Në Kosovë, nuk ka kush ta mbrojë qytetarin e rëndomtë. Nuk ka kush ta mbrojë as Historinë e Kosovës. As rendin dhe ligjin. As ardhmëninë e Kosovës. E cila gjithsesi do të privatizohet, me një tender të manipuluar.
Blerim Shala
Sa më shpejt që është mundur, mbase, para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, në Prishtinë do të duhej të mbahej një Konferencë ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e të gjithë faktorëve relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë, me titullin: Roli i peshqëve në stabilizimin e shtetit të Kosovës, gjegjësisht, në luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar.
Republika e Kosovës nuk ka det, edhe pse ka hotele dhe pishina më shumë se disa shtete bregdetare, lumenjtë e saj janë të ndotur dhe shërbejnë para të gjithash si deponi mbeturinash, por kryesorja, peshqi ka sa të duash, dhe atë, të gjitha lojeve dhe të gjitha madhësive, dhe ata, si po duket, në një mënyrë apo tjetrën, janë të organizuar, në kundërshtim të rendit, ligjit, demokracisë, vlerave të paraluftës, të luftës dhe të paqes në Kosovë, të rrugës së Kosovës drejt integrimeve evro-atlantike, madje, edhe të anëtarësimit të Kosovës në OKB.
Peshqit, siç e dimë të gjithë ne qytetarët e Kosovës, janë mbi ligjin dhe mbi EULEX-in, qebesa, edhe mbi Kushtetutën e Kosovës.
Ata u paraqitën rrëmbyeshëm në fjalorin politik të Kosovës pikërisht para një viti, kur autoritetet e larta të EULEX-it, paralajmëruan që kemi hyrë në sezonin e peshkimit, apo që cak i hetuesve të këtij Misioni namëmadh, fjalëshumë dhe punëpak, do të jenë pikërisht peshqit e mëdhenj të politikës kosovare, të cilët nuk bëjnë hesapë pesë para rendin dhe ligjin në Kosovë, që kanë mbushur konton bankiere me miliona Euro, dhe që llogarisin që janë të paprekshëm.
U bë si u bë, erdh vjeshta tjetër (e vitit 2010), dhe një tjetër zyrtar i EULEX-it, pak ditë më parë, na shpalosi strategjinë më të re të këtij Misioni: Pra, për ti zënë peshqit e mëdhenj, po u dashka të kapen peshqit e vegjël së pari. E për zënien e këtyre peshqëve të vegjël, sa e dimë ne, duhet krimba dhe peshkatarë të mirë, dhe mbi të gjitha, duhet durim.
E këtë artikull a vlerë politike, më nuk e kanë kosovarët. E kanë humbur diku udhës kah liria, demokracia dhe pavarësia.
Lajmi i javës dhe i muajit, në mos edhe i vitit 2010, do të duhej të ishte vendi 110-të i Kosovës në Listën e Transparency International, të shteteve më të korruptuara në Botë.
Kosova është shteti më i korruptuar në rajon. Këtë po na e thotë Bota.
Por pakkush u mor me këtë punë. Të gjithë ne ishim të zënë me informatat e fundit të Ibrahim Makollit, nënshkrimbledhësit të AKR-së dhe të PDK-së, i cili më në fund, arriti të tubojë 40-të deputetë për ta vënë në votë-vetë-rrëzim Qeverinë e Kryeministrit Thaçi.
Në mos gabofshim, askush nuk e pa të udhës të theksojë që shkalla aq e lartë e korrupsionit në Kosovë, që konfirmon praninë masive të peshqëve problematikë anëkënd Republikës sonë, flet zëshëm edhe për dështimin e EULEX-it në luftimin e kësaj dukurie të keqe. EULEX ka një detyrë dhe një mandat shumë të qartë në Kosovë, dhe po ta kryente këtë detyrë, me siguri që shkalla e korrupsionit do të ishte më e ulët dhe Kosova nuk do të ishte aq poshtë në Listën e Transparency International.
E si i ka punët EULEX-i, kjo tregohet edhe me përkujtimin e faktit që së shpejti do të bëhen një vit që nga dëshmia tmerruese Bllaca DVD, ndërsa tashmë kanë kaluar mbi gjashtë muaj që nga bastisja spektakulare e Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit. Kaq. Këtu çdo shpjegim a koment tjetër është i tepërt.
Kush e mbronë pra Kosovën nga kjo e keqe e madhe, që është cilësori kryesor i Republikës së korruptuar të Kosovës?
Kurrkush. Kështu po del. Keq i ka punët Kosova.
Rrjeti i Grave të Kosovës, në anën tjetër, para disa ditësh reagoi me urgjencë ndaj një deklarate të Hajredin Kuçit, Zëvënëdëskryeministrit të Kosovës, i cili në seancën e parafundit të Kuvendit më të keq që Kosova ka pasë në historinë dhjetëvjeçare të parlamentarizmit, e pa të udhës të thotë që ai nuk shtyhet me gra, por me burra.
Rrjeti i Grave të Kosovës, e tha troç që Kuvendi i Kosovës nuk duhet të bëhet vend i debateve jodemokratike dhe segreguese.
Gratë ka kush ti mbrojë në Kosovë. Ky është lajm i mirë.
Por një tjetër fjalë rasti, objektivisht më e rendë se kjo e Kuçit, ajo e kolegut të tij, Enver Hoxhajt, e thënë në Kongresin e PDK-së, partisë më të madhe në vend, ende është pa përgjigje, sepse në Kosovë tutje nuk ka Rrjet të burrave të Kosovës, Rrjet të historianëve të Kosovës, as Rrjet të qytetarëve të zakonshëm të Kosovës.
Hoxhaj na e tha të gjithëve qartë që Hashim Thaçi, Kryetari i tij, i PDK-së, dhe Kryeministri i Kosovës, na ka çliruar dhe na ka bërë shtet, që ai është Ismail Qemajl i Kosovës, që ai krahasohet me burrshtetasit më të mëdhenjë të dy-tre shekujve të fundit të Botës, që ne të gjithë vdektarët e thjeshtë do të bëhemi hi dhe pluhur, por që Republika e Kosovës dhe emri dhe kujtimi i Hashim Thaçit do të jetojnë përherë.
Nuk na ka ra të shohim a të lexojmë ditëve të kaluara ndonjë reagim të intelektualëve, akademikëve, doktorëve dhe magjistrave të vendit, e të tillë kemi sa të duash (për fat të mirë), në të cilin një e vërtetë e pastër do ti kundërvihej një rrene të kulluar të thënë nga një shkenctar me diplomë dhe gënjeshtar ordiner me kravatë.
E pamë pra që gratë e Kosovës ka kush ti mbrojë. Pakicat kombëtare, apo komunitetet, gjishashtu ka kush ti mbrojë. Mbase, edhe të gjitha minoritetet tjera kosovare, ashtu siç edhe duhet, kanë një status që duhet ta gëzojnë. Por në Kosovë, siç po e kuptojmë përditë e më shumë, nuk ka kush ta mbrojë atë qytetarin mesatar, atë qytetarin e rëndomtë të Kosovës. Nuk ka kush ta mbrojë as Historinë e Kosovës. As rendin dhe ligjin. As ardhmëninë e Kosovës. E cila gjithsesi do të privatizohet, me një tender të manipuluar.
Kurrkush nuk i mbronë të gjitha këto. Kështu po del. Keq i ka punët Kosova.
Në fund, të mos i harrojmë peshqit, se me ta ia nisëm. Kur një peshk jeton në bunar për një kohë, e pastaj hidhet në lumë, ai tutje vazhdon të notojë në një rreth (çfarë ka qenë forma e bunarit), derisa të mos kuptojë se mund të notojë kah të dojë.
Ne qëmoti kemi dalë prej bunarit, por këtë lajm nuk e kemi marrë vesh akoma. Prandaj po sillemi në rreth.