Dy gjëra dihen me siguri: që fushata zyrtarisht nis më 1 dhjetor dhe që EULEX-i do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë si në përpilimin e listave zgjedhore, ashtu edhe të rezultatit përfundimtar.
Flaka Surroi
Java e parë kaloi me kërkimfaljen e parë publike që ta ketë bërë ndonjë zyrtar i PDK-së prejse qeveris me Kosovën. Duke reaguar në shkrimin tim nga java e shkuar, zëvendëskryeministri shkroi një porosi të shkurtër me të cilën kërkoi falje për gafën që kishte bërë në Kuvend. Sdo mend se Kuçi dëshmoi inteligjencë dhe, me gjithë shumë reagime të kundërta në portalin tonë, besoj edhe në sinqeritetin e veprimit që bëri.
Sinqeriteti, i cili i mungoi shefit të vet tri ditë më vonë, kur vendosi ta vetërrëzonte qeverinë e tij, me një veprim shumë legjitim, por absolutisht absurd: me votat e anëtarëve të partisë së tij dhe me arsyetimin që nuk e ha pazari se Kosova po vuante nga kriza institucionale dhe se kjo ishte zgjidhja e vetme e mundshme. E kjo, nuk është e vërtetë, ngase ka mundur ti emëronte ministrat e rinj e të qeveriste me pakicë parlamentare; ka mundur tia dorëzonte dorëheqjen kryetarit në detyrë, e që ky tia jepte mandatin për krijimin e qeverisë së re, deri në zgjedhjet e shkurtit; ka mundur tia ofronte shansin ish-mikut të tij Sejdiut që ta formonte qeverinë deri në zgjedhje...
...Pra ka mundur ti bënte disa gjëra, por ka zgjedhur të na çojë në zgjedhje të parakohshme (se tashmë i patëm një palë të parakohshme, të caktuara për shkurt) dhe të imponojë ritmin e ri, pak a shumë kaotik, ku të gjitha afatet do të shkurtohen, përderisa ky do të vazhdojë të zhvillojë fushatë ende pa nisur fushata zyrtarisht, nga pozita e kryeministrit në dorëheqje dhe duke i shfrytëzuar të gjitha resurset zyrtare në dispozicion. Me një avantazh tashmë të përshkruar para disa javësh në këtë vend dhe në një situatë absolutisht në favor për të vendosur se kë e thërret e ke jo për tiu bashkuar për ta fituar edhe një mandat qeverisës. Plus, me dërgimin e sondazheve të porositura nga një ambasadë e huaj këtu ku vetes ia atribuon një fitore prej 34 për qind të votave në favor...
Zgjedhjet, siç u bë tashmë evidente, do të mbahen në pikë të dimrit, kur nuk do të kemi garanci se do të kemi furnizim të rregullt me energji elektrike; kur nuk kemi garanci se është bërë azhurnimi i listës zgjedhore ashtu si duhet; kur nuk kemi garanci se do të kemi vëzhgues ndërkombëtarë që do të mund të vlerësonin me neutralitet korrektësinë e zgjedhjeve; kur nuk kemi garanci se do të kemi rezultatet preliminare po atë natë (siç ndodh, për shembull, në një shtet si Brazili, që i ka vetëm 130 milionë votues)... Dhe, përfundimisht, nuk ka garanci se do të dalin më shumë votues se në zgjedhjet e shkuara, me çgjë u legjitimua një pushtet që nuk e pati, megjithatë, përkrahjen popullore.
Vjet në këtë kohë, në këtë vend zhvillohej debati nëse duhej apo jo marrë pjesë në zgjedhje. Atëbotë pata shkruar: Ditën që do të dal në votime, do tia pamundësoj kujtdo qoftë që të votojë në emrin tim, përkatësisht, që të ma vjedhë votën, ashtu siç i kishte ndodhur shumëkujt gjatë zgjedhjeve të shkuara. Nuk do të bëhem bashkëpjesëmarrëse e një krimi, i cili është toleruar dhe heshtur për hir të interesave të larta kombëtare. As sivjet nuk kam çfarë ti shtoj apo si ta modifikoj këtë, pavarësisht faktit se panorama politike në Kosovë ka ndryshuar në kuptimin e shfaqjes së opsioneve dhe kombinimeve të reja politike. Pavarësisht faktit se e kemi edhe një subjekt, i cili nuk është garues për zgjedhje, por që, njësoj me veprimin apo mosveprimin e vet, do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në preferencat zgjedhore që do ti kenë votuesit kosovarë.
Subjekti quhet EULEX dhe deri tani nuk është shquar për diçka të madhe dhe të rëndësishme, pos një sërë hetimesh të zhurmshme, arrestimesh e lirimesh nga më të çuditshmet dhe paralajmërimesh nga më skandalozet. Po i njëjti subjekt prej nga rrodhi informata se po hetoheshin 111 zyrtarë qeveritarë për korrupsion, prej nga u kuptua se kishim madje gjashtë ministra të tashëm dhe të kaluar që gjendeshin nën hetime dhe prej të cilëve kuptuam se njeriu i cili vetakuzohet për 17 vepra penale, e që me këtë akt inkriminon një numër të caktuar zyrtarësh të lartë të PDK-së, është shumë më i sigurt nëse qëndron në arrest shtëpiak sesa në burg.
Të gjitha këto që u përmendën më lart, janë përfolur dhe përpunuar para muajit shtator, kur me pompozitet paralajmërohej arrestimi i peshqve të mëdhenj. Por, natyrisht, ndodhi mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme dhe për hir të qetësisë në shtëpi nuk u ndërmor gjë. Më pas, u humbën lidhjet me datat e paralajmëruara dhe erdhëm në situatën kur zgjedhjet do të mbahen, përderisa gjasat për veprimin e EULEX-it do të jenë minimale.
Është shumë vështirë e besueshme që kushdo qoftë do të mund të arrestohej tash, kur ka mundur të arrestohej shumë më herët. Nëse EULEX-i ka prova inkriminuese kundër të përfolurve për hetime, atëherë do të duhej të vepronte, sepse në të kundërtën gjasat janë shumë të mëdha që këta persona të gjenden në listat zgjedhore të subjekteve të caktuara politike. Ta imagjinojmë situatën hipotetike ku një njeri, i dyshuar për vepër penale, zgjidhet deputet dhe pajiset me imunitet. Imunitet që kërkon një procedurë jo fort të thjeshtë për tu hequr e që më pas të merren masa gjyqësore. Kështu, votuesi do të mashtrohej dy herë: herën e parë kur do të votonte për dikë që do të mund të inkriminohej për një vepër penale për të cilën ka pasur dëshmi e për të cilën nuk është vepruar me kohë dhe, herën e dytë, kur personi i inkriminuar, i cili do të mund ta humbte imunitetin dhe do të mund të dënohej, do të zëvendësohej nga një kandidat të cilin votuesi nuk e ka votuar.
Pra, po qe se nuk vepron, EULEX-i do të ndikojë drejtpërsëdrejti në përbërjen e listave zgjedhore, dhe për pasojë do të ketë një ndikim shumë të rëndësishëm në rezultatin përfundimtar të votimit. Po qe se vepron, dhe ndërmerr një sërë arrestimesh tash para nisjes së fushatës, sërish do të ndikojë drejtpërsëdrejti në përbërjen e listave zgjedhore dhe, si në rastin paraprak, pa dyshim do të mund të ndikonte në thelb në rezultatin përfundimtar. Unë nuk kam dyshim se do të gëzohesha po qe se EULEX-i ndërmerr veprime dhe i arreston të dyshuarit, por e kam parandjenjën se kjo nuk do të ndodhë dhe se arsyeja edhe kësaj radhe do të jetë: ruajtja e stabilitetit, ashtu që të përgatitet terreni për zhvillimin e zgjedhjeve si dhe për nisjen e bisedimeve me Beogradin. Ani që me këtë veprim, sërish, pala më e dëmtuar e besa edhe e lënduar do të jenë qytetarët, shumica e të cilëve hamenden nëse duhet të dalin të votojnë ose jo. E në të vërtetë, mu kjo do të duhej të ishte një arsye e madhe pse duhet të dalim në zgjedhje.