E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Keqardhja për “xhaxhin” nuk më la ta pyes sesi e shihte ai mbylljen e dyqanit të tij, ndaj thjesht e pyeta pse. “Falimentova”, m’u përgjigj shkurt ai. Dhe u largua me një buzëqeshje të hidhëruar në fytyrë.
Vuj Vini Vuj!








Sokol Balla

Dy ditë më parë, ndërsa zbrisja shkallët, pashë një burrë të moshuar që po mbyllte lokalin e tij të vogël, ku shiste për vite me radhë artikuj ushqimorë. Përtej keqardhjes për “xhaxhin” siç e thërrisnim të gjithë, m’u kujtua një bisedë që pata me të një muaj më parë. Ndodhi pak ditë pas emisionit me Dritan Priftin. “Hë, mo, ia nxori kallajin ky Tan Prifti – më tha “xhaxhi” – “por ama i nxori bojën edhe vetes, se: TË GJITHË NJËSOJ JAN˔.

Keqardhja për “xhaxhin” nuk më la ta pyes sesi e shihte ai mbylljen e dyqanit të tij, ndaj thjesht e pyeta pse. “Falimentova”, m’u përgjigj shkurt ai. Dhe u largua me një buzëqeshje të hidhëruar në fytyrë. M’u duk e tepërt ta pyesja, nëse shkak i falimentimit të tij është Edi Rama, Sali Berisha apo Dritan Prifti, meqë, sipas tij, njëlloj janë të gjithë, por ja që xhaxhi tirons, ndoshta nuk e ka të lehtë të ma thotë emrin, megjithëse e di mirë kush është fajtori. Ai nuk e thotë, se është tirons i vjetër. Dhe tironsit e vjetër nuk e kanë të lehtë të shajnë Sali Berishën. Sepse, që prej vitit 1991, mendojnë se ndryshimi ishte Berisha, antikomunisti ishte Berisha, i djathti ishte Berisha. Po t’i largohesh atij, je jo thjesht armik, por bllokmen, komunist. Nuk ka rëndësi nëse je i aftë apo i paaftë, “Po pse i bie Saliut, ti ke pas qen antikomunist?!”

Natyrisht që kjo sindromë mund të ketë qoftë emër shkencor, qoftë emër politik, por meqë te Antishqiptari, ndonjëherë trajtojmë me humor dhe cinizëm edhe çështje serioze, le të themi se përshkrimi më serioz që më shkon ndërmend, është batuta e Ninit të Bules për shokun e tij: “Vuj Vini Vuj”.

Kjo batutë më kujtohet sa herë që, për të fshehur një aferë, një keqpërdorim fondesh apo qoftë edhe një skandal, nga e djathta në pushtet vjen vetëm një mbrojtje: ata janë të mirë, të gjithë të tjerët janë komunistë. Dhe të tjerët tulaten, si xhaxhi tirons, se shqiptarët më mirë t’i shash me libër shpie, se t’u thuash që janë komunistë. “Vuj Vini Vuj”.

Ti pyet pse e bën ligjin e lustracionit, pala tjetër bërtet: “Komunist!”. Ti kërkon të dish se si u shpenzuan paratë tona për Piramidën dhe ku shkuan 6 milion Euro dhe Saliu ulërin: “Enverist!”. Ti shpreh keqardhjen sesi u keqpërdorën fondet për rrugën Durrës-Kukës dhe ai ulërin “Antishqiptar!!!”. Mirë, më mirë, unë qenkam Antishqiptar, po ti? Ti çfarë je?

Dakord që kjo shoqëri do ende kohë të hapet e të pranojë debat pa paragjykim, por më duket se faji nuk qëndron tek koha, por tek ideologjia e saj. Ndasia e njëzet vjetëve, po thellohet edhe më tej, jo se nuk i bëmë gjyqin të shkuarës, porse tani e shkuara ka televizor dhe i duket vetja Tea Party.

Njëri hip në majë të kumbullës dhe i duket vetja Berluscon-i, tjetra hipën në majë të thanës dhe i duket vetja Sara Pauline. Citojnë McCarthy-in, sikur të ishte apostulli i tyre dhe shajnë, shajnë pa fund: komunistë, spiunë, antishqiptarë. E quajnë veten konservatorë dhe zakonin kryesor kanë të shohin dhe të ruajnë oborrin dhe shtëpinë e tjetrit. Vetëm ata janë atdhetarët, të ndershmit, të virtytshmit. Të gjithë të tjerët duhet ta provojnë e gjykohen në publik. Mundësisht si në Komisionin McCarthy.

Të gjithë të tjerët, që nuk janë blu, duhet të provojnë se janë të ndershëm, se nuk janë me Enverin, se e duan atdheun e tyre. Kur vritet një militant blu në fushatë, të gjithë duhet të mos vëmë në dyshim se ai, është hero i demokracisë. Kur vritet një deputet dhe kryetar komune i “të tjerëve”, është vetëm një statistikë më shumë për krimin ordiner. Edhe të vdekurit duhet të provojnë se nuk janë komunistë. Nëse jo, duhet të mbajnë njollën edhe pas vdekjes. Të gjithë duken të lodhur të kundërshtojnë këtë, megjithëse të gjithë e dinë të vërtetën. “Vuj Vini vuj”.

Prej pesë vjetësh po qeverisemi më egër sesa McCarthy desh të qeveriste Amerikën. Prej pesë vjetësh, një grup personash që vdesin të quhen të djathtë, po djathtas mund të kenë vetëm organin kur u ngrehet para shurrës së mëngjesit, mendojnë se vetëm ata e duan Shqipërinë, megjithëse po armiqësohen për ditë pa kthim me së paku 50 për qind të shqiptarëve. Kur ata ndahen nga gratë, vdesin në aksident me dashnoret apo bëjnë inceste, shshshshsh s’duhet të flasim.

Fillojnë bien telefonat dhe të thonë se “shoqëria konservatore nuk do të kuptonte” apo se “prindërit e x-it janë sëmurë” apo kërcënojnë se “nesër do të vijë edhe radha juaj”. Por kur “vjen radha” dhe radha u vjen vetëm “të tjerëve”, McCarthy të nxjerr bythët në shesh dhe brekët në shkop e gjithçka është OK. Sepse edhe morali ka vetëm ngjyrë blu. Të gjithë të tjerët janë kurva dhe kurvarë.

Reagimi është i vakët. Ndoshta edhe për faktin se, ata që duhet ta kryesojnë, vdesin të kopjojnë edhe ata të majtën tjetër, atë të televizionit. Të shkruajnë fjalime si Veltroni, të përveshin mëngët si Obama apo të mbajnë vath si Niki Vendola. Të shkruajnë letra dhe të rrahin shpatulla, jo se duan, por se u duhet të provojnë para komisionit MCCarthy se e duan Shqipërinë. Si shpërblim u japin fyerje, sharje dhe pas pak javësh copat e mermerit të Piramidës. Po ti nuk flet dot, ndryshe të quajnë “Enverist i mutit!”
U lodhëm dhe na lodhën. “Vuj Vini vuj!”

Publikuar: 04.11.2010 | 03:00
Lexuar: 522 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet
Altin Petro (10/08/2011 01:48:52) Je i madh o Balla je i madh...Ndjehem mire qe dikur te kam pasur shef...

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime