Banorët e Buenos Airesit lexojnë kudo. Në qytet janë më shumë se 900 librari dhe më 2011 UNESCO e ka shpallur kryeqytetin botëror të librit.
Buenos Aires
Me shifra është e vështirë të tregohet se banorët e Buenos Airesit lexojnë më shumë se të tjerët. Por mjafton të shohësh rreth e përqark për ta vërtetuar. Zonja në stacionin e autobusit ngre sytë nga romani i Alan Pauls, si për të parë se kush është në radhë me të, ndërsa një burrë në metro nuk e ndan nga duart një libër në anglisht deri në stacionin ku zbret. Banorët e Buenos Airesit, lexojnë gjithçka, revista dhe libra sociologjie, bestseller, klasikë të letërsisë botërore. Ata lexojnë kudo ndodhen, kafene, sheshe, autobusë. Kështu të krijohet përshtypja se ky qytet kaq i bukur ngjason me një sallë gjigante leximi. Në të gjithë Argjentinën janë 2409 librari nga të cilat 900 në zonën e Buenos Airesit. Në raport me numrin e banorëve, Argjentina me më shumë se 20 mijë libra të rinj çdo vit, konkurron rivalen e saj, Meksikën, ku zhvillohet panairi më i madh i librit të të gjithave vendeve që flasin spanjisht.
Pika takimi
Libraritë e Buenos Airesit nuk janë vetëm vende ku lexohet. Ato janë edhe pika takimi shumë të rëndësishme për njerëzit dhe vende që pëlqehen shumë të vizitohen nga turistët. Guida e fundit El libro de los libros u kushtohet pikërisht librarive të qytetit që mbijetojnë pavarësisht një sistemi kaotik shpërndarjeje ku mosfunksionimi si duhet i postave bllokon blerjen e tyre përmes postave. Nëse një librari mbyllet, dy ditë më pas hapet një tjetër vetëm tre hapa më tej. Libraria më e mirë e zonës është Eterna Cadencia, shumë e pasur, e cila nuk ka më shumë se pesë vjet që është hapur. Në dyqanin e vogël me çati prej xhami mund të zhytesh thellë në lexime. Shkrimtari vendas, Carlos Gamerro, flet për pasionin e të rinjve për letërsinë edhe në kohën e diktaturës ushtarake. Mësuesit revolucionarë që nuk ishin sekuestruar jepnin mësime private. Në ato vite ishte e mundur të arrije një nivel të mirë shkollimi vetëm në mënyrë klandestine.
Në hyrje të Libreria de las madres sheh një grumbull me njerëz. Edhe pse është e vogël ajo përmban kryesisht libra me natyrë politike: të drejtat e njeriut, antologji mbi historinë e revoltës në vitet e krizës financiare. Aty gjen udhërrëfyes që të çojnë stendat e veprave kryesore të Leninit, Marksit dhe Engelsit, libra që gjatë viteve të diktaturës kush i kishte rrezikonte jetën. Pak hapa më tej afër Casa Rosada, u hap La Botica, libraria e parë e qytetit. Përveç librave ajo shet edhe ilaçe dhe produkte ushqimore. Me pak fjalë mallra shumë të nevojshme për ekzistencën e njeriut.
Dyqani ndryshoi shumë herë pronar derisa i erdhi radha Libreria del Colegio, emër me të cilin njihet edhe sot në të gjithë qytetin, edhe pse zyrtarisht prej disa vjetësh quhet Libreria de Avila. Në tregun e librit argjentinas nuk ekzistojnë shumë ndërmjetës. Kjo i lejon libraritë të mbijetojnë, duke rritur mundësitë e tyre për të fituar. Përkundrazi, shpërndarja e tyre është paksa kaotike dhe vetë librashitësit e kanë të vështirë të orientohen. Kush ka nevojë urgjente për ndonjë vëllim që nuk është në majë të klasifikimeve duhet ta gjejë vetë. Të lexosh kërkon shumë pasion, thotë shkrimtari argjentinas, Alvaro Abos. Por nëse Libreria de Avila është si një vajzë e bukur, por e çrregullt, Ateneo grand splendid është motra e saj jo vetëm e bukur, por edhe shumë e rregullt. Teatri i vjetër që i përket fillimit të shekullit XX, i rikonstruktuar është libraria më e madhe dhe më e bukur e Amerikës Latine.
Deri natën vonë
Një tjetër librari që njihet në të gjithë vendin është ajo e Alberto Casares. I ndihmuar nga dy djemtë e tij, Alberto tregon se për këtë librari është në gjendje të bëjë gjithçka. Ajo është si një fëmijë për të. Të gjithë në familjen e tij u pëlqen të lexojnë. Edhe më të vegjëlve u kemi futur në gjak pasionin për leximin, tregon ai. Rreth e qark librarisë sheh lokale bio dhe butikë të shtrenjtë, që mbajnë emrat e stilistëve argjentinas. Avenida Corrientes është një nga bulevardet më të mëdha të qytetit, i gjatë rreth 1 kilometër përgjatë të cilit sheh teatro, restorante, kafene dhe librari që qëndrojnë hapur deri natën vonë. Buenos Aires, i shpallur nga UNESCO-s si kryeqyteti botëror i librit për vitin 2011, ka inauguruar programin Yo leo en el bar (Unë lexoj në bar). Edhe në lokalet që gjenden përgjatë bulevardit gjen libra që mund të merren hua. Pas krizës, shumë nga libraritë më të veçanta të qytetit u mbyllën, duke ua lënë vendin dyqaneve të tjera.
Por në qytet edhe dyqanet japin kontributin e tyre duke e shpërndarë leximin me çmime që njerëzit mund tia lejojnë vetes: libra për tu lexuar në metro, në autobus, në stacione. Një libër i Jack Londonit, për shembull i përkthyer në spanjisht mund të blihet për pesë ose gjashtë pesos (dy-tre euro). Nga pas librarisë Catedra ku deri pak kohë më parë administrohej shpërndarja e revistave të përdorura porno, sot gjenden numra të vjetër revistash dhe gazetash mode apo arkitekture. Më tutje gjen Lacan që shet manualë të sociologjisë dhe ese politike. Aty është edhe një katalog me veshje sportive të verës së vitit 2005 me çmim 25 pesos. Duket sheshit që në Buenos Aires, në çdo cep gjen nga një lexues.