E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Maqedonia s'ka as emër, as dialog politik, as dialog etnik, as konsensus për regjistrimin e popullsisë, as marrëveshje për buxhetin, as media të lira, as implementim të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe as...as...
Udhėtimi skėterrian pėr nė BE!








Demush BAJRAMI

Dhe, më në fund, ajo që ne e meritojmë, do ta shohim e dëgjojmë jo më larg se tani në nëntor. Kështu, të paktën thuhej para se të vinte nëntori. "Ardhtë me të mira", thonë për diçka që ka të bëjë me pritjen që të merret ndonjë lajm. Pra, i shumëprituri nëntor më në fund erdhi. Kësaj here lajmi duhet te jetë mësuar ende pa mbërritur: Në letrën e bardhë me siguri do të shkruhet zi! Ashtu, siç është i errët edhe realiteti ynë politik. Për të satën herë do të zbardhet e vërteta lakuriqe.

Maqedonia s'ka as emër, as dialog politik, as dialog etnik, as konsensus për regjistrimin e popullsisë, as marrëveshje për buxhetin, as media të lira, as implementim të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe as...as... Kjo është derexheja nga e cila nuk po arrin të dalë dot Maqedonia. Jemi, shumë afër "ditës D" kur Komisioni Evropian do të publikojë raportin e ri mbi (mos)përparimin e Maqedonisë në procesin e rrugëtimit për në Bashkimin Evropian!

Jemi mësuar të dëgjojmë si shpesh të thuhet: Maqedonia ka shënuar "në diç" përparim. Por, vendi nuk i përmbush ende kriteret politike që kërkohen për marrjen e datës për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE! Ky, tashmë e një kohë të gjatë është bërë refreni më i shumëpërsëritur i Komisionit Evropian në progres-raportet e deritanishme për Maqedoninë, duke mos munguar edhe arsye të shumta me vend për këtë.

Kjo është njësoj si të kesh marrë udhë për të shkuar diku e të mos dish si duhet mbërritur atje…! Dhe, për njohësit e rrethanave të këtushme, ky udhëtim skëterrian do të thotë: do të jetë vështirë për të mbërritur atje ku ia kemi mësyrë me këtë politikë që kemi. Këtë ecje me hapa të gaforres (lexo: gaforrja ec mbrapa), e kanë parashikuar të gjithë, pos qeverisë! Mbase, s'ka asnjë fije dyshimi se edhe në këtë raport të Komisionit Evropian pritet të ketë pasqyrim real: mungesë dialogu politik dhe mospërmbushje të detyrimeve në drejtësi, në luftën kundër korrupsionit, shoqërinë e informacionit dhe mediave, sorollatje në arsim, diskriminim kulturor...

E kur jemi te kultura do të ndalem pak. Janë nënshkruar me dhjetëra memorandume mirëkuptimi e bashkëpunimi me Bashkimin Evropian, që Maqedonia të marrë pjesë në garat në fushën e kulturës, të hapura për vendet kandidate për anëtarësim në BE, por edhe këtu mungojnë shqiptarët.

Por, as programet shtetërore nuk synojnë të forcojnë identitetin kulturor, promovimin e bashkëpunimit kulturor dhe nxitjen e shkëmbimin e veprave të artit me shqiptarët. Çdo vit në kuadër të buxhetit (ku ndajnë goxha hise edhe shqiptarët) dedikohen mjete për projekte që lidhen me artet, si: muzikën, ruajtjen e trashëgimisë, artet e bukura, letërsinë dhe aktivitetet e përkthimit. Dhe, përsëri shqiptarët mungojnë!

Programet që mbështeten financiarisht kanë fituar siglën e programeve të absurdit dhe shikohen me rëndësi të veçantë: që të financohen duhet t'i kontribuojnë vetëm kulturës maqedonase. Pikë. Kështu, politikëbërësit maqedonas, mundohen të kontribuojnë në rritjen e 'ndërgjegjësimit' të njerëzve se mund t'i marrin fondet vetëm ata që i përkasin një komuniteti të njëjtë me ministrin... E ministrat tanë, ku janë ata? Shtiren se kanë punë më të rëndësishme, por nuk dinë të thonë se cilat janë ato "punë më të rëndësishme"!

Për Maqedoninë është një moment shumë i rëndësishëm që t'ia hap rrugën edhe kulturës shqiptare për pjesëmarrje të artistëve shqiptarë në projekte në fushën e kulturës dhe artit. Vetëm kështu Maqedonia do të sigurojë një ecje të sigurt drejt rrugës për në Evropë. Por, si duket Maqedonia nuk e ka shumë dert punën e integrimeve.

Se po të frikohej pak nuk do të intervenonte me aq lehtësi në Statut që edhe funksionin e drejtorit të Muzeut (ende të pa zyrtarizuar) kombëtar të Kongresit të Alfabetit në Manastir ta ushtronte një joshqiptar! Mirëpo, për fat të keq, derisa shqiponjat krahëthyer nuk mund të fluturojnë, luanesha e bën kulturën si të dojë. Bile edhe stemën dhe çdo simbol tjetër do t'i maqedonizojë. Mbi themelet e trashëgimisë shqiptare do të ngrihet edhe një muze maqedonas?! Dhe, përsëri heshtje...

Prandaj, ngec dialogu mes partive dhe aktorëve kryesorë politikë, prandaj nuk na mundësohet që të kemi një funksionim normal të institucioneve dhe nuk ka përshpejtim të ritmit të reformave.
E sa për zbatimin e reformës gjyqësore, garantimin e një shërbimi policor të paanshëm dhe të papolitizuar, vazhdimin e luftës kundër korrupsionit me një qasje objektive dhe garantim të punësimeve në shërbimin civil në bazë të kritereve profesionale, sipas parimit kushtetues për përfshirje nacionale, as që do të duhet zgjatur më shumë muhabetin. Prandaj, sot pos qeverisë nuk ka kush ta lavdërojë Maqedoninë.

Për ta mbyllur këtë tregim për Maqedoninë, e cila nuk ndjehet e entuziazmuar para raportit të KE, duke shfletuar shtypin më ra në sy deklarata e ambasadores së Mbretërisë së Holandës në Maqedoni, Simone Filipini, në debatin përkitazi me "të drejtat e njeriut dhe barazisë në BE pas Marrëveshjes së Lisbonës".

"Nuk mund të shikoj në top qelqi, por janë të njohura sfidat për Maqedoninë, e ato janë reforma në administratën publike, procesi i reformave në jurisprudencë, si dhe çështje të tjera. Sfidë shtesë është edhe liria e mediumeve. Qeveria këtë e din dhe kjo me siguri do të notohet në raport, i cili do të jetë korrekt dhe i drejtë, si edhe çdoherë dhe do ta shpreh realitetin", citohet të ketë thënë ambasadorja Filipini. Por, shkëlqesia e saj nuk ka harruar shumë guximshëm të thotë se procesi i qasjes nuk ka të bëjë vetëm me ligjet, por edhe me implementimin e tyre në praktikë.

Çka do që të ndodh me çështjen e emrit, në interes të Maqedonisë dhe të gjithë qytetarëve të saj është implementimi i të gjithë asaj që është miratuar në periudhën paraqasëse. Kjo, është mirë për qytetarët, vendi do të jetë më konkurrent, ndërsa shoqëria do të jetë më e drejtë dhe më e mirë me qasje më të madhe ndaj të gjitha të drejtave për çdo qytetar", ka thënë ajo. Dhe, vetëtimthi më lindi edhe pyetja, apo ndodh transformimi i sistemit ligjor dhe harmonizimi i ligjeve në suaza të procesit të integrimit evropian apo gjithçka është farsë?!

Mbetet të shohim se si do të reagojnë. Por, kështu si qëndrojnë punët është vështirë të mbeten në këmbë. Herë ikën anash, herë majtas e herë djathtas, por asnjëherë nuk shkojnë drejt e në qëllim... Por, edhe kur mundohen të bëjnë diç për të "shpëtuar" gjënë e mbetur, papritmas humbet kujdesi. E, pastaj asgjë nuk lëvizë. Dhe, nuk ndodhë asnjë ndryshim...

Publikuar: 06.11.2010 | 04:38
Lexuar: 263 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime