E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

I trembëdhjeti vit i Panairit të Librit në Tiranë, sipas traditës, do të mbledhë në kryeqytetin shqiptar për pesë ditë me radhë botuesit, librat, lexuesit, autorët e përkthyesit.
Panairi i librit - Tirana 2010




E ashtu si është bërë zakon në këtë festë të madhe të librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, nuk do të mungojnë elementet e reja dhe detaje që sigurisht kanë të bëjnë me mbretin e këtyre ditëve: librin.

Në veprimtarinë që do të organizohet në Pallatin e Kongreseve nga data 11 deri më 15 nëntor, pritet të marrin pjesë 80 subjekte botuese. Sipas kryetarit të SHBSH-së, Petrit Ymerit, edhe këtë vit nuk janë pranuar të jenë pjesë e panairit subjektet jo botuese, ose thënë ndryshe ato subjekte që lidhjet me librin i kanë indirekte, raporton gazeta Shqip. Përkushtimi për organizimin e sivjetshëm të Panairit të Librit duket se ka qenë maksimal nga ana e organizatorëve. Kjo jo vetëm për kënaqësinë e të pranishmëve, por edhe për një arsye më shumë. Panairi i Librit do të vizitohet nga presidenti i panairit të Lajpcigut, gjermani Oliver Zile.

Ymeri tregon se prania e këtij personaliteti të botës së librit, mjaft i njohur në rang europian, si dhe i stafit të tij, e ka një arsye. “Ne si Shoqatë Botuesish kemi bërë kërkesën që për panairin e vitit 2012 në Lajpcig, Shqipëria të jetë tema e radhës e këtij panairi. Për këtë arsye z. Zile, do të jetë këtu në mënyrë që të studiojë kërkesën tonë dhe të vendosë nëse do t’i jepet Shqipërisë kjo mundësi. Për këtë vit, tema e Panairit të Lajpcigut ishte Kroacia, për 2011-n është vendosur të jetë Serbia e për vitin në vijim shpresojmë të jetë Shqipëria. “Nëse do të arrihet ky objektiv, Shqipëria do të paraqitet në këtë aktivitet të rëndësishëm të librit me një numër të madh shtëpish botuese, autorësh e përkthyesish, ku do të flitet për kulturën, librin, për letërsinë, e për historinë e Shqipërisë.

Ne shpresojmë që ta arrijmë ta plotësojmë këtë kërkesë, ndaj edhe po bëjmë përpjekje serioze që ky panair të jetë disi më i mirë se të tjerët”, thotë Petrit Ymeri. Ndërkaq, e reja tjetër e këtij viti do të jetë edhe prania në një stendë të veçantë e projektit TRADUKI. Bëhet fjalë për një projekt botimesh e përkthimesh për vendet e Europës Qendrore e Lindore. Pjesë e TRADUKI-t janë më shumë se 50 botues nga rajoni, mes të cilëve edhe Shqipëria. Në këtë stendë do të jenë të pranishme shtëpi botuese nga Kroacia, Bosnja, Hercegovina, Sllovenia, Bullgaria etj. Ndërsa tregon për të rejat e Panairit të 13-të të Librit “Tirana 2010”, Petrit Ymeri zbulon se edhe në çmimet e përvitshme do të ketë ndryshime. Këtë vit është vendosur të mos jepet më çmimi për stendën më të mirë, ndërsa janë shtuar dy çmime të reja, ai për veprën studimore më të mirë dhe çmimi special për letërsi profesionale.

Ndërkaq, ashtu si edhe vitet e shkuara, do të jepet çmimi për librin më të mirë, ai për përkthimin më të mirë, si dhe çmimi për librin më të mirë për fëmijë. Sa u takon të ftuarve specialë për këtë vit, Ymeri tregon se ata do të jenë vetëm shqipfolës. Bëhet fjalë për Sabri Hamitin nga Kosova, Kim Mehmetin nga Maqedoni e Aurel Plasarin nga Shqipëria. “Ne kemi bërë përpjekje edhe për të ftuar të tjerë nga përtej kufirit, por që për arsye të ndryshme nuk janë realizuar. I tillë është edhe rasti i shkrimtares Ornela Vorpsi, e cila nuk do të jetë e pranishme për arsye personale”, shprehet ai.

Sa u takon titujve të rinj, edhe këtë vit ata do të zënë një vend të konsiderueshëm në panairin shqiptar. Sigurisht, peshorja do të anojë nga letërsia e huaj. Botuesit shqiptarë po përpiqen të sjellin në shqip më të mirën e letërsisë botërore, e cila sipas Petrit Ymerit, është më lartë se ajo shqiptare, e për këtë duhet të jemi të ndërgjegjshëm. Panairi i Librit "Tirana 2010", ngjarja më e madhe kulturore e librit, që zhvillohet brenda kufijve të Shqipërisë, realizohet nën organizimin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë dhe cilësohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend. (koha ditore)

Publikuar: 02.11.2010 | 23:07
Lexuar: 665 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime