Këngëtari i mirënjohur Naim Abazi është i mendimit se këngëtarët kosovarë duhet të marrin pjesë në festivalin e RTSH-së, sepse është festival që ka vlera dhe këngët e mira ia vlejnë të prezantohen në këtë festival.
Sivjet festivali i 49-të i RTSH-së do të nisë më 23 dhjetor, kurse finalja do të mbahet më 25 dhjetor dhe fituesi do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong. Edhe këtë vit në këtë festival do të marrin pjesë këngëtarët kosovarë, të cilët shpresojnë se mund ta përfaqësojnë Shqipërinë në Eurosong, edhe pse ky është një mision i pamundur për ta.
Këngëtari i mirënjohur Naim Abazi është i mendimit se këngëtarët kosovarë duhet të marrin pjesë në festivalin e RTSH-së, sepse është festival që ka vlera dhe këngët e mira ia vlejnë të prezantohen në këtë festival.
Këngëtarët duhet të marrin pjesë në festivalin e RTSH-së, sepse me këtë shpalosin vlerat e tyre krijuese, mendon Naim Abazi. Ai tutje shton se Kosovës i duhet një festivali, ku kënga fituese do ta dërgonte atë në Eurosong. Unë mendoj që Kosova duhet të ketë një festival, apo një kofestival, i cili pastaj do të na sillte një kualitet të nivelit evropian për të qenë të gatshëm për garimin e mundshëm të Kosovës në Eurosong.
Ndërkaq, këngëtarja Yllka Kuçi shprehet se ajo më nuk do të marrë pjesë në këtë festival, edhe pse vitin e kaluar ka pasur ftesë për të qenë pjesëmarrëse e festivalit të RTSH-së. Unë kam marrë pjesë njëherë dhe nuk besoj se do të marr pjesë ndonjëherë tjetër në atë festival, edhe pse kam pasur ftesë vitin e kaluar dhe sivjet, por nuk kam marrë pjesë për disa arsye, të cilat nuk duan tani ti detalizoj, theksoi Yllka Kuçi. Ajo mendon se Kosova ka nevojë për një festival serioz dhe të mirëfilltë, kurse për Eurosongun, thotë se është politizuar shumë.
Ndërsa sa i përket nevojës së një festivali të tillë te ne besoj se përgjigjja është pozitive nga të gjithë ne si pjesëtarë të mundshëm. E sa i përket Eurovisionit, më duket se është politizuar aq shumë saqë nuk të lë shumë qejf për tu prezantuar si kosovar atje, e aq më tepër të presësh një vlerësim korrekt nga ai festival, u shpreh Yllka Kuçi. Ndërkaq, këngëtari Alban Mehmeti shprehet se nëse këngëtarët kosovarë nuk marrin pjesë në festivalin e RTSH-së, kjo do të thotë se Kosovës i duhet një festival sikur i RTSH-së.
Kjo do të thotë që një festival i tillë i duhet urgjentisht Kosovës, por mjerisht që në Kosovë nuk i kushtohet shumë rëndësi kësaj pune, dhe mendoj që edhe nëse gjenden njerëzit e gatshëm për këtë iniciativë, është shumë e vështirë të realizohet, pasi që ky lloj festivali nuk mund të bëhet veç kot, por duhet të jetë i një niveli të lartë, përndryshe do ta humbte qëllimin e vet dhe do të dështonim keq, mendon Mehmeti. (kosova sot)