Ishin katër momente që pa dyshim kanë merituar të shënohen, nëse askund tjetër, atëherë në këtë kolumne. Për shkak se janë, thënë më së paku, paksa skandaloze
Flaka Surroi
Hallakama e shkaktuar me dorëheqjen e kryetarit; prishjen e koalicionit; nisjen e mocionit nga një parti që për krizë e fajëson partinë me të cilën me gjasë nuk do që të krijojë koalicion -- na solli në pikën ku tash brenda një partie do ti kemi dy lista zgjedhore me nga njëqind veta (LDK) dhe kur do të na rrëzohet Qeveria qysh të martën e ardhshme për tu hapur shteg zgjedhjeve para Kërshëndellave. E me gjithë këmbimin e fjalëve dhe të akuzave nga dikur miqtë më të ngushtë dhe të pandashëm politikë, Thaçi e Sejdiu, ishin katër momente të tjera që pa dyshim kanë merituar të shënohen, nëse askund tjetër, atëherë në këtë kolumne. Për shkak se janë paksa skandaloze dhe shumë zhgënjyese.
E para
Të nderuar të pranishëm, më lejoni që unë si kryetar i Komisionit, me një mirënjohje të thellë dhe, me një përulje të madhe në emër të PDK-së, në emër të anëtarëve dhe simpatizantëve dhe qytetarëve të Kosovës, që tju propozoj Hashim Thaçin për kryetar dhe kryeministër të ardhshëm të Republikës së Kosovës. Në SHBA e thirrën Xhorgj Uashingtoni, në Turqi e thirrën Ataturku i Kosovës, në Izrael e thirrën Ben Gurjoni i Kosovës, në Francë Sharll Degoll, në Gjermani Helmut Koll, në Vlorë e në Shqipëri si Ismail Qemajli. Të nderuar zonja dhe zotërinj, një ditë trupi juaj dhe im do të shndërrohet në pluhur dhe hi, Republika e Kosovës do të jetojë përherë, përherë do të jetojë edhe emri i Hashim Thaçit (gabimet gjuhësore dhe sintaksore, supozoj, janë të autorit të fjalimit, ministrit të Arsimit, Enver Hoxhaj).
I çuditshëm, sa për ta quajtur disi, do të mund të etiketohej fjalimi i lexuar të dielën e shkuar në Kongresin zgjedhor të PDK-së, të cilit i erdhi era kurdisje dhe të cilit i mungoi përmbajtja e shkronjës së dytë të akronimit të saj. Me aklamacion, me muzikë, me konfeti, e me duartrokitje frenetike, u rizgjodh kryetari i partisë. Por jo para se të jetë lexuar kjo që u citua më lart. Se jo vetëm që ishte tekst denigrues për atë që e lexoi, por përmbante edhe të pavërteta. Kur e ka thënë fjalën përulje sdihet a ka menduar në nderim të thellë apo në nënshtrim të plotë. Kurse atëherë kur ka folur në emër të anëtarëve dhe të simpatizantëve të PDK-së, në fakt po e thoshte një diçka të pavërtetuar, ngase kuvendet zgjedhore nëpër degë nuk ishin mbajtur fare; e kur po fliste në emër të qytetarëve të Kosovës, aty po i fuste edhe ata që nuk e kanë votuar PDK-në, e që vështirë do të brengoseshin nëse ky apo ndonjë tjetër zgjidhet për kryetar i kësaj partie. Përderisa do të brengoseshin po qe se zgjidhet kryeministër sërish.
Por më tronditësja në fjalimin e ministrit ishte megjithatë patetika me të cilën e kishte përfunduar atë dhe në fakt, ngjashmëria aq e madhe e një fjalimi të këtillë me epet që u këndohen (u këndoheshin) liderëve të përjetshëm e të amshueshëm, të cilët vazhdojnë të jetojnë edhe pas vdekjes. A do të thotë kjo se gjatë gjithë mandatit, arsimin na ka udhëhequr një njeri i indoktrinuar dhe një përcjellës i devotshëm dhe i nënshtruar liderit, pavarësisht gradave shkencore të fituara në botën e jashtme? Nëse po, skam tjetër çfarë të them pos: zhgënjyese.
E dyta
Pasi u rizgjodh kryetar, kryeministri dha një intervistë për të përditshmen tonë. Dhe si ka zakon, nuk dha shumë përgjigje konkrete, por kryesisht përsëriti ato që tashmë jemi mësuar ti dëgjojmë për përkushtimin e tij për këtë shtet. Derisa gazetarët e pyesnin për zyrtarët e PDK-së që ishin dënuar, ose janë nën hetime, ose që kanë aktakuza të ngritura apo gjenden në procedura gjyqësore, ai iu përgjigj me Sot dëgjova se edhe shefat tuaj kanë probleme me hetime për evazion fiskal. Pas kërkesës së gazetarëve që të sqaronte këtë që e kishte thënë, pas heshtjes u ishte përgjigjur se kishte bërë hajgare.
Shaka pa kripë, e cila prek thellë integritetin e shefes së gazetarëve që patën guximin tia shtronin pyetjet drejtpërdrejt e jo në stilin Ju jeni kryeministri më i mirë që ka pasur Kosova, çfarë mund të thoni për këtë?. Shaka e cila mund të mos jetë shumë naive, e që në fakt do të mund të ishte një pallavër e qëllimshme që hidhet në qarkullim për diskreditimin e shtëpisë mediale që po e ruan pavarësinë e vet, me gjithë presionet që i bëhen. Për diskreditimin e atyre që, pavarësisht edhe të këtyre provokimeve, besojnë se ia vlen të jetohet në Kosovë, sepse me punën e tyre mund të ndihmojnë që gjërat të përmirësohen dikur në Kosovë. Të cilët besojnë se ende nuk janë pjekur kushtet për të kërkuar azil politik në Kiribati...
Të bësh shaka të këtij lloji nga pozicioni i shefit të ekzekutivit të një shteti bart edhe përgjegjësi për fjalën e thënë. Kështu dikur kishte vepruar Serbia ndaj gjithë asaj që nuk e përkrahte atë. Ta thuash një të pavërtetë kaq të madhe është të gënjesh për qëllime meskine. Ti dërgosh inspektorët e ATK-së që të qëndrojnë me muaj në kërkim të fakteve te kompania e cila është mbase paguesja më e rregullt e tatimeve në industrinë mediatike, e që ti mbyllësh sytë para atyre që nuk paguajnë tatime dhe i falimentojnë firmat e tyre me qëllim për të mos i paguar kurrë, është shumë e qëllimshme. Sa merreni me shaka pa fije lezeti, pyeteni ATK-në pse po na obligon ti ndërrojmë certifikatat e TVSH-së mu tash, para zgjedhjeve?
E treta
Rrëfimin ma treguan disa vajza pjesëmarrëse të ekskursionit në Libi, i cili u paralajmërua me shumë pompozitet por, i cili nuk u përcoll nga mediat me të përfunduar. Jam e sigurt se ka të tillë që do të duan ta demantojnë këtë që do ta përshkruaj, por duket se nuk ka dyshim se ky do të ketë qenë mbase njëri nga autogolat më të mëdhenj që kanë mundur tia japin vetes AKR-ja dhe shefi i saj.
E paralajmëruar si një vizitë/konferencë ku biznesmenë, studentë, e profesionistë të ndryshëm do të mund të lobonin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, me agjendë të përgatitur paraprakisht, u shndërrua në një ekskursion, pak a shumë të kotë, që përfundoi me vizitën një qyteti në shkretëtirë ku i gjithë delegacioni u pranua nga kolonel Gadafi, dora vetë. Nga njeriu, i cili e mban pushtetin në shtetin e vet qe 41 vjet, që i cili pos që nuk e ka fjalën demokraci në fjalorin tij, miqtë më të ngushtë i ka shefat e shteteve të Painkuadruara, që e përfshijnë Tadiqin e Serbisë, Lukashenkon e Bjellorusisë, Raul Castron e Kubës, Mubarakun e Egjiptit, Mugaben e Zimbabvesë, etj... plus, i cili për kundërshtarin më të madh politik e çfarë të duash tjetër, e ka SHBA-në.
Konferenca e të rinjve nuk u mbajt fare; nuk pati këmbime idesh e as diskutimesh. Pati respektim të plotë të protokollit libian, ku i gjithë grupi duhej ti duartrokiste liderit të madh deri sa ai të mos jepte shenjë se u bë boll shuplaka... madje, madje edhe ti këndonte... dhe pati në fund një deklaratë, që pak a shumë kishte këtë përmbajtje: Unë juve (shqiptarët) ju kam vëllezër; ata (serbët) i kam miq... e ju kurrë nuk do të jeni shtet i pavarur derisa të mos pavarësoheni nga Amerika..., pra për pasojë, as Libia nuk do të na e njohë pavarësinë.
Nuk e kuptoj arsyen e vërtetë të këtij udhëtimi. Nuk e kuptoj as mahnitjen për të shkuar në një vend ku telefonat mobilë ishin bllokuar ashtu siç na e kishte bërë neve Serbia gjatë bombardimit. E kuptoj se diçka nuk ka shkuar në rregull me këtë ekskursion pasi nuk pati konferencë për shtyp në aeroport në kthim nga rruga. A ia ka vlejtur?
E katërta
Fjalën rrenë nuk e përdori as vetë e as në familje. Në kulturën time nuk është princip të shtyhem me gra, por me burra Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër, në Kuvendin e Kosovës duke iu përgjigjur Gjylnaze Sylës, nga AAK-ja.
Përfundimisht, deklaratë më shoviniste më duket se nuk kam dëgjuar gjatë kësaj përbërjeje të Kuvendit. Fjalët e shqiptuara nga njeriu i dytë i Qeverisë duket se kanë qenë rezultat i një konstruksioni të cilin e ka përpiluar shpejt, ashtu siç edhe ka zakon të flasë e të shprehet dhe që në fakt e kanë zbuluar kulturën e gjinisë mashkullore dominuese, në këtë Kosovë të shakaxhinjve. Ajo që është dashur në fund të kësaj fjalie është edhe një copë fjalie: ...Hajt Gjylnaz, se kom bo hajgare....
Fakti se zëvendëskryeministri nuk e përdorka fjalën rrenë, nuk do të thotë se nuk e gënjen veten apo edhe familjen. Nuk e di çfarë kulture na paska zëvendëskryeministri pasi princip e paska të shtyhet me burra. Të vetmen kulturë të shtyrjes mes burrave që kam parë në televizor janë sumot japonezë... kur e shikoj konstruktin e zëvendëskryeministrit në ekranin televiziv, vështirë po mund ta imagjinoj si një luftëtar të tillë, bujar (si boksieri ) do të shtoja. Tash, nëse kjo është diçka e zakontë në trevat prej nga vjen ai, do të ishte interesante të dihej, ngase me shumë qejf do ta realizonim një reportazh për KTV-në.
Zoti zëvendëskryeministër, me këtë deklaratë keni dëshmuar që gratë i konsideroni numra të pa tru; që po të pyeteshit ju, klauzola 30 për qind do të hiqej; që pos që është kategori ligjore, gjinia minoritet siç definohen gratë në ligj, do të duhej të shndërrohej në kategori kushtetuese, e që të vazhdoni të na shkelni edhe pak... e po bëni gabim, zotëri, se me sa di, jeni baba i tri vajzave... e dini se edhe ato ndonjë ditë do të mund të bëhen deputete e të ballafaqohen me një zëvendëskryeministër që nuk i mat fjalët e që më në fund do të duhej tia tregonin ku e ka vendin. Bëhuni burrë, pa pasur nevojë të shtyheni kërkojini falje jo vetëm zonjës Syla, por të gjitha grave kosovare për budallallëkun e pamatur që e keni thënë. Dhe pranoni ballafaqimin për diskutim nuk është çudi që mbase edhe do të mund të mësonit diçka nga koleget që i nënçmoni aq shumë.