar të zbehen. Dhe, ky është njëri prej faktorëve që ka ndikuar në rënin e remitancave”, shpjegon Havolli.

Sipas statistikave zyrtare, konsiderohet se afër 25 për qind e popullatës, ose mbi 500 mijë emigrantë kosovarë jetojnë në vende të ndryshme të Evropës.

Publikuar: 30.10.2010 | 20:50
Lexuar: 569 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime