Më 25 janar të vitit 2008, një ditë para zgjedhjeve demokrate në Karolinën e Veriut për kandidaturën presidenciale, Barak Obama ndihej shumë i lodhur.
Më 25 janar të vitit 2008, një ditë para zgjedhjeve demokrate në Karolinën e Veriut për kandidaturën presidenciale, Barak Obama ndihej shumë i lodhur. Teksa po i hidhte sytë listës së evenimenteve në të cilat duhet të merrte pjesë, i tha shefit të stafit se duhej ta shmangnin takimin me një grup grash afro-amerikane, të gjitha të shkolluara në universitetet më të mira të vendit. Obama ndihej shumë i lodhur dhe dukej se nuk kishte burrë që ta bindte për të qenë i pranishëm në takimin tashmë të shënuar në axhendë.
Ata që i qëndronin pranë kandidatit Obama në atë moment e dinin se ekzistonin dy persona që mund tia ndërronin mendjen Presidentit: bashkëshortja e tij, Mishel, dhe Valerie Jarret. Kjo e fundit është një mikeshë e vjetër e Obamës dhe këshilltare e tij. Për sa i takon situatës së 25 janarit, stafi i tij kishte të drejtë, sepse falë ndërhyrjes së këtyre dy grave, Obama mori pjesë në një takim vërtet shumë interesant. Në fakt, në historinë e njerëzve të fuqishëm, ndër të cilët pa dyshim janë edhe presidentët amerikanë, dihet se ka pasur dhe ka gjithmonë disa persona, të cilët kanë një ndikim më të madh se të tjerët në vendimmarrjen e tyre. Në rastin e Obamës, përveç bashkëshortes së tij, Mishel, personi i dytë është Valerie.
Ajo është një person që më parë kishte pak të bënte me Uashingtonin, por që aktualisht ka një nga vendet e punës më të rëndësishme të administratës amerikane: këshilltare presidenciale për çështjet ndërqeveritare dhe publike. Një post i tillë i përkthyer me fjalë të thjeshta është: ndërmjetëse e Obamës me botën e jashtme.
Ndërkohë, Jarret është edhe mikja e ngushtë dhe e vjetër e Presidentit dhe një nga njerëzit e tij më të afërt e më besnikë në Shtëpinë e Bardhë. Sipas vetë fjalëve të Obamës, Valerie është një nga mikeshat e tij më të vjetra. Shpesh marrëdhënia jonë ka marrë përmasa të tilla saqë na është dukur se kemi qenë të një gjaku. I besoj asaj plotësisht, ka thënë vetë Obama gjatë një konference për shtyp. Po çfarë bën Jarret ekzakësisht. Së pari, axhenda e saj është e mbushur me shumë takime, konferenca dhe fjalime. Ajo është personi kryesor që e prezanton dhe e përcjell Obamën te komuniteti i biznesit.
Në skuadrën ekonomike të Presidentit, vetëm Jarret, një ish-presidente e një firme për pasuritë e patundshme në Çikago, ka drejtuar një biznes me xhiro miliarda dollarësh. Marrëdhëniet dhe komunikimi që ajo ka me sektorin privat është një nga armët e forta që ajo ka dhe një nga ndihmat që i ofron Obamës me prezencën dhe konsultën e saj. Ndër të tjera, Jarret bën edhe detyrën e mbështetëses së çështjeve të minoriteteve, edhe pse Shtëpia e Bardhë qeveriset nga një person me ngjyrë. Përvoja e përbashkët e Jarret dhe Obamës ka të bëjë me racën dhe në një nivel më të thellë me bashkekzistencën mes të ndryshmeve, në realitetin amerikan të pas Luther Kingut, në të cilin janë bërë bashkë ambicia, ndërgjegjja, aktivizmi dhe drejtësia.
Të dy bashkë, Jarret dhe Obama, kanë një përvojë të gjatë bashkekzistence dhe ndryshimi në një realitet në ndryshim. Ata kanë jetuar dhe punuar në Çikagon që drejtohej për herë të parë nga një kryebashkiak i zi, Richard Daley, dhe panë e prekën me duart e tyre ndryshimin. Të gjithë e ndienim se gjërat, njerëzit mund të ndryshonin, ka thënë Jarret kur e pyetën se çfarë domethënie kishte për të dhe Obamën rritja në një qytet si Çikago. Megjithatë për Valeri ajo çka është më e rëndësishme për Obamat në një qytet si Çikago është fati se aty ata njohën njëri-tjetrin dhe hodhën bazat e familjes.
Jarret nuk e pati të vështirë që të bëhej pjesë e ngushtë e familjes së re Obama. Ajo ishte zëvendësshefe e stafit të kryebashkiakut Daley, një nga njerëzit më të fuqishëm të qytetit në vitin 1991. Pikërisht në atë kohë nisi një politikë e re promovimi e njerëzve të rinj me ngjyrë në postet e rëndësishme vendimmarrëse të administratës së qytetit. Në këto rrethana, Jarret u njoh me një zezake të re dhe shumë të shkolluar, me emrin Mishel Robinson. Të dyja gratë, që në takimin e parë patën një ndjesi se ai takim nuk do të ishte kurrsesi edhe i fundit. Brenda një viti, Mishel u bë një nga njerëzit më të besuar të Jarret dhe po kështu edhe i fejuari i saj, Barak. Vetë Jarret është bija e prindërve afro-amerikanë dhe ka lindur në Iran.
I ati i saj mjek drejtonte një spital në këtë vend si pjesë e një programi ndihme amerikane. Lidhja e Obamës me Jarret është deri diku shumë e kuptueshme, duke qenë se që të dy janë rritur jashtë vendit dhe kanë pasur kontakte me kultura e njerëz të tjerë, ndaj e kanë pasur më të lehtë që të tregohen të hapur ndaj tyre dhe ndaj vetë njëri-tjetrit. Obama, siç shkruan vetë në kujtimet e tij, ishte gjithmonë i tërhequr dhe i mrekulluar nga heronjtë e vërtetë të lëvizjeve të të drejtave të njeriut. Ndërkohë, lufta e Jarret ishte e një tjetër sfere: si të arrinte të ndiqte dhe të imitonte me sukses modelet e njerëzve që i kishte ofruar jeta. I ati i saj, dr. James Bowman, ishte një patolog i shquar. Me të njëjtën famë ishte edhe e ëma, një eksperte e zhvillimit të fëmijëve të mitur.
Linja e jetës së saj, nga vajzë doktori, në studente në Standford, në bashkëshorte të një shefi korporate, ishte një linjë që, siç thotë vetë, e ndoqi pa ndonjë zell të veçantë. Isha si një person që ka një rrugë të programuar dhe e di se atë duhet ta ndjekë, ka thënë vetë Jarret. Por kjo linjë u ndërpre prej vetë asaj, kur në vitin 1987 vendosi që të braktisë edhe martesën dhe punën. Edhe pse ishte nëna e një fëmije në moshën 2-vjeçare, ajo shkoi të punonte si këshilltare ligjore e këshillit korporativ të Bashkisë së Çikagos. Detyra e saj ishte që të merrej me çështjet civile. Përgjatë 15 vitesh, trajektorja e pushtetit dhe ngritjes së saj do ta kalonte edhe vetë Obamën.
Vitet e palumtura të Jarret si një juriste e çështjeve të pronave, tani duket se po shpaguheshin me detyrën e re. Kështu, disa vjet më pas ajo u bë një nga njerëzit më të afërt dhe më të besuar të krybashkiakut të Çikagos. Kryebashkiaku i ri zezak e promovoi Jarret duke e bërë shefe të stafit dhe më pas edhe komisionere të planifikimit, duke i lënë më pas tërësisht në dorë çështjet ligjore të qytetit.
Ndërkohë, ajo po rriste të bijën dhe ishte bërë pjesë e një rrethi social që bënte bashkë njerëz me të njëjtën mendësi e mentalitet, kryesisht me ngjyrë, që sikurse vetë Jarret e shihnin ndryshimin jo vetëm te vetja e tyre, por te të gjithë. Në këtë rreth njerëzish ishin edhe Obamat. Ishte Jarret që e solli Mishel në administratën e kryebashkiakut, ajo mori pjesë në dasmën e Obamave dhe ka qenë pranë tyre në të mirë e në të keq.
Një moment i tillë, pra i keq, ishte ai i vitit 1995, kur Jarret nisi që të humbte mbështetjen e kryebashkiakut. E plagosur dhe e zhgënjyer nga kjo gjë, ajo gjeti mbështetje miqësore dhe konkrete tek Obamat. Pas vitit 2000, ndërsa pozita e saj ishte forcuar sërish, ajo u shndërrua në një nga mbështetëset dhe përkrahëset e hapura të Obamës, yllit të ri të Çikagos. Në fakt, në vitet në vijim, roli që luajti ajo në ngjitjen e tij ishte i madh, por deri diku i kufizuar. Për fushatën e tij si senator, ajo e prezantoi Obamën te disa donatorë shumë të fuqishëm, që ishin kyç për fitoren e tij.
Ajo ishte ndër të paktët këshilltarë të afërt të tij që në vitin 2006 u bënë bashkë për të projektuar fushatën e ardhshme presidenciale. Gjatë 6 muajve të parë të fushatës presidenciale të Obamës, Jarret ishte në kontakt të vazhdueshëm me të, por ndërkohë vazhdoi që të qëndronte në Çikago për të drejtuar bursën e Çikagos dhe një firmë private. Por ky qëndrim ndryshoi natën e 17 korrikut të vitit 2007, kur Obama organizoi një mbledhje në shtëpinë e Jarret në Çikago, duke qenë se gjërat nuk po shkonin ashtu siç duhej. Aty lindi nevoja që Obama të kishte një këshilltar të vërtetë, të shkathët, me njohje, që të luante rolin e një ndërmjetësi mes tij dhe elektoratit.
Doli që personi i duhur për këtë pozicion ishte Jarret. Megjithatë, ajo sërish nuk u zhvendos nga Çikago dhe sipas disa këshilltarëve të tjerë të Obamës, nuk luajti ndonjë rol që solli ndryshime të mëdha. Ajo ka qenë një mbështetëse e idesë për përfshirjen e Mishel Obamës në fushatë dhe në rolin që ajo duhet të merrte për të qenë pjesë reale dhe e rëndësishme e bashkëshortit. Disa ditë pasi erdhi në Shtëpinë e Bardhë, Obama i tha ish shefit të tij të stafit, Rahm Emanuel, që Jarret duhet të ishte patjetër brenda Shtëpisë së Bardhë.
Në fakt këta janë ndër personat më të afërt të Presidentit, që kanë një ndryshueshmëri të madhe mes tyre, por për Obamën kjo është më se e pranueshme, sepse ai synon që të ketë njerëz me mendime të ndryshme për të nxjerrë vetë më pas atë që është e duhura. Ndërkohë, shumë persona brenda Shtëpisë së Bardhë e dinë se ndërsa shumë gjëra dhe persona mund të ndryshojnë pozicion brenda atyre mureve, në zemrën e Obamës vendi që ka Jarret nuk do të ndryshojë kurrë.