E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Çfarë ndodh me Gjykatën e Tiranës, që nga njerëzit në trotuar, te polici, kamerat “spiune”, gjyqet dhe gjyqtarët.
Njė ditė nė Gjykatėn e Tiranės






Fatjona Guxholli

Të hënën e kaluar, gjatë analizës së Gjykatës së Tiranës doli edhe një fakt, jo i pathënë më parë, por me një vlerë tjetër; nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë e pohoi me gojën e tij. Ai tha se gjykata e Tiranës ka një mbingopje me dosjes dhe se gjykatësit janë tejet të ngarkuar.

Krahasimi me një kombinat mund të duket i ekzagjeruar për një institucion publik, por kur bëhet fjalë për Gjykatën e Tiranës, përjashtimi është i pranueshëm. Jo vetëm sepse është gjykata e kryeqytetit dhe më e madhja në vend, me mbi 50 gjyqtarë, jo vetëm sepse në të gjykohen të paktën 20 mijë çështje në vit, por edhe sepse në dyert e saj "përplasen" të gjitha kategoritë dhe shtresat shoqërore. Nga adoleshentët që kanë vjedhur ndonjë gjë të vogël e deri te vrasësit, nga më të varfrit e të papunët te të pasurit që nuk ndajnë dot paratë me ortakët, nga nëpunësit që kanë humbur vendin e punës e deri te politikanët, që për të treguar devotshmëri ndaj partive respektove, shajnë njëri-tjetrin. Të gjithë vijnë këtu për të kërkuar drejtësi.

Njerëzit në hyrje

Mbipopullimi i trotuarit përpara derës së hekurt të oborrit të Gjykatës së Tiranës është shenja e parë se po i afrohesh një zone me njerëz hallexhinj. Pjesa më e madhe e tyre janë familjarë të personave që pritet të dalin në gjyq. Disa shfryjnë, disa qajnë, të gjithë duken të shqetësuar për atë që do të ndodhë brenda sallës së gjyqit. Agroni, një mesoburrë, fshin lotët, por në fraksion të sekondës duket sikur nuk po qan. Me ngurrim, afrohem dhe filloj me të bisedën. Për fat të mirë, ai nuk është nga ata që “nxehen kur i pyet”. Fillon të flasë për hallin e tij, edhe pse as e ka idenë se çfarë jam unë që pyes në rrethana të tilla. Është aty me gjithë familjarët e tij dhe presin orën e një procesi gjyqësor. "Kam ardhë për nipin, djalin e tim vëllai. E kanë futur brenda për drogë dhe ka gjyqin... E kanë kap me hashash. Më duhet të merrem me të, se im vëlla vdiq dhe ia la hallet mbi supe”, tregon Agroni, që shoqërohet nga bashkëshortja e tij si dhe e ëma. Nga mënyra sesi flet Agroni duket sikur kërkon të na bindë se kushëriri i tij është i pafajshëm dhe se po të kishte para, do të mund të dilte kollaj nga burgu. Në fakt, kjo është një ndjesi e krijuar pothuajse te të gjithë ata që hyjnë e dalin në dyert e gjykatës.

Brenda në gjykatë

Me policin që qëndron roje nuk ka asnjë problem të hysh brenda në gjykatë. Me të i mbyll “hesapet” sapo i tregon kartën e gazetarit. Madje, jo pa sens humori edhe të nderon me atë nderimin prej ushtaraku të vërtetë. Sistemi i ri i sigurisë, i vendosur në hyrje, u ka hapur më shumë punë policëve të shërbimit, të cilëve u duhet tashmë t‘u mësojnë njerëzve se si duhet të kalojnë nëpër harqet metalkërkuese, dhe ku t‘i lënë gjërat prej metali që nxjerrin nga xhepat. Korridoret e gjykatës janë gjithmonë plot me njerëz. Që aty në katin e parë, ku kërkojnë nëpër kompjuterë datën apo orën e gjyqit të tyre (sepse prej dy vjetësh, kjo gjë funksionon në mënyrë elektronike), e deri përpara dyerve të zyrave të gjykatësve, ku presin për të nisur "betejat" e tyre ligjore, qofshin penale apo civile. Pjesa më e madhe e tyre presin për gjyqe civile, të cilat zhvillohen nëpër zyrat e gjyqtarëve. Një rast unikal, ndoshta në të gjithë Evropën, ata që drejtojnë gjyqësorin nuk duket se bën dhe aq përshtypje. Gjykatësja Arjana Caco tha për “Agon” se proceset në zyra janë shkelje. Madje, për këtë shton – e kam ngritur zërin disa herë. Ajo nuk dha argument pse nuk duhet të ndodhë kjo, por e ripërsërit se është shkelje dhe duhet bërë çmos, duke i kërkuar ndihmë edhe medias, që një gjë e tillë të mos ndodhë më. Gjykata e Tiranës ka 7 salla, në të cilat zhvillohen kryesisht gjyqet penale. Sipas statistikave zyrtare, proceset penale zënë rreth 30-35 për qind të numrit të përgjithshëm të çështjeve që shqyrtohen në këtë gjykatë, çka nënkupton se pjesa tjetër, që është edhe pjesa më e madhe e proceseve, zhvillohen nëpër zyra. "E kam fituar gjyqin dhe tani pres vendimin e ekzekutimit. Por gjyqi më shkoi 2 vjet duke ardhur çdo dy javë këtu". Natasha është një grua në moshë, diku te të 60-at, e cila ka pak vjet që ka ardhur në Tiranë nga Berati. Në përpjekje për të blerë një shtëpi të lirë, u gjend e mashtruar dhe humbi 25 milionë lekë. "Procesin e kisha të thjeshtë, se mashtruesin e kanë futur në burg dhe ai e pranoi fajin... Po puna është se ma zgjatën shumë. Njëherë s‘vinte ai, një herë s‘vinin dëshmitarët. Seancat na i linin një herë në dy javë, nga njëherë edhe pas një muaji", përfundon gruaja, e cila nuk e di se problemi i saj për të marrë lekët e veta nuk mbaron me kaq. Por problemi i saj është më i thjeshtë se sa disa gjyqe penale, të cilat vazhdojnë prej shumë vjetësh.

Ankesat e gjyqtarëve

Për gjyqtarët problemi kryesor mbeten zyrat e administratës shtetërore. "Vërtetimet dhe dokumentet që qytetarët duhet të marrin nga zyrat shtetërore, janë ato që i vonojnë më shumë gjyqet", të thonë në Gjykatën e Tiranës. Për sa u përket vërtetimeve të gjendjes gjyqësore, me gjithë përurimin e sistemit online, duket se në gjykatë ende nuk kanë parë vlerë dhe se mbeten ende një problem shumë i madh. Duke qenë gjykata me numrin më të madh të çështjeve për gjykim, edhe ngarkesa që duhet të përballojë çdo gjyqtar është e lartë. Në një vit, gjykatësit e Tiranës duhet të përballojnë një ngarkesë prej 400-500 çështjesh. Por ata mendojnë se kjo ngarkesë, e cila gjithsesi nuk i shërben cilësisë së gjykimit, do të ulej ndjeshëm nëse legjislacioni shqiptar do të parashikonte ndryshimin e zgjidhjes së disa procedurave administrative, pa specifikuar ndonjë gjë konkrete. Gjyqtarët shpresojnë se ndryshimet që po bëhen në funksion të Reformës në Drejtësi, do të rregullojnë mjaft nga këto probleme, që për ta janë të rëndësishme. Ndërsa qytetarëve që shkojnë përditë në dyert e gjykatës, "hallet" e gjyqtarëve u duken gjëra të huaja, shumë të largëta, për ta rëndësi ka vetëm të gjejnë drejtësi.

Publikuar: 31.10.2010 | 13:43
Lexuar: 704 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime