Gjatë takimit, Berisha vlerësoi mbështetjen e jashtëzakonshme që PE i ka dhënë vendit tonë në rrugën drejt BE-së, si dhe në procesin e heqjes së vizave. Në këtë drejtim, ai e cilësoi si ngjarje historike, votimin nga Parlamenti Europian për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.
- Kryeministri Berisha pret delegacionin e deputetëve të Parlamentit Europian -
- Kryeministri Sali Berisha vlerësoi sot mbështetjen e jashtëzakonshme që Parlamenti Europian i ka dhënë vendit tonë në rrugën drejt BE-së, si dhe në procesin e heqjes së vizave.
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Berisha prit sot në një takim delegacionin e deputetëve të Parlamentit Europian, të kryesuar nga Presidenti i Delegacionit për Europën Juglindore, Eduard Kukan.
Gjatë takimit, Berisha vlerësoi mbështetjen e jashtëzakonshme që PE i ka dhënë vendit tonë në rrugën drejt BE-së, si dhe në procesin e heqjes së vizave. Në këtë drejtim, ai e cilësoi si ngjarje historike, votimin nga Parlamenti Europian për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.
Kryeministri nënvizoi efektet e jashtëzakonshme transformuese të reformave të ndërmarra drejt integrimit europian gjatë këtyre 5 viteve të fundit. Ai siguroi se "për qeverinë shqiptare, çdo hap drejt integrimit europian duhet të jetë tërësisht i bazuar në performancë e meritë, si interesi jetik i qytetarëve shqiptarë".
Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të reformave dhe arritjeve të rëndësishme të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe zhvillimit ekonomik. Ai u ndal gjithashtu edhe te reformat në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe krijimit të klimës së përshtatshme për biznesin e investimet në vend.
Kreu i Qeverisë veçoi arritjet në luftën kundër korrupsionit dhe reformat e ndërmarra nga qeveria në këtë drejtim, që kanë çuar në reduktimin e ndjeshëm të korrupsionit dhe në dyfishimin në 5 vjet të të ardhurave fiskale e doganore.
Shqipëria sot, tha Kryeministri, renditet në çatinë botërore si vendi me prokurime 100 për qind elektronike, vlerësohet 27 për qind më lartë, sesa mesatarja e vendeve të OECD-së për lehtësirat në fillimin e biznesit dhe 25 për qind më lart përsa i përket investimeve ndërsektoriale.
Po ashtu, Kryeministri theksoi faktin se Shqipëria është një vend i sigurt dhe treguesit e kriminalitetit janë më të ulëtat, se mesatarja e vendeve të BE-së.
Nga ana e tyre, europarlamentarët vlerësuan punën e madhe dhe reformat e thella që qeveria shqiptare ka ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, të cilat kanë bërë të mundur edhe këto arritje të rëndësishme. Ata u ndalën veçanërisht te puna e madhe që është bërë për hartimin, përpilimin dhe prezantimin para Komisionit Europian të përgjigjeve të pyetësorit.
Në këtë drejtim, europarlamentarët theksuan se cilido qoftë opinion i Komisionit në këtë pikë, ai duhet parë si një inkurajim për arritjet e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, por edhe për reformat e ardhshme integruese.
Eurodeputetët e përgëzuan Kryeministrin Berisha për realizimin e kërkesave të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, çka bëri të mundur votën pozitive me shumicë dërrmuese në Parlamentin Europian.
Njëkohësisht, ata konfirmuan besimin se edhe Këshilli Europian do të japë së shpejti konsensusin e tij, duke e shndërruar në realitet ëndrrën e shqiptarëve për lëvizje të lirë në hapësirën europiane.
Europarlamentarët vlerësuan gjithashtu investimet e rëndësishme në infrastrukturë, si rruga e kombit Durrës-Kukës, që mundëson lidhjen me Kosovën e rajonin, në një kohë shumë të shkurtër.
Gjithashtu, europarlamentarët vlerësuan kontributin e Shqipërisë në shërbim të konsolidimit të paqes, stabilitetit, bashkëpunimit e miqësisë në rajon, si dhe rolin konstruktiv të moderuar e të rëndësishëm që Shqipëria ka luajtur dhe vijon të luajë për thellimin e këtij bashkëpunimi.
Në takim u diskutua edhe mbi situatën politike në vend, ku u vlerësua oferta e mazhorancës për hetimin e të gjitha çështjeve nga Komisioni parlamentar, përveçse atyre për të cilat ka vendim të gjykatave, si dhe gatishmërinë e mazhorancës për të votuar amendamentet që opozita do të sugjerojë për kuadrin ligjor për zgjedhjet e ardhshme, me kushtin që ato të jenë konsultuar paraprakisht me institucionet e OSBE/ODIHIR.