Në anën tjetër ishte bulevardi i vjetër, me gurët e shtruar që në kohë të Italisë. Pastaj nisnin disa vila, njëra prej tyre ishte Ambasada Vietnameze. Pemët e larta mezi i shikonin shoferët vietkongë që drejtonin makina ruse të zeza. Ngjitur me to ishin shtëpitë e disa të mëdhenjve të pushtetit. Parku këtyre nuk ua vinte fort veshin. Ai ishte ndër të paktat gjëra që pëlqenin errësirën.
Fatos Baxhaku
Na ishte se çna ishte. Na ishte një herë e një kohë të shkuara në Tiranë një park. Nuk ishte i ngjashëm me ata të mëdhenjtë, që mbusheshin me harenë e festave, si ai i Liqenit. Jo, aspak. Ky park as që pretendonte të ishte i tillë.
Diku në mesin e tij kishte një si gjë të rrumbullakët, që dikur kishte ëndërruar të ishte shatërvan, më pas të gjithë e kishin harruar. Askush nuk ia kishte vënë më veshin gjësë rrondokope që të mbushej ndonjëherë me ujë apo që të popullohej ndonjëherë me peshq të kuq. Asgjë të keqe nuk kishte këtu. Sa e sa vetë ëndërrojnë në këtë jetë, shumica e tyre e kanë kot, fare kot. Parku ishte i stërmbushur me pemë. Nuk ishin fort të vjetra, megjithatë ishin kryeulura.
Ishin mështekna të ardhura dikur nga stepat e Rusisë, valanidhe të ardhurs nga stanet e maleve, plepa të butë nga ana e detit
të gjithë bashkë shkonin mirë. Heshtja sundonte mbi parkun. Atë nuk e prishte madje as e qara e ndonjë fëmije, as meraku i ndonjë nëne dhe as të bërtiturat e ndonjë babai nevrik. Sado ta ngrinin zërin të gjithë këta bashkë, heshtja nuk prishej. Dukej sikur zërat, që dilnin nga grykët e njerëzve mpiheshin që në ajër. Parku kishte vendosur të ishte oazi i heshtjes dhe i mprehjes. Vetëm zogjtë kishin liri të plotë.
Ata mund të këndonin e të lodronin hareshëm sa të donin. Një herë në vit qetësia e parkut prishej dhe pemët e ulnin kokën deri në tokë. Këto ishin ditët e paradave festive, të arritjeve, të fitoreve, të tangërllëqeve politike dhe ideologjike. Por këto kalonin shpejt dhe parku i mirë, priste gjithnjë njerëzit me atë durimin e tij të heshtur. Rreth tij kishte disa ndërtesa të rëndësishme. Krejt në skaj të tij ishte ndërtesa e Kryeministrisë.
Në anën tjetër ishte bulevardi i vjetër, me gurët e shtruar që në kohë të Italisë. Pastaj nisnin disa vila, njëra prej tyre ishte Ambasada Vietnameze. Pemët e larta mezi i shikonin shoferët vietkongë që drejtonin makina ruse të zeza. Ngjitur me to ishin shtëpitë e disa të mëdhenjve të pushtetit. Parku këtyre nuk ua vinte fort veshin. Ai ishte ndër të paktat gjëra që pëlqenin errësirën.
I pëlqente kur binte muzgu, sepse bash e në atë kohë në stolat e tij niseshin të uleshin një nga një e si me ndrojtje çiftet e të dashuruarve. Kjo histori vazhdoi dekada me radhë, por pastaj u harrua. Ata çifte kanë pasur fate të ndryshme. Dikush u martua, shumë i ndau jeta, të tjerë përfunduan vetëm si ëndërrimtarë të përjetshëm, të tjerë në burg. Erdhi një ditë që ekskavatorët e shkulën me themel parkun e të dashuruarve.
Pemët kishin parë ca kohë më parë një tufë të madhe njerëzish që qanin me dënesë, por nuk u kishte vajtur kurrë mendja se disa prej tyre, që ishin ulur madje në stolat e parkut, të ishin aq mizorë saqë të vinin një ditë të bukur e ti prisnin. Kështu ndodhi pas vdekjes së Enver Hoxhës, kur parkut i erdhi fundi. Në vend të tij do të ngrihej një gjë gri, një Piramidë për një Keops shqiptar. Marrëzi e madhështisë ishte në apogjeun e vet. Kështu, në vend të dashurisë, të heshtjes, të paqes ne vumë, Piramidën për të cilën sot diskutohet e flitet me aq pasion.
Tani kjo punë duket se është vendosur. Ajo ndërtesa e madhe, që i zuri vendin parkut të dashurisë, do të shembet. Në vend të saj do të ngrihet një Parlament i ri. Sikur të dëgjosh politikanët, ata që nuk kanë asnjë lidhje me arkitekturën, por vetëm me luftën e simboleve apo ikonoklastinë, për njërën palë Piramida duhet ruajtur, për palën tjetër duhet shembur. Duket sikur janë të ndryshëm në mendim, sepse ideja përse u ndërtua dhe përse po shembet është në thelb e njëjta. Nuk është gjë tjetër veçse një çorape e arnuar e kthyer mbrapsht.
Kur u ndërtua, u ndërtua si simbol i Enver Hoxhës. Kur shembet mënyra e të menduarit është po e njëjta vetëm se e kthyer në kahe të kundërta. Thelbi është një dhe vetëm një: marrëzia e madhështisë. Asgjë të përbashkët me parkun e dikurshëm të të dashuruarve, ku uleshin bashkë të majtë e të djathtë, ish-partizanë e ish të dënuar politikë, përkundrazi.
Zërave të specializuar, madje edhe vetë projektuesve të kësaj gjësë, askush nuk ua vuri veshin. U tha se është një simbol i diktaturës që duhet hequr dhe pikë. Në vend të saj duhet ndërtuar një tjetër godinë gjigante, një obelisk a monument që të na tregojë se sa shumë përpara kemi ecur ndërkohë, një gjë që të na kujtojë në jetë të jetëve edhe iniciatorët e këtij ndërtimi, ata që na hapën sytë.
Ky pra është Parlamenti i demokracisë, ku me këtë term kuptohet vetëm partia e tyre. Për paratë që ka ngrënë kolosi prej betoni, për ato, që janë hedhur për trukun e tij të pamundur dhe për të tjerat, që do duhen për prishjen dhe ndërtimin e Parlamenti të ri, u tha se nuk ka gajle fort.
Një gjë e çuditshme për një vend që nuk hyn ndër të pasurit e globit. E gjithë kjo histori na e përforcon bindjen se, në thelb, nuk kemi ndryshuar aspak. Ne merremi me simbole, njësoj si ikonoklastët në Bizantin e dikurshëm. Në vend të një parku të dashurisë ngritëm një gjë të frikshme, një monument që gjithsesi ishte fryma e kohës. Po përse duhet të bëjmë në thelb të njëjtat gabime? Vallë kjo ishte ajo që kërkonim në 90?
Tani, sikurse ndodh rëndom me gjërat tona të rëndësishme, duket se është vendosur. Piramida do prishet. Mirë që ndokujt nuk i vajti mendja që të prishë Shallvaret apo pallatet Agimi meqë ato janë ndërtuar në kohë të Stalinit.
Në një vend ku nuk të pyet njeri, cila është zgjidhja? Vështirë ta thuash vërtet, por mbase një rrugëzgjidhje edhe ka. Nëse opozita do të rrinte në sallë dhe nuk do të merrej vetëm me kutitë, atëherë mbase ndokujt prej tyre do ti shkonte mendja se në të gjitha vendet e qytetëruara të botës, në atë pjesën ku aspirojmë edhe ne më kot të hyjmë, ka disa gjëra që nuk i lihen në dorë vetëm politikës, por drejtpërdrejt popullit.
Në këtë rast hynë në fuqi REFERENDUMI! Askush nuk i pyeti qytetarët e vjetër dhe të rinj të Tiranës nëse ata duan ta shohin ende përditë Piramidën. A e pëlqejnë dhe sa nuk e pëlqejnë? A janë dakord që të harxhohen para vetëm për të bërë parada triumfi në një vend pa triumfe të mëdha? Ta zëmë se e prishëm, përse patjetër Parlamenti i ri duhet të jetë pikërisht aty? Po sikur të kthejmë edhe një herë parkun e mirë të të dashuruarve? Kjo iniciativë i takon në radhë të parë opozitës, pastaj Bashkisë së kryeqytetit dhe pastaj intelektualëve, që marrin vesh nga kjo punë dhe që, për më tepër u dhimbset paraja e popullit. U përket atyre, që ende e duan me shpirt Tiranën.
Të jeni të sigurt, nëse një referendum i tillë vërtet do të zhvillohet, atëherë do të fitojë ideja që Piramida, e nisur si një kryevepër e marrëzisë së madhështisë, të shndërrohet në një lloj parku të dashurisë si dikur. Se si e qysh e tek, mjafton të gjejmë brenda vetes vetëm pak dashuri. Asgjë më tepër.
(shqip)