Gazeta Zëri ka siguruar agjendën dhe listën e pjesëmarrësve, nga e cila mësohet se vizita në lagjen e njohur me shtëpitë publike është pjesë e agjendës dhe e paguar nga paratë e buxhetit të Kosovës.
Arbana Xharra
Konferenca për ti joshur investitorët e huaj në Kosovë, e cila do të mbahet në fillim të nëntorit në Holandë, do tu japë kënaqësi të ndryshme zyrtarëve kosovarë.
Kënaqësia e parë është se do të mund të sjellin miliona euro investime në vend, ndërsa kënaqësia tjetër është se në fund të konferencës do ta kenë mundësinë të vizitojnë lagjen më të famshme të shtëpive publike në Evropë, përkatësisht lagjen Red Light District në Amsterdam të Holandës.
Këtë kënaqësi do të mund ta përjetojnë një delegacion prej 30 vetave, në mesin e të cilëve janë zyrtarë të institucioneve të Kosovës, përfaqësues të biznesit dhe gazetarë.
Gazeta Zëri ka siguruar agjendën dhe listën e pjesëmarrësve, nga e cila mësohet se vizita në lagjen e njohur me shtëpitë publike është pjesë e agjendës dhe e paguar nga paratë e buxhetit të Kosovës. Kjo vizitë në Holandë është organizuar nga Agjencia Kosovare për Promovimin e Investimeve (IPAK), e cila është nën ombrellën e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë pranë Qeverisë së Kosovës dhe me përkrahjen e Odës Ekonomike Amerikane.
Shpenzimet e udhëtimit dhe të të gjitha aktiviteteve do të mbulohen nga buxheti i Qeverisë së Kosovës. Nga agjenda e kësaj vizite që gazeta Zeri posedon , mësohet se më 1 nëntor 2010 delegacioni kosovar arrin në Holandë, një ditë më vonë, më 2 nëntor do të kenë takime të ndryshme në Odën Ekonomike të këtij shteti, ku do të promovohet Kosova si vend atraktiv për tu investuar, të nesërmen, më 3 nëntor delegacioni do të ketë takime të ndryshme nëpër kompani të mëdha si Heineken, Haworth Benelux, Philips etj.
Kurse ditën e katërt delegacioni ia ka caktuar vetes disa mundësi për të kaluar kohën e lirë. Në mëngjes do të kenë një vizitë turistike, kurse në mbrëmje pjesë e agjendës është vizita në Red Light District në Amsterdam të Holandës. (Zëri)